1 maji, kujtim i tmerrshëm për familjarët e rastit ‘Monstra’!

Familjarët e të akuzuarve për rastin ‘Monstra’ një majin e kujtojnë si një ndër ditët më të këqija të jetës së tyre, pasi që trauma e aksionit policor të zhvilluar para tre viteve ende nuk ka kaluar.
 
Familjari i Haki dhe Fejzi Azirit, Bedri Ajdari thotë për Portalb se një majin nuk do ta harrojnë kurrë dhe se sa herë që vjen kjo datë, tmerrohem dhe kujtojmë atë që përjetuam.
 
“Asnjëherë nuk do ta harrojmë tmerrin që përjetuam sot tre vite dhe familjarët tanë të burgosur ende po e përjetojnë atë. Ishte një ditë e tmerrshme për familjet e të dyshuarve, pasi që bastisjet u bënë pa paralajëmrim, ishin të maskuar, thjesht përjetuam tmerr. As nuk e dinim se çfarë po ndodh. Gratë, fëmijët qanin, frikësoheshin.  Mos e provoftë askush atë që provuam ne”, tha Ajdari.
 
Ai shtoi se nuk do e presin opozitën që të zbardh ndonjë informacion për rastin ‘Monstra’ por se javën që vjen do të organizohen protesta kundër të gjitha rasteve të montuara në Maqedoni.
 
“Opozita maqedonase paralajmëroi se do të zbardh informacione edhe për rastin tonë, mirëpo ne nuk do të presim, sepse rasti i Sopotit më dolën në pah, ne do i mbështesim sopotasit, mirëpo kjo protestë do të jetë kundër të gjitha rasteve të montuara të cilat fatkeqësisht janë shumë”, shtoi Ajdari.
 
Ajdari thotë se si familjar ka vuajtur shumë nga padrejtësia që po sundon në gjykata, andaj vlerëson se është koha për të protestuar.
 
“Si familjar nuk gjej fjalë të përshkruaj atë që ne jemi duke e përjetuar tani më tre vite. Andaj mendoj se është koha të protestojmë dhe njëherë e përgjithmonë të mbisundojë drejtësia dhe të mos qelben burgjeve familjarët tanë dhe shumë tjerë që janë akuzuar pa pikë faji”, tha Ajdari.
 
Si t’i besojmë gjykata kur çdo ditë po dëgjojmë se si ato punojnë nën urdhrat e pushtetarëve dhe jo në favor të drejtësisë, theksoi Ajdari.
 
Sa i përket ankesës së palës mbrojtëse drejtuar Gjykatës së Apelit, avokati mbrojtës, Naser Raufi thotë se ende nuk ka përgjigje dhe se të gjithë janë në pritje.
 
“Procedura e ankesës po vonon shumë, prisnim që në muajin shkurt të kemi përgjigje, por ja që ende nuk kemi asgjë”, tha për Portalb, Raufi. 
Artikulli paraprakEksodi! Në Fier “mungojnë” 400 nxënës, në Kukës do mbyllen disa shkolla
Artikulli vijuesAksion policor në Gostivar, policia arrestoi disa persona