Allahun e falënderojmë, paqja dhe bekimi qofshin mbi Muhamedin dhe familjen e tij.
Këtë këshillë ia drejtoj njeriut që i ka përsosë shumë çështje të fesë, i ka mësuar mirë argumentet e fesë, qëndron afër dijetarëve dhe hoxhallarëve, ka dalluar nga moshatarët e tij dhe vlera e tij është bërë e qartë për të gjithë dhe ka arritur në fillimin e pjekjes së diturisë së tij dhe fillimin e vjeljes së fryteve të diturisë.
Këtij njeriut ia drejtojë këto këshilla dhe porosi me shpresë se do të gjejnë zemër të pastër de veshë të gatshme për të dëgjuar dhe të përfitojë nga kjo që ja themi:
1- Në fillim themi: mashallah, tebarekallah… çka do Allahu bëhet…bekimi i Allahut qoftë mbi ty… për këtë begati që ta ka dhënë Allahu. Andaj falëndero Allahun për këtë begati dhe mos e përbuz dhe lute Allahun që këtë që ke arritur të bëhet ndihmës për të mirë, për të përhapur diturinë dhe për t’ia çelë sytë ymetit.
2- Pajisu me sinqeritet dhe përpiqu të përhapësh këshillën.
3- Para syve vendoje xhenetin si qëllim dhe fitimin e kënaqësisë së Allahut, e asgjë tjetër.
4- Le të jetë qëllimi nga mësimi largimi i injorancës prej vetes dhe pastaj prej ymetit, e le të mos jetë qëllimi yt ngadhënjimi me fanatizëm i një medhhebi, tarikati apo hoxhe, duke e përkrahur gabimin dhe të kotën. Nëse kështu vepron dije se të ka shkuar huq mundi dhe në këtë rast dituria do të bëhet dënim për ty.
5- Asnjëherë mos shiko famën dhe pozitën dhe mos u mashtro me shkëlqimin e famës, sepse shumë dijetarë e adhurues janë shkatërruar prej tyre.
6- Mos i kushto rëndësi lavdit dhe qortimit të njerëzve, por mundohu të realizosh asketizmin në këtë drejtim.
7- Krijo raporte të vërteta, të vendosura dhe me ambicie të larta me Allahun e pastaj prite çdo të mirë, sepse vërtetësia i jep bereqet diturisë dhe e forcon atë.
8- Pajisu me vetitë e dijetarëve siç është dinjiteti, përulja dhe veri’ (një gradë më e lartë se sa asketizmi) sepse këto gjëra të dallojnë prej tjerëve dhe të stolisin me vlera dhe virtyte morale.
9- Mos u mahnit me kujtesën e fuqishme që ke dhe me aftësinë për të mbështetur qëndrimet tuaja me argumente dhe të bëhet kjo shkak që ta ndiesh veten përmbi ata që kanë qene para teje, sepse shumë djem të rinj janë shkatërruar, u ka dështuar dituria, dhe u ka shkuar bereqeti për shkak të këtyre gjërave që i kanë përjetuar në zemrat e tyre. Kujtoju se ata të kanë dhënë begati dhe të mira, për të cilat do tu mbetesh borxh se jeta, andaj kurrë mos ua harro dhe mos u moho të mirat që ti kanë bërë.
10- Vazhdo të përsëritësh diturinë, çështjet e fesë dhe pyetjet drejtuar dijetarëve, sepse dituria është përsëritje dhe ajo nuk mbetet pa përsëritje dhe gjatë përsëritjes mund të dëgjosh ndonjë mësim të ri, të cilën nuk e ke mësuar më herët. Në këtë drejtim më së shumti mund të ndihmon një mik me ambicie të lartë me të cilin i përsëritë çështjet dhe të kundërshton në to.
11- Mundohu të veprosh me diturinë tënde dhe mundohu që të përputhësh fjalët me veprat tuaja me aq sa ke mundësi. E nëse vëren ndonjë mangësi në këtë drejtim, nxito në pendim dhe kthