Vukçeviq: Thaçi mund të arrestohet nëse vjen në Beograd

Prokurori për krime lufte i Serbisë, Vladimir Vukçeviq ka paralajmëruar se fletarrestimi për Hashim Thaçin ende është në fuqi, kështu që ai mund të arrestohet nëse shkon në Beograd.
“Hetimet për Thaçin janë të pezulluara, ngase është i pakapshëm për organet hetuese. Është e vërtetë se Interpoli e ka stopuar fletarrestimet për Thaçin në vendet tjera, me arsyetimin se bëhet fjalë për funksionarët më të lartë shqiptarë, por në Serbi ai është në fuqi, kështu që nëse vjen këtu mund ta arrestojmë”, ka thënë Vukçeviq për “Blic”.
 
Mediat e Serbisë dhe Kosovës lajmëruan dje se zëvendëskryeministri dhe shef i diplomacisë kosovare do të qëndrojë në fund të muajit në Beograd, me ftesë të organizatës joqeveritare serbe “Ambasadorët e Paqes”, për të marrë pjesë në një konferencë për integrimet evropiane të vendeve të rajonit.
 
Organizatori ka paralajmëruar pjesëmarrjen e ministrat e jashtëm të katër vendeve ballkanike ndërsa Thaçi, sipas disa mediave, ka paralajmëruar se me gjasë do të shkojë në Beograd.
 
Në anën tjetër, shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq ka thënë se s’ka nevojë që Thaçi të vijë në Beograd.
 
“Atë tubim nuk e organizon Qeveria e Serbisë, unë as që kam planifikuar të marr pjesë në të, kështu që nuk besoj se ka nevojë që Hashim Thaçi të vijë në Beograd”, ka thënë Daçiq.
Artikulli paraprakNdalohen në Durrës 650 shqiptarë që kishin destinacion Gjermaninë
Artikulli vijuesLegjenda që mbrojti gruan myslimane, të abuzuar në një tren (Video)