Në Olimpiadën e aritmetikës mendore që u mbajt në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur, në qendër të vëmendjes ishin fëmijët nga Gaza, të cilët kanë shënuar rezultatet më të larta, raportojnë mediat botërore.
Duke zgjidhur një total prej 182 problemesh matematikore brenda tetë minutave, titulli i fëmijës më të zgjuar në botë i takoi katërmbëdhjetë vjeçares Eryic el-Medhun nga Gaza.
Në këtë konkurs ndërkombëtar morën pjesë 1500 pjesëmarrës nga dhjetë vende aziatike dhe afrikane, kurse Palestinën e kanë përfaqësuar 21 pjesëmarrës.
Fituesja e konkursit, Eryic el-Medhun, u shpreh e kënaqur me suksesin e saj, dhe theksoi se fitorja e saj është edhe më e rëndësishme, sepse për këtë garë ajo u përgatit gjatë sulmeve të fundit të Izraelit në Gaza.
“Kemi nderin ta bartim flamurin e Palestinës dhe ta promovojmë vendin tonë në dritën më të mirë. Ky është një tjetër tregues se fëmijët palestinezë janë të aftë pavarësisht vështirësive me të cilat përballen”, tha Eryic el-Medhun.
Drejtori i Qendrës për aritmetikë mendore, Maxhid el-Bari, tha se tek këta fëmijë po zhvillohen aftësitë e trurit, e në veçanti funksionimi i zhvillimit të pjesës së djathtë të trurit, që kontrollon vetëbesimin, kontrollin e presionit, shpejtësisë, saktësisë dhe përmirëson aftësinë e memories.
Qendra për aritmetikën mendore në Palestinë u hap në vitin 2009, dhe për momentin ndiqet nga 1.500 fëmijë të moshës 5-12 vjeç.