Një video me pikëpyetje për tragjedinë e Germanwings

Ajo është tragjedia më e rëndë ajrore në historinë e Gjermanisë.
 
150 persona të vdekur.
 
Piloti i dytë, Andreas Lubitz e përplasi qëllimisht avionin e Germanwings në Alpet Franceze.
 
Kjo dihet deri më tani.
 
Para disa orësh, gazeta gjermane Bild njoftoi se ka një video, që tregon se çfarë ka ndodhur brenda avionit në çastet e fundit.
 
Prokuroria franceze thotë se video u duhet dorëzuar atyre, pasi duhet për hetimin.
 
Ata thonë se nuk e dinin që ekzistonte një video e tillë.
 
Po si u gjet kjo video?
 
Bild thotë se ajo është marrë tek celularët e gjendur në vendin e ngjarjes.
 
Gazeta e ka parë videon, por nuk e ka publikuar.
 
Në video dëgjohen ulërimat dhe të paktën tre zhurma të forta metalike.
 
Bild mendon se piloti i parë ka tentuar deri në momentet e fundit që të hapë derën e kabinës, ku qëndronte i kyçur “kamikazi” Lubitz.
 
A mund të mbijetojë një telefon nga kjo përplasje?
 
Ekspertët kanë dyshimet e tyre.
 
A është e vërtetë video?
 
Bild thotë se nuk ka asnjë dyshim, video është bërë brenda avionit të tragjedisë.
 
Videon e ka parë edhe gazeta franceze Paris Match.
 
Ata shkojnë edhe më larg kur thonë se Lubitz kishte vënë maskën e oksigjenit në momentet e fundit.
 
Pse duhej ta bënte këtë gjë një njeri, që kishte vendosur të shkonte drejt vetëvrasjes?
 
Spiegel raporton se kompania e fluturimeve Lufthansa e dinte për depresionin e pilotit të saj.
 
Në rrjet qarkullojnë shumë teori.
 
Disa prej tyre thonë se gjigandi gjerman, Lufthansa, po tenton që të mbulojë dështimin teknik të avionit.
Artikulli paraprakIa vjedhin paret përmes internetit
Artikulli vijuesMustafa thotë se do ta kthejë besimin e qytetarëve