Gjermani: Digjet një qendër që shërbente për pritje të refugjatëve

Një qendër e azilkërkuesve në komunën gjermane Troglitz, e cila ishte rinovuar për t’u bërë gati që gjatë muajit maj të priste refugjatë, është djegur.
 
Objekti i rinovuar i një fshati gjerman me rreth 2700 banorë në bashkinë e Troglitzit, është djegur ende pa u vendosur refugjatët aty.
 
Prokuroria gjermane ka vlerësuar se zjarrvënia ishte e qëllimshme.
 
Dyshimet janë se kjo vepër është kryer nga grupe të ekstremit të djathtë, prezenca e të cilëve është e theksuar në komunë.
 
Troglitz, sipas medieve gjermane në fillim të muajit mars kishte zënë vend në kryeartikujt e gazetave gjermane, kur kryetari i bashkisë Markus Nierth për shkak të armiqësisë së skajshme të krahut të djathtë kishte dhënë dorëheqjen, transmeton lajmi.net.
 
Në faqen e tij në Facebook Nierth flet për “mendjet e sëmura” që mund të qëndrojnë pas kësaj zjarrëvënie.
 
Në atë objekt jetonte një qift gjerman, të cilët fatmirësisht kanë arritur të shpëtojnë. Pas këtij sulmi kanë reaguar politikanët më të lartë gjermanë duke e dënuar atë. Gjermania sivjet ka përjetuar vlugun më të madh të azilkërkuesve. Pas Sirisë që zë vendin e parë për nga numri i refugjatëve, vijnë azilkërkuesit, nga Serbia, Eritrea, Afganistani, Iraku, Kosova, Maqedonia, Bosnja, Shqipëria dhe Somalia.
Artikulli paraprakJankullovska i ikë përgjegjësisë për fyerjen e shqiptarëve
Artikulli vijuesVazhdojnë rrëshqitjet e dheut në Rrugën e Kombit