A mund ta pësojë dhe Kosova si Kumanova?!

Nga Donat Maloku
 
Shqiptarët e “Lagjes së Trimave” në Kumanovë të Maqedonisë datën 9 maj të vitit 2015 do ta kenë në kujtesë një kohë të gjatë. Dhjetra familje shqiptare nga Kumanova janë shpërngulur në Preshevë e në Shkup, pasi forca të mëdha policore maqedone rrethuan shtëpitë e tyre, duke pretenduar se luftuan me një të ashtëquajtur UÇK. Në këtë konflikt humbën jetën 22 persona.
 
Për të diskutuar për konfliktin në Kumanovë, edhe institucionet e sigurisë në Kosovë mbajtën një takim për zhvillimet e fundit në Republikën e Maqedonisë.
 
Presidentja e Atifete Jahjaga zhvilloi një takim me kryeministrin Isa Mustafa dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni. Në njoftimin nga zyra e Presidencës thuhet se takimi nuk ka të bëjë me këshillin e sigurisë kombëtare por është vazhdimësi e komunikimit ndërmjet institucioneve relevante te vendit pas situatës së krijuar në Maqedoni.
 
Institucionet e Kosovës duhet të jenë syçelë
 
Por, sa mund të ndikojë ky konflikt në gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, kur dihet se shpeshherë situata eskalon në veri të Kosovës. Edhe në fshatin kufitar, në Karaçevë të Kamenicës banorët ndihen të pasigurt pasi xhandarmëria serbe, hynë tek vendi i quajtur “Uji i çeshmes”, që ndodhet disa metra në territor të Kosovës.
 
Ekspertët e sigurisë thonë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë syçelë dhe në shkallën e lartë të vigjilencës, pasi Serbisë i konvenon tensionimi i situatës në Kosovë. Ata thonë se situata në çdo moment mund të tensionohet edhe në Kosovë.
 
 
Eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava ka thënë për portalin “Te Sheshi”, thotë se ashtu si në Maqedoni, edhe në Kosovë çështja e sigurisë mund të destabilizohet sepse në të dy anët e kufirit jeton i njëjti komb si vëllezër.
 
”Shteti ynë duhet të jetë i vëmendshëm në reagimet ndaj këtyre ngjarjeve, duke pasur parasysh situatën tonë të sigurisë që e garanton Amerika, Bashkimi Evropian me NATO- n. Kosova duhet të jetë gjithnjë angazhuar me aktivitetet diplomatike në ngjarjet që janë duke u zhvilluar në Maqedoni dhe të jete sa më aktive në qetësimin e situatave të sigurisë, por gjithnjë vigjilente që të jetë e gatshme për reagim, e nëse vjen deri te përkeqësimi i situates, t`i ndihmojë asaj popullate shqiptare në të gjitha aspektet”, ka deklaruar Tërnava.
 
 
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Riza Smaka, duke folur për konfliktin në Kumanovë të Maqedonisë mendon se ai ka qenë i planifikuar nga dy qeveritë, ajo e Maqedonisë dhe Serbisë, duke mos përjashtuar edhe ndonjë grup që bashkëpunon me dy këto qeveri.
 
Smaka thotë  se gjendja e sigurisë  në  Kosovë  është me shumë të  paqarta dhe se institucionet e Kosovës duhet të jenë  të  vëmendshme. “Serbisë i përshtatet për ta tensionuar situatën, për ta quajtur Kosovën si vend të trazirave dhe të pasigurisë”, ka deklaruar Smaka për portalin “Te Sheshi”.
Artikulli paraprakMedreseja e Kavajës, medalje në I-SWEEEP (SHBA)
Artikulli vijuesDosja e sulmeve ndaj Gazës dhe e ndërtimit të kolonive sioniste do të dërgohet në GJND