Kreministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti të martën në takim njoftues ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Ruairi O’Connell.
Kryeministri Mustafa njoftoi amabasadorin O’ Connell me progresin e vazhdueshëm që po arrihet në Republikën e Kosovës, duke theksuar prioritetet e Qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, punësimin dhe mirëqenien, sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit, agjendën evropiane si dhe reformat thelbësore në arsim dhe në shëndetësi.
Duke i uruar mirëseardhje dhe sukses gjatë misionit të tij në Kosovë, Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar dhe populli i saj kanë dhënë për Kosovën, në të gjitha periudhat thuhet permes një komunikate nga zyra e Kryeministrit.
Kryeministri Mustafa po ashtu shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në të ardhmen. Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të vazhduar bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kosovës në të gjitha proceset, duke theksuar edhe angazhimin e tij për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.