iPhone, telefoni më i shitur në Kinë

Apple Inc. është radhitur si shitësi më i mirë i telefonave të mençur në Kinë, duke e mposhtur kështu prodhuesin lokal, Xiaomi, dhe kjo falë rritjes në shitje të iPhone 6.
 
“Apetiti për produktet e Apple në Kinën urbane është rritur shumë që nga lansimi i iPhone 6 dhe 6 Plus dhe kjo ka vazhduar edhe në Vitin e Ri Kinez”, ka bërë me dije Carolina Milanesi, shefe e hulumtimeve në “Kantar Worldpanel ComTech”.
 
Firma e hulumtimeve ka thënë se iPhone 6 mbetet si telefoni më i shitur në tregun e dytë më të madh në botë të smartfonëve, ndërsa aksionet e kompanisë janë rritur në 10.2 për qind nga 9.5 për qind, transmeton Koha.net.
 
“Me dy pajisjet e avancuara, por edhe me modelet e kaluara që po shiten mirë, Apple ia ka dalë të zë vendin e parë në rangimet e prodhuesve të smartfonëve. Xiaomi ka dalë në vendin e dytë”, ka thënë Tamsin Timpson, drejtor strategjik në “Kantar Worldpanel ComTech Asia”.
 
Në anën tjetër, Samsung po përjeton një rënie në tregun kinez, duke zënë kështu vendin e katërt pas Huaweit, pasi që po përballet me konkurrencë të shtuar nga prodhuesit e pajisjeve me Android me çmime të lira.
 
Por, megjithatë, gjërat kanë nisur të përmirësohen për kompaninë Jug-Koreane. Pasi humbi ‘pikë’ ndaj Apple-s dhe Xiaomi-t, Samsung duket se është rikthyer në skenë në Kinë me lansimin e pajisjeve të saja të fundit të avancuara, Galaxy S6 dhe S6 Edge në prill, pajisje që përmbajnë specifika të larta. 
Artikulli paraprakArrestohen 20 persona të dyshuar, brenda 24 orëve
Artikulli vijuesPse i duam pjeshkat?