Shkolla çon nxënësit e 9-vjeçares të shohin film me skena seksi

Nxënësit e dy shkollave 9-vjeçare në Sarandë janë çuar nga shkolla të shohin një film me skena të nxehta ku mund të shihej seks, dhunë dhe përdhunim, raporton Panorama.
 
Bëhet fjalë për filmin e regjisorit Leonard Bombaj, “Pijanecët e ajrit të egër”.
 
Kjo gjë ka revoltuar prindërit e fëmijëve, të cilët nuk ishin në dijeni dhe aq më pak t’i shoqëronin ashtu siç duhet vepruar në këto raste.
 
Nxënësit kanë qenë nga shkollat “9 Tetori” dhe “Adem Sheme” dhe thonë se janë ndjerë shumë në siklet duke parë këtë film, madje ata janë marrë nga orët e mësimit për të parë filmin.
 
Bëhet fjalë për nxënës të klasave nga klasa e gjashtë deri në klasën e nënëtë, pra 12- 15 vjeç.
 
Drejtoritë e këtyre shkollave kanë deklaruar se janë udhëzuar nga Ministria e Arsimit për t’i çuar nxënësit të shohin filmin pasi është përfshirë në orët mësimore, por MASH ka përgënjeshtruar të ketë dhënë  një udhëzim të tillë.
 
Vetë regjisori i filmit thotë se ky është një film që mund të shihet për moshat mbi 11 vjeç.
 
Disa nxënës thonë se në shkollë u bënë lista me emrat e nxënësve që do të shkonin të shihnin filmin, të cilët paguanin nga dy mijë lekë të vjetra.
 
Madje ata thonë se u është bërë njëfarë presioni duke u thënë se kush nuk shkonte të shikonte filmin do të bënte mësim pas orës së gjashtë.
Artikulli paraprakMustafaj: Pse e përdorën Rama e Meta aktorin Kallaku
Artikulli vijues9 mënyra shtëpiake për të hequr lythat