INPO: Premtimet e papërmbushura të Ahmetit në kryeqytet

Iniciativa për Progres, me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung, ka publikuar sot një raport mbi monitorimin e punës së Komunës së Prishtinës, në të cilin ka paraparë si sfidë për këtë komunë implementimin e planeve rregullative në vendbanimet urbane, rrënimin e ndërtimeve të egra, shpërndarjen e rrjetit të ujësjellësit dhe furnizimin 24 orë me ujë.

Me anë të këtij raporti, INPO thotë se po paraqesin gjetjet dhe rekomandimet e dala nga procesi i monitorimit të drejtpërdrejtë të Komunës së Prishtinës, për vitin 2015.

Iniciativa për Progres vlerëson se Komuna e Prishtinës deri tani nuk ka arritur të ulë suficitin, ani pse një gjë e tillë është premtuar nga kryetari Shpend Ahmeti. Sipas INPO-së, deri tani nuk ka asnjë përmirësim në trafikun urban dhe nuk janë adresuar mjaftueshëm shërbimet publike për qytetarë. Madje, INPO vlerëson se kjo komunë nuk ka treguar rezultat as në rrënimin e objekteve pa leje.

Hartuesi i këtij raporti, Kristian Hasanaj thotë se si problem e kanë parë mosuljen e suficitit në këtë komunë, që, siç thotë ai, ky ka qenë premtim i vetë kryetarit të Prishtinës.

“Komuna e Prishtinës gjatë këtij viti ka dalë me një suficit, i cili ka qenë i paralajmëruar nga INPO qysh në raportin e 100 ditëve të parë për Komunën e Prishtinës dhe njëkohësisht kjo çështje ka qenë edhe premtim i zotit Ahmeti që të punojë në këtë drejtim, që suficiti që e ka përcjellë gjithmonë Komunën e Prishtinës, gjatë këtij viti të shënojë rënie, por si duket edhe gjatë këtij viti të parë kaq vazhduar e njëjta problematikë. Në anën tjetër, duhet theksuar që gjatë këtij viti nuk janë adresuar në masë të nevojshme shërbimet publike për qytetarë. Nëse fillojmë qysh nga trafiku urban, premtimet që trafiku urban do të funksionalizohet, pavarësisht marrëveshjeve me BERZh-in dhe disa aktivitete në ketë drejtim, rezultatet konkrete akoma nuk janë në terren”, thotë ai.

Ai përsëritë se trafiku urban është ende i ngarkuar dhe se shërbimet për qytetarë janë ende të një cilësie të ulët.

INPO ka përcjellë edhe punë në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku shprehin shqetësim për dështimin e partive politike në kuvend për të tejkaluar mosmarrëveshjet partiake.

“Në parim ka dështua të sjellë një debat produktiv. Kuvendi si i tillë, i të zgjedhurve të qytetarëve të Prishtinës, duhet të reflektojë në interesat e qytetarëve që i përfaqësojnë. Debati ka qenë në nivelin zero për shkak se më shumë kanë dominuar përplasjet verbale, se sa propozimet konkrete që qojnë në arritjet e zgjidhjeve për të mirën publike të qytetarëve të Prishtinës”, thotë ai.

INPO thotë se e shohin me shumë shqetësim mungesën e kësaj fryme progresive.

Në këtë raport, INPO ka paraparë edhe sfidat që e sipas tyre e presin Komunën e Prishtinës.

“Këtë mandat, INPO e sheh si sfidë që Prishtina do të ketë sfida të mëdha në implementimin e planeve rregullative urbane për shkak se gjendja është e tillë që Komuna e Prishtinës akoma jeton në një kaos urban. Rrënimi i ndërtimeve të egra pa leje, pavarësisht që ka qenë premtim elektoral, nuk e kemi parë një seriozitet në këtë aspekt. Ka pasë rrënime të disa anekseve por jo të ndërtimeve të mëdha, të cilat janë ndërtime të egra që bien ndesh me ligjin për ndërtim”, thotë ai

Sfidë tjetër për komunën, sipas INPO-së, do të jetë që të shënojë rezultate për përmirësimin e rrjetit të ujërave të zeza dhe kanalizimeve dhe furnizimin 24 orë me ujë.

Gjithashtu, INPO vlerëson se ndër vite Komuna e Prishtinës ka shënuar në mënyrë shumë të dobët rekomandimet dhëna nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

Megjithatë, INPO përmend edhe një hap pozitiv të kësaj komune, që sipas tyre është krijimi i Komitetit për auditim.

INPO shpreson që ky raport i dalë sot do të ketë vëmendjen e Komunës së Prishtinës dhe si i tillë do të pranohet si material mbështetës në identifikimin dhe qasjen ndaj problemeve me të cilat përballet kjo komunë dhe qytetet në tërësi.

Artikulli paraprakShkrijnë pasurinë për të ndihmuar emigrantët
Artikulli vijuesKontesti Komunë-Ipeshkvi mban peng 86 pronarë biznesesh në Prishtinë