EKSODI NË SHQIPËRI DHE KOSOVË, PËRGJEGJËSI KA EDHE BE-JA

 
Fenomeni i azilkëkuesve shqiptarë drejt vendeve të BE-së nuk po ndalet.
 
Me gjithë thirrjet që po bën qeveria apo ‘presionet’ e vendeve të BE-së për të mos i pranuar kërkesat e tyre, sërish njerëzit vazhdojnë të ikin. Sociologu dhe ekspert në problemet sociale Gëzim Tushe mendon se shkaqet janë të shumta edhe individuale; por e përbashkët është varfëria dhe papunësia, pasi shqiptarët kanë humbur shpresën dhe besimin për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.
 
Tushe në një intervistë për Kosovapress thotë se ky fenomen duhet frenuar me patjetër; dhe jo vetëm qeveritë tona duhet të marrin masa, por edhe vetë Bashkimi Evropian duhet të jetë më i drejtë dhe më pak i lëkundur në qëndrimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë në proces integrimi.
 
“Realiteti duhet parë në sy dhe duhet vlerësuar, nga ana sasiore dhe cilësore jo vetëm thjesht duke numëruar numrin e emigrantëve që ikin nga Kosova dhe nga Shqipëria, drejt Gjermanisë dhe vendeve të BE-së, por duke bërë dhe një observim të saktë të shkaqeve; të grupmoshave; të shtresave sociale; të gjendjes ekonomike të atyre që e marrin përsipër këtë rrisk. Natyrisht ne jemi vende ballkanike dhe nuk e kemi zhvillimin e duhur ekonomik dhe social.Ndër arsyet objektive sipas gjykimit tim është kjo diferencë akoma shumë e theksuar e nivelit të jetesës, të mirëqenies së popullit shqiptar këtu dhe në Kosovë, ku humbja e shpresës është gjëja më e keqe dhe mungesa e besimit është gjëja më e keqe,” thotë sociologu Gëzim Tushe.
 
Tushe i quan një utopi kërkesat për azil, duke kritikuar të gjithë ata shqiptarë që po i futen një aventure të tillë, duke arritur të shesin edhe shtëpitëe tyre. Ai e quan një fatkeqësi faktin që po ikin edhe një pjesë e mirë e njerëzve të kulturuar, intelektualë, pasi në këtë mënyrë ata jo vetëm humbasin të ardhmen e tyre, por janë një humbje edhe për kombin këtu, duke mos kontribuar më në profesionet që kanë pasur.
 
“Natyrisht problemi është jashtëzakonisht i madh, sepse ata që po ikin nuk është se janë njerëz të paarsyeshëm apo, madje prej tyre ka edhe që janë kulturalisht mjaft të orientuar dhe më vjen keq që prej tyre mund të jenë dhe kolegët tanë. Kanë marrë një vendim të nxituar, një vendim. Sidoqoftë braktisja e vendit në këtë mënyrë nuk është normale. Unëe di që kjo botë do bëhet globale dhe kufijtë do bëhen konvencionalëdhe në një farë mënyre tregu global do bëhet i integruar, por çështja është se këta që po ikin, po ikin për arsye ekonomike. Një pjesë e tyre edhe në mënyrë pak të shëmtuar; duke e shitur edhe atë pasuri që kanë, në emër të një aventure utopike, me gjithë presionin që po bëhet, për t’u thënë që kjo është një utopi e parealizueshme, dhe është e tillë,” tha Gëzim Tushe.
 
Frika më e madhe e sociologut, Gëzim Tushe është kosto që mund të sjellë ky fenomen nëse nuk merren masa; dhe kosto më e madhe do të ishte për Shqipërinë, kthimi i regjimit të vizave. Ndaj dhe ai iu bën thirrje palëve politike në Shqipëri, si qeverisë ashtu edhe opozitës që të bashkëpunojnë për të frenuar azilkërkuesit.
 
“Ky fenomen nuk ka rëndësi se si do frenohet nga BE, i cili mund të marrë masa radikale. Ne nuk duhet ta rrezikojmë këtë arritje të madhe që kemi; liberalizimin e vizave, faktin që jemi bërë gati-gati qytetarë me pasaportë europiane. Një rivendosje e regjimit të vizave do të ishte një kosto që duhet ta marrin ata që e shkaktuan këtë gjë. Cilët janë ata? Mund të jenë shume faktorë dhe shumë shkaktarë të kësaj gjeje. Unë mendoj që palët duhet ta mendojë mirë, e para duhet ta mendojë politika e të dy palëve. Ky është një alarm social, unë do të thoja që është edhe një turp kombëtar që duhet ta vlerësojmë sinqerisht dhe duhet të marrim masa,” tha Tushe.
 
Më tej sociologu, Gëzim Tushe thotë se përgjegjëse për këtë eksod që po ndodh si në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk janë vetëm qeveritë tona, por edhe vetë Bashkimi Evropian, pasi vetë BE po mban një qëndrim të lëkundur mbi mbështetjen dhe integrimin vendeve të Ballkanit Perëndimor.
 
“Kjo përgjegjësi (eksodi) nuk është vetëm e jona. Unë gjithmonë mbetem edhe me përgjegjësinë që duhet të ketë Bashkimi Evropian për këtë rajonin tonë të Ballkanit, të cilin herë e shikojnë siç duhet, herë e shikojnë si të dorës së dytë, herë e mbështesim me sinqeritet dhe herë thonë lëre të zhvillohet vetë. Ne jemi pjesë e kontinentit evropian dhe nuk mund të jetojmë dot gjatë të jemi qytetarë të dorës së dytë të këtij kontinenti, ku jemi krejt të varfër, që të kemi gjithë këto probleme papunësie, që të kemi gjithë këto problemet e tjera, duke jetuar në periferi, me fqinjët; dhe me miqtë e me të tjerë qytetarë evropianë të cilët kanë siguruar standardet. Pra problemi është i dyanshëm; sepse herë pas here thuhet se janë përgjegjësitë e qeverive. Jo. Edhe ato kanë përgjegjësi në ndërtimin e strategjive të ekonomisë së vendit tonë, por edhe ata (BE) duhet të ndihmojnë më shumë në realizmin e këtyre rezultateve strategjike. Edhe bashkë me mbështetjen dhe suportimin serioz të BE-së për të dalë nga ky ngërç që kemi, nga këto probleme ekonomike,” argumentoi më tej sociologu i mirënjohur Gëzim Tushe.
 
Sipas statistikave të institucioneve zyrtare gjatë vitit 2014, rreth 46 mijë persona u larguan nga Shqipëria. Ndërkohë që vetëm në 3 muajt e fundit të 2015-ës, janë larguar 2200 shtetas shqiptarë drejt Gjermanisë, me kërkesën për azil ekonomik. /rtk/
Artikulli paraprakDezertorët e spiunët, invalidë e veteranë të luftës
Artikulli vijuesLidhja Arabe diskuton për krijimin e një force të përbashkët ushtarake