Mesazhet telefonike tregojnë për blerje diplomash në UP

Prishtinë, 18 dhjetor – Në një shkrim të saj “Koha Ditore” sot dëshmon për blerje diplomash në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”. Gazet përmend mbi 50 faqe mesazhe telefonike që dëshmojnë se në këtë universitet regjistrimet, provimet dhe diplomat blihen me para. Në këto komunikime përmendet ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, dhe profesorë të ndryshëm. Në një rast gjatë komunikimit përmendet një profesoreshë, e cila po priste paratë për kryerjen e një provimi. Mesazhet janë nxjerrë gjatë komunikimit mes vete të Esat Belajt (1984), asistent në Fakultetin e Mjekësisë, Rajan Zenelit (1984), Kemajl Gashit (1986), asistent në Fakultetin e Mjekësisë; Arian Janovës, asistent i angazhuar në Fakultetin Filozofik; Leonard Bytyçit (1987), mjek në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Suharekë; Albion Haxhijahës (1988), mjek në Repartin e Internos; Myvledin Beqirit (1984), i diplomuar në Mjekësi; Gazmend Maliqit (1984), asistent në Fakultetin e Mjekësisë; Arton Hotit (1984), mjek në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjakovë; Kushtrim Morinës (1988), ekonomist i papunë; dhe Muhamed Maliqit (1983), student në Fakultetin e Mjekësisë. Ky grup është arrestuar për shkak të dyshimit se kanë kryer vepra penale të “keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje e ryshfetit, raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”. Ata dyshohen se nga viti 2009 e deri në përfundim të vitit 2012, kanë marrë shuma të ndryshme të parave nga 4 mijë deri në 10 mijë euro për regjistrimin e studentëve në UP në Fakultetin e Mjekësisë, atë të Edukimit etj., si dhe për dhënien e provimeve kryesisht në Fakultetin Ekonomik. Gjatë komunikimit, herë të koduar e herë të hapur, ata flasin për raste konkrete, shifra parash dhe pagesa. Madje në një rast dërgohet llogaria bankare për t’ia depozituar paratë. Më 30 shtator 2009, Esat Balaj i shkruan Arian Janovës: “Lexo veç vet edhe fshije meniherë. Ajo puna që të kam thanë, ish kry mirë. Sot e mora vesh edhe niherë po të lutna mos fol me kerkan, faleminderit”. Pak pas këtij mesazhi i dërgohet një tjetër: “Arian qyky xxxxxxxxxxxxxxxx është numri i kontos, kqyr qitmi sot nëse mundesh se po me duhen”.

Në komunikimin e tyre përmendet edhe rasti i një mjeku, i cili paguan për ta kryer një provim. Përmendet edhe regjistrimi i studentes A. O. e cila e ka pranuar se ka paguar 4.500 euro për t’u regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë, në Degën e Stomatologjisë.

Kjo studente nuk ia kishte dalë të regjistrohej në mënyrë të rregullt. Pas rënies në kontakt me Esat Belajn, Leonard Bytyçin dhe Albuon Haxhijahën dhe pagesës së kësaj shume, ajo është pranuar dhe të vijojë studimet për stomatologji.

Veprimtaria e këtij grupi ka nisur në kohën kur UP-ja është udhëhequr nga Muj Rugova. Numri i studentëve është dyfishuar thuajse në të gjitha fakultetet dhe njësitë akademike, falë ndërhyrjes për të rritur numrin e studentëve me vendim të Senatit, por edhe me regjistrime të jashtëligjshme.

Nga bisedat me mesazhe telefonike kuptohet se si janë regjistruar studentët. Ato tregojnë se Esat Belaj, Kemaj Gashi, Arijan Janova, Rajan Zeneli, Leonard Bytyçi dhe Mevludin Beqiri kanë vepruar si grup i organizuar në cilësinë e personave zyrtarë.

