Shqiptari që hyri si pastrues, e doli me diplomë nga Columbia University!

Pas njëzet vitesh pune pastrues në Universitetin Columbia, shqiptari me prejardhje nga një fshat i Ulqinit, Gac Filipaj pret të diplomohet kësaj të diele me nderimet më të larta në institucionin e famshëm të Nju Jorkut.
 
“Me këtë po realizohet vetëm gjysma e ëndrrës sime”, ka deklaruar Filipaj, i cili është kthyer në njeriun e ditës dhe personazh të dashur për gazetat që e kanë cilësuar si fenomen të njeriut këmbëngulës, inspirues, që diplomon në një nga universitetet elitare amerikane ku pranohen vetëm 10 për qind e numrit të konkurruesve.
 
Gac Filipaj ishte larguar për në SHBA më 1992 pas fillimit të luftërave në ish Jugosllavi dhe qysh prej asaj kohe ka punuar në Universitetin Columbia në sektorin e mirëmbajtjes. Në Columbia kishte shkuar pikërisht për mësimin e gjuhës angleze në kurset që ofroheshin dhe vazhdojnë të ofrohen falas nga universiteti. Pas zotërimit të mirë të gjuhës angleze, në vitin 2000, Filipaj ishte regjistruar për të vijuar studimet e përgjithshme dhe nga një semestër në tjetrin ishte dalluar për rezultatet e tij të larta.
 
“Jam jashtëzakonisht krenar dhe i lumtur”, thotë shqiptari 52-vjeç, që ka nisur studimet e larta në moshën 40 vjeç dhe pret të kurorëzojë një ëndërr të vjetër.
 
Në Universitetin Columbia kanë studiuar dhe janë diplomuar shumë prej personaliteteve të famshme amerikane, mes tyre edhe presidenti i aktual i SHBA-ve, Barack Obama. 
Artikulli paraprakGaza ka nxjerrë fëminë më të mençur në botë, ajo është një 14 vjeçare
Artikulli vijuesTë dielën rikthehet ora legale. Ja çfarë duhet të keni parasysh