LSDM vazhdon me shpalosjen e bisedave të përgjuara telefonike

Sipas anëtarit të LSDM-së, Pançe Orcev, bisedat telefonike dëshmojnë presionet dhe vjedhjet gjatë procesit zgjedhor në Strumicë.
 
Ndryshe nga herët tjera, ku bisedat e përgjuara telefonike shpaloseshin në selinë e partisë në Shkup nga lideri i Lidhjes Social Demokratike e Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, këtë herë në një konferencë për shtyp bisedat u shpalosën në Strumicë nga anëtari i LSDM-së, Pançe Orcev, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Sipas anëtarit të LSDM-së, Orcev, bisedat telefonike dëshmojnë keqtrajtimet dhe vjedhjet gjatë procesit zgjedhor në Strumicë. Ai tha se projekti “E vërteta për Maqedoninë”, si një akt më patriotik për kthimin e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë në vend do të arrijë në çdo vend dhe për të gjithë.
 
“Sot do të dëgjoni për qytetarët e Strumicës, të cilët personalisht u siguruan, personalisht nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe nga disa bashkëpunëtorë të tij, ashtu që të fitojnë zgjedhjet. Do të dëgjoni për presionin ndaj qytetarëve, firmave, si janë keqtrajtuar shokët tanë romë, të gjitha për kënaqësinë e tyre shpirtërore për të fituar kryebashkiakun Zoran Zaev, që të marrin kontrollin e qytetit të Strumicës”, deklaroi Orcev.
 
Ai shpalosi disa biseda telefonike në të cilat sipas tij pretendohen të jenë ministra dhe funksionarë të lartë shtetërorë, përfshirë ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, i cili në një bisedë dëgjohej duke urdhëruar të kryhen inspektime të lokaleve në një lagje turke, me qëllim për të bërë presion ndaj tyre.
 
Në disa biseda tjera dëgjohej zë gruaje, e cila sipas Orcevit është ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, e cila urdhëronte bashkëpunëtorët e saj që në vendet ku ata kishin rezultat të ngushtë të mos nënshkruajnë proces verbalin.
 
Ai shpalosi edhe biseda telefonike të kryeministrit Nikolla Gruevski, drejtorit të Zyrës për Siguri dhe Kundër Zbulim, Sasho Mijallkov, dhe kryeredaktorit të TV Sitel, Dragan Latas Pavloviç, të cilët diskutonin për përsëritje të zgjedhjeve lokale në Strumicë, me qëllim që humbjen e zgjedhjeve në këtë komunë ta kthejnë në fitore./AA
Artikulli paraprakE refuzon djalin, bëhet për spital vajza nga Prizreni
Artikulli vijuesNjë në tre diplomatë rusë është spiun