Që nga qershori 2009 e deri në tetor të vitit 2012, Esat Belaj, Arjan Janova dhe Mevludin Beqiri dyshohen se në bashkëkryerje kanë regjistruar studentë në fakultet si dhe kanë angazhuar studentë që të hyjnë në provime për studentë të tjerë.

Arian Janova dyshohet se është përfshirë në shpërdorim të pozitës zyrtare ose autorizimit, marrje të ryshfetit. Kemajl Gashi, Rajan Zeneli, Leonard Bytyçi, Albion Haxhijaha dhe Mevledin Beqiri marrje të ryshfetit.

Policia dyshon se Gazmend Maliqi, Arton Hoti dhe Kushtrim Morina në raste të përbashkëta kanë vepruar në grup të organizuar si persona zyrtarë.

Mesazhet e shkëmbyera në mes të dyshuarit Esat Belaj dhe Rajan Zenelit të listuara në dosjen që ka gazeta, nisin nga 14 korriku 2009. Me këtë datë Rajan Zeneli i kishte shkruar mesazh Esat Belajt: “Valla kryetar nuk po di sa të dush, njo fort e kam, po ai po i lyp 400, llogarit me dalë neve naj sen shihemi e flasim”. Po me atë ditë, Esat Belaj i kishte shkruar Rajan Zenelit: “Sa me i thanë njanit me sistem të vjetër koka pa test kombëtar, s’po jepke shumë, i ka dorëzu dokumentat, veç duhet me gjet dikan me hi”. Ky mesazh tregonte se ata do të gjenin dikë për të hyrë në provim. Shumë mesazhe nuk kanë përgjigje për shkak se ata janë takuar apo kanë komunikuar në mënyra të tjera.

Më 18 korrik 2009 Esat Belaj i shkruan Rajan Zenelit: “55 pikë, testi kombëtar 8 pikë suksesi. Qaj klienti që të thash dje, qa me i ba atij, duhet me ia ndreq dyjat edhe me shti dikan, a pe marrim?” Zeneli i përgjigjet: “me ia ndreq ato na bohen 60 eki, plus at senin për me hi plus ati me ja dhanë 200 duhet, se nuk kish dokumenta ose me ja ndreq dokumentat se tha nuk muj i marr”.

Më 20 korrik 2009 Esat Belaj i shkruan sërish Rajan Zenelit: “Rik ama numrin e atij djalit që ka me hy se duhet me u taku unë me të”. Pas këtij edhe një mesazh tjetër: “Hej Rik, kqyre bre thirre ti qat djalin thuj let vjen nesër në PR se spo muj merrna vesh unë me të, nëse vjen neser thuj le tmë thirr e ia jepi atë senin”.

Rajan Zeneli ia kthen mesazhin: “Belaj, a u marrjesh me atë djalin, mos harro me ja lon atë senin e kuq që i ka dorëzu dokumentat”.

Në ora 23:42 Esat Belaj i shkruan Rajan Zenelit, duke e pyetur: “Qysh e ka emrin ai djali që ka me hy në provim edhe duhet me ardhë ti me u marrë me ta se unë s’kam kohë ma”.

“Rik mirëmengjes, unë shkova për Evropë, po ta dha numrin e Arianit, e fol me ta për atë punën”, i shkruan të nesërmen Esat Belaj atij. Rajani ia kthen: “kryetar, rruga e marrë ishalla kalon qysh ki qef. Op e thërras unë atë, e i kallëxoj. Paret na i jep Arjani a? Shihemi”.

“Koha Ditore” ka paralajmëruar vazhdimin e botimit të mesazheve, që tregojnë për formën e krimit të organizuar akademik në Universitetin e Prishtinës./koha

Artikulli paraprakVetëm pas intervenimit të policisë çohen mjekët në sallë të operacionit
Artikulli vijuesKomuna e Prishtinës: “ELKOS” s’i ka paguar borxhet ndaj shtetit