FRANCA PËRGATITET T’U JAPË TË HUAJVE TË DREJTËN E VOTËS.

Partia Socialiste në pushtet ndërmori një nismë për t’u dhënë të drejtën e votës në zgjedhjet vendore të huajve, që jetojnë prej më shumë se 5 vitesh në Francë, por që nuk janë qytetarë të Bashkimit Evropian.

75 deputetë të Partisë Socialiste franceze i bënë thirrje të përbashkët Presidentit Fransua Oland që të mbajë premtimin e tij elektoral lidhur me njohjen e të drejtës së votës nënshtetasve të huaj në vend.

Në këtë kuadër, deputetët e lartpërmendur ndërmorën një nismë të re për dhënien e të drejtës së votës në zgjedhjet bashkiake të huajve, që jetojnë prej më shumë se 5 vitesh në Francë, por që nuk janë qytetarë të BE-së.

E drejta e votës për të huajt në Francë është sjellë në rend të ditës për herë të parë në vitin 1981 nga ish-presidenti Fransua Miterran, por kjo nismë ka mbetur pa rezultat.

Në vitin 2000 një tjetër projektligj mbi këtë çështje u miratua në Asamblenë Kombëtare të Francës, por nuk u ligjësua pasi u refuzua nga Senati. Kurse vitin e kaluar ndodhi krejt e kundërta; një projektligj i ngjashëm u pranua nga Senati i Francës, por doli nga rendi i ditës sepse nuk u votua nga Asambleja Kombëtare.

Analistët politikë theksojnë se Partia Socialiste aktualisht zotëron shumicën e mjaftueshme si në Asamblenë Kombëtare, ashtu edhe në Senatin e Francës, prandaj nëse një projektligj i tillë do të bëhet pjesë e agjendës së punimeve të Parlamentit, këtë herë mundësia që ai të ligjësohet do të jetë tepër e madhe.kohaislame

 

Artikulli paraprakNXEHEN UJËRAT NË GJIRIN PERSIK
Artikulli vijuesNuk ka ndarje të Kosovës