Paraditen e së mërkurës u mbajt në ambientet e Hotel Tirana International konferenca e përvitshme mbi sigurinë me temë “Religious radicalism and extremism as a security threat: the case of Albania and the Western Balkans” (Radikalizmi dhe Ekstremizmi fetar si një kërcënim për sigurinë.. : Rasti i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.)
Pjesëmarrës në këtë konferencë kanë qenë: Dr. Albert Rakipi, Drejtori Ekzekutiv i Institutit Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare (AIIS), Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, Ambasadori Amerikan Donald Lu, Enver Hoxhaj Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Republikës së Kosovës, Aldo Bumçi Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme si dhe Kryetari i Këshillit të Myftinisë Elbasan, Anëtari i Këshillit të teologëve pranë KMSH Arben Ramkaj.
Gjatë konferencës të pranishmit kanë mbajtur fjalimet përkatëse, ku mes tyre fjalën e mbajti edhe Kryetari i Këshillit të Myftinisë dhe Anëtari i Këshillit të Teologëve, Arben Ramkaj. Në fjalën e tij Z. Ramkaj referoi modelin e Myftinisë së Elbasanit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm fetar.
I nderuar Dr. Albert Rakipi, të nderuar pjesëmarrës.
Më lejoni t’ju informoj që ekstremizmi i dhunshëm me karakter të theksuar mysliman është problem aktual global. Dhe fatkeqësia më e madhe për ekstremizmin fetar ndodh në ato momente kur mendimet kthehen në akte kriminale në emër të fesë. Për këtë arsye në qytetin e Elbasanit, por edhe më gjerë kemi marrë disa masa paraprake për të parandaluar këtë fenomen, me të cilin sot po sfidohet bashkësia myslimane shqiptare, por jo vetwm. Fillimisht fenomeni i ekstremizmit luftohet nga vet argumentet burimorë të fesë islame.
Më konkretisht pikat e vendosura nga ne për parandalimin e ekstremizmave, konsistojnë në:
Rikthimin e autoritetit fetar tek myslimanët (sidomos tek besimtarët devijantë).
Ne në Elbasan kemi ngritur një Këshill Lokal Teologjik të imamëve, i cili është referenca më e madhe teologjike në qytetin e Elbasanit. Nëpërmjet këtij këshilli unifikojmë ligjëratat, kontrollojmë metodën e mësimdhënies, e cila është shumë e rëndësishme në formimin e besimtarëve të rinj, sidomos djemve dhe vajzave të reja.
Në rast të evidentimit të besimtarëve, të cilët kanë prirje për t’u infektuar nga virusi i ekstremizmit të dhunshëm , që mund të cënojë sigurinë, ne mundohemi të gjejmë çdo lloj mënyre, për t’i rikthyer me rrugën e drejtë teologjike, pëkundrejt asaj që ata kanë marrë nga imamë të huaj nëpërmjet youtube, të cilët indoktrinojnë këta të rinj në dogëm të gabuar.
Profeti Muhamed (Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të) ka thënë: Kini kujdes nga ekstremizmi në fe, sepse popujt që janë shkatërruar para jush, janë shkatërruar për shkak të teprimit të skajshëm të interpretimit të teksteve fetare.
Meqë Bashkësia Myslimane e Shqipërisë, është një bashkësi me kapacitete dhe burime të kufizuara dhe ka një shkëputje nga e kaluara dhe tradita jonë, mundohemi që me teologët e arsimuar rishtaz, qofshin ata të arsimuar në Turqi, në Gjirin Persik apo në Afrikën e Veriut, të krijojmë një lidhje të Mendimit Teologjik të teologëve të parë dhe brezit të sotshëm, nëpërmjet programeve dhe trajnimeve të ndyshme. Gjithmonë kjo në funksionim të ruajtjes së kulturës dhe specifikave të veçanta të popullit tonë shqiptar.
Unifikimi i teologëve të rinj është i vështirë, ngaqë vijnë nga kultura të lëvizjeve islame me karakter global, të cilat jo domosdoshmërisht përshtaten me interesat, traditën, me referencat fetare dhe gjithashtu me hallet dhe problemet që ka bashkësia myslimane e Shqipërisë. Për këtë arsye në Elbasan nxisim teologët tanë që ata të jenë referencë për besimtarët e tyre, nëpërmjet punës kolegjiale.
Në momentin që hasim diskutime të ndryshme që herë herë janë të natyrshme, për shkak të shkollave që përfaqësojnë dhe kulturave që kanë marrë në vendet që janë arsimuar, atëherë zgjidhja jonë është që të bëhemi partnerë me frymën që përcjell Këshilli i Lartë Teologjik i KMSH-së, i cili nuk është funksional ashtu siç duhet, apo me organizmat institucionale të mendimit fetar në botën islame, ku në kushtin tonë, partneriteti krijohet në ato liga që janë zyrtare në vendet përkatëse dhe na përafrohen në qasjen tonë kulturore.
Kështu institucioni i EZ’HERI-t, Liga e Dijetarëve Myslimanë, Akademia e Jurispudencës Islame, apo Mendimi Fetar Zyrtar i Turqisë, janë institucionet që ne i referohemi. Kjo deri në momentin që të formësojmë një Mendim Teologjik tonin të pavarur, në bazë të kapaciteteve dhe mundësive që ne kemi .
Për të qenë sa më konkret, në këto 10 vite që ne bashkëpunojmë si imamë, nuk na ka rastisur të kërkojmë mendim nga jashtë, por kemi qenë të aftë që çdo problem në boshllëkun fetar, ta zgjidhim vetë.
Të nderuar pjesëmarrës, roli i imamëve tanë nuk ka qenë vetëm në qasjen klerikale, por duke synuar të jemi model dhe shembull i mirë për popujt e qytetëruar, jemi munduar të krijojmë partneritete konkrete me tërë bashkësitë e qytetit, por dhe institucionet vendore, shoqërinë civile, në funksion të së mirës së përbashkët, transparencës së bashkësisë dhe konsolidimit e bashkëjetesës fetare, të cilën na e trashëguan të parët tanë.
Të jemi të sinqertë kemi hasur shumë probleme me besimtarët tanë të rinj. Kam dëshirë t’ju tregoj një rast në 2006-ën, kur për herë të parë u iniciua koordinimi i Këshillit Ndërfetar në Shqipëri midis katër komuniteteve fetare. Nismë kjo që për herë të parë ka qenë në qarkun e Elbasanit në rang Kombëtar.
Në atë kohë filluam me trajnime të përbashkëta dhe në mënyrë të habitshme, nga elementë paragjykues, në xhamitë tona në të gjithë qarkun u shpërndanë fletushka, ku imamët akuzoheshim për herezi fetare dhe dalje nga islami. Këto fletushka u ndanë pas namazit të xhumasë. Për herë të parë, ne si klerikë e pamë veten si minorancë në lidhje me bashkësinë. Sidomos me praktikantët e rinj, të cilët edukimin e tyre të parë e kishin marrë nga misionarë të ardhur nga vendet e Afrikës Veriore dhe Turqisë, ku përveç mësimeve fetare, pa e kuptuar imponuan edhe kulturën e tyre. Kështu që qëndrimi ynë si klerikë për ta ishte i pakuptimtë, i ndaluar dhe i dëmshëm, megjithatë ne nuk u ndalëm, nxisnim gjithmonë rritjen e autoritetit të klerit vendas, respektimin e tij, nxitjen ekonomike, që ta ushtronin sa më mirë detyrën, trajnime të herëpashershme, pjesëmarrjen e tyre nëpër aktivitete sociale dhe kulturore. Dhe pas 8 vjetësh punë intensive, ne arritëm të merrnim frytet e para të ndryshimit rrënjësor të mentaliteve të besimtarëve dhe të brezave që vinin më pas. Ndryshimi konsistoi brenda 2 projekteve konkrete përtej bashkëjetësës mes klerit nëpër konferenca, festave dhe kortezive fetare.
E para, marshimi i tërë klerikëve të qarkut të Elbasanit për rastin e Charlie Hebdo. Duke mos qenë dakord ne si përfaqësues të fesë myslimane me ato vizatime të shëmtuara, por për të hequr kartën e përfaqësimit të islamit nga ekstremizmi i dhunshëm, karta më e fortë e Isisit, grup ky i cili luan me ndjenjat fetare të myslimanëve të thjeshtë, ne ndërmorëm këtë marshim të përbashkët dhe gjetëm mirëkuptimin e shumicës së praktikantëve të qytetit e më gjerë.
E dyta, si projekt konkret ka qenë dhe dek
larata e përbashkët e krerëve të komuniteteve fetare për ruajtjen e kishës Shën Piu nga shpronësimi, si cënim i tërë objekteve të kultit në qark.
larata e përbashkët e krerëve të komuniteteve fetare për ruajtjen e kishës Shën Piu nga shpronësimi, si cënim i tërë objekteve të kultit në qark.
Këto hapa të ndërmarra nuk mund të mirëkuptoheshin sikur të kishim një kler të dobët, një myftini e cila nuk gëzon autoritetin real tek besimtarët dhe nuk do të kishte rezultat nëqoftëse nuk do të kishim filluar me ballafaqime të drejtperdrejta me besimtarët, ashtu siç na ndodhi në 2006-ën.
Me këtë që po ju them nuk po mundohem t’ju tregoj se Elbasani apo qyteti ku ne punojmë dhe qarku ku ne jetojmë, nuk është prekur nga virusi i ekstremizmit të dhunshëm. Ai është prekur si shumë qytete të tjera të Shqipërisë dhe më gjerë, siç e thashë më sipër, virusi është global. Por përplasjet tona me këta djem apo vajza të infektuara kanë qenë të vazhdueshme dhe sistematike, kjo për të mirën e tyre dhe të bashkësisë ku ne jetojmë.
Për këtë arsye, për ata që kanë ikur apo kanë patur dëshirë të ikin në konfliktin e Sirisë, kemi qenë të qartë që në fillimet e konfliktit të vitit 2013. Mendimi i teologëve tanë ka qenë se konflikti në Siri është një luftë civile midis sirianëve, siç kemi qenë të qartë se çdo konflikt jashtë autoritetit shqiptar është një konflikt i cili pjesëmarrja në të është e ndaluar fetarisht, për shkak të shkeljeve të parimeve dhe udhëzimeve fetare, siç janë detyra e të qenit qytetar në vendit tënd apo kontrata e përbashkët sociale e vendit ku bashkëjetojmë.
Për këtë arsye ndoshta jemi i vetmi rast brenda Bashkësisë Myslimane Shqiptare në Ballkan, që kemi lansuar një faqe interneti të veçante për informimin e besimtarëve të rinj shqiptarë për problemet e Lindjes së Mesme nëpërmjet analizave të njëpasnjëshme të analistëve europianë apo dijetarëve islamë, ku pothuajse çdo ditë ka një artikull ku shkruhet dhe qartësohet devijimi i metodologjisë së Isis.
Ky projekt menaxhohet vullnetarisht nga djem dhe vajza që janë nëpër universitete, besimtarë dhe laikë.
Dedikimin e disa ligjeratave dhe predikimeve të njëpasnjëshme të imamëve tanë në mënyrë sistematike kundër ideoligjisë teksfiriste (Në ligjin islam, tekfirit ose Tekfirit (arabisht: تكفير tekfirit) i referohet praktikës së nxjerrjes nga feja, një musliman duke e deklaruar një jo-musliman apo një femohues, një jobesimtar ose kafir) dhe ideologjive të ekstremizmit të dhunshëm.
Ka pasur raste ku janë informuar baballarët për prirjen e fëmijëve, gjithashtu ka pasur dhe raste të tjera ku besimtarët janë konfrontuar me besimtarë devijantë, për shkak se kanë ushtruar aktivitetin e tyre jo në objektet e kultit por në objekte të tjera si lokale apo ambiente të marra me qera. Janë informuar dhe pronarët e këtyre objekteve për pasojat e rënda që mund të sillnin këta individë devijantë. Ka pasur raste ku nëpërmjet diskutimit të brendshëm, shumë të rinj janë kthyer.
Vlen për tu theksuar puna e palodhur dhe sisstematike e Imamëve tanë. Ata janë heronj për ne, sepse parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm duhet të vijë nga vetë bashkësia e shëndoshë e myslimanëve. Shumë pak është vlerësuar përpjekja dhe puna sistematike, kjo për shkak të njohjes së pakët të dukurisë dhe fenomenit megjithëse është fakt shqetësues dhe njollë për vet myslimanët në trevat shqiptare. Kështu këto modele të imamëve duhen inkurajuar dhe mbështetur nga Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe duhet të jenë ata pararoja e zgjidhjes së problemit apo parandalimit të tij nëpërmjet projekteve dhe strategjive afatmesme dhe afatgjata.
Bashkësia jonë ka gjetur edhe mbështetjen e partnerëve lokalë, ku në qytetin tonë tashmë nuk përbën lajm punësimi i një vajze me shami apo shkollimi i saj, element shumë i rëndësishëm në integrimin e bashkësisë dhe në luftën kundër islamofobisë. Elemente këto që nëse ndodhin e izolojnë bashkësinë dhe bëhen shtytje për radikalizmin e skajshëm të besimtarëve të rinj dhe të reja. Partneriteti me institucionet lokale i ka dhënë siguri praktikantëve që ata s’janë të ndryshëm nga të tjerët dhe se sëbashku me këta partnerë mund t’i shërbejmë njeriut dhe të adhurojmë Zotin e Madhërishëm.
Hapja dhe integrimi brenda vetes dhe komunitetit është çelësi më i mirë që mund ta luftojë ekstremizmin dhe të parandalojë infektimin e të rejave dhe të rinjve tanë.
Të nderuar pjesëmarrës, ekstremizmi i dhunshëm si një fenomen i ri për Shqipërinë ka nevojë për projekte konkrete për parandalimin e tij dhe s’mund të rri pa falënderuar institutet të cilat kanë qasje pozitive me studime racionale për të vënë dritë mbi këtë fenomen dhe veçanërisht Komitetin Shtetëror të Kulteve, si dhe miqtë e përhershëm, dashamirës të Shqipërisë, të cilët asistojnë dhe nxisin diskutimin brenda bashkësisë.
Kryetari i Këshillit të Myftinisë Elbasan, Anëtari i Këshillit të teologëve pranë KMSH
Arben Ramkaj