Azem Vllasi: Ngjarjet në Kumanovë janë të drejtuara kundër shqiptarëve dhe opozitës maqedonase

 Ngjarjet e fundit në Kumanovë, në Maqedoni, janë tregues se është duke u zbatuar një skenar i errët i strukturave sekrete të huaja, me përkrahjen e autoriteteve shtetërore  maqedonase, kundër shqiptarëve dhe opozitës maqedonase, ka vlerësuar Azem Vllasi, njohës i mirë i rrethanave në rajon.
 
Duke komentuar përleshjet e armatosura ndërmjet një grupi të shqiptarëve dhe policisë maqedonase, Vllasi përmes telefonit ka thënë për Anadolu Agency (AA) se, më vonë do të mësohet se kush ka qenë i përzier dhe cili ka qenë roli i tyre në tërë këtë situatë por, karakterin e këtyre ngjarjeve duhet ta vlerësojmë në bazë të asaj se kujt i sjell përfitime e kujt dëme.
 
“Më së shumti dëme i bënë shqiptarëve të Kumanovës të cilët jetojnë në pikën më të largët në verilindje të Maqedonisë, i bënë dëm të gjithë shqiptarëve në Maqedoni por edhe në shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Shqiptarëve në këtë moment nuk ju duhen kurrfarë përleshjesh të armatosura, qoftë afër kufijve apo në territoret e shteteve fqinje. Dëm i bëjnë edhe opozitës në Maqedoni, sepse kohëve të fundit ajo ka zbardhur shumë ‘rrobe të palara’ të qeverisë aktuale. Dobi i sjell vetëm autoriteteve maqedonase dhe Gruevskit, i cili duhet të hedh në hije atë çfarë opozita po zbulon për te” thotë Vllasi.
 
Azem Vllasi thekson se, tërë kësaj situate po i “vije era” se në këtë ngjarje janë të përziera qarqet e shërbimeve sekrete të Rusisë, Serbisë dhe forcave pro-ruse dhe pro-serbe në Maqedoni.
 
“Pasi që në këto hapësira, ku amerikanët dhe Evropa Perëndimore është e akomoduar dhe ka përkrahjen e shqiptarëve dhe pjesës më të madhe të popullatës maqedonase, Rusia përmes Serbisë dëshiron të krijoj një pikë destabilizuese, të krijojë një problem si kundërpërgjigje për angazhimin e Perëndimit në anën e Ukrainës, ku Rusia po bënë gjithçka” shpjegon qëndrimin e tij Vllasi.
 
“Ata shqiptarë të cilët e kanë iniciuar këtë përleshje të armatosur po punojnë për interesin e dikujt dhe mbetet të shihet se, në interes të kujt, mirëpo ata më së paku janë duke punuar në interes të shqiptarëve duke shkaktuar këso provokimesh” shton ai.
 
Duke i njohur mirë rrethanat në ish- Jugosllavi, pastaj ngjarjet dhe luftërat e Ballkanit gjatë viteve 90-të, si dhe zhvillimet që nga viti 1999 e këndej, Azem Vllasi është i mendimit se duhet pritur që Qeveria e Gruevskit do ta vazhdoj represionin ndaj shqiptarëve me pretekst për gjoja “kërkimin e terroristëve” dhe është shumë reale të pritet represioni i autoriteteve serbe ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, gjithashtu me pretekst të “kërkimit të terroristëve”. 
 
Sipas mendimit të tij, partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i Ali Ahmetit, që është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë, më shumë është duke u kujdesur për interesat e veta dhe mbetjes në pozitë qeverisëse, se sa që është e lidhur me popullatën shqiptare në të gjitha pjesët e Maqedonisë.
 
“Unë nuk e kam përshtypjen se po mundohet shumë që të vendos kontrollin mbi sjelljen e shqiptarëve atje dhe realizimin e të drejtave të shqiptarëve atje, të cilat tashmë mund të realizohen me rrugë institucionale dhe politike, sepse ky nuk është viti 2001 kur kishin shpërthyer përleshjet e armatosura për shkak të pozitës së vështirë të shqiptarëve.”
 
Analisti politik, Azem Vllasi, vlerëson se reagimet e para të Qeverisë së Kosovës janë korrekte, sepse thërrasin në paqe, qetësi dhe vetëpërmbajtje, si dhe gjykojnë çdo lloj të dhunës. Megjithatë, ai është i mendimit se qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, do të duhej të ishin më konkrete në kualifikimin e ngjarjeve në Kumanovë, duke e thënë hapur se kjo është në dëm të interesave të vet shqiptarëve në Maqedoni dhe në përgjithësi në rajon, sepse paqja në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë dhe në tërë rajonin, më së shumti i konvenon dhe iu duhet, pikërisht shqiptarëve.kohaislame
Artikulli paraprak25 Pyetjet që Apple do t’ju pyeste në një intervistë pune
Artikulli vijuesÇka duhet ditur nëse konkurroni në Apple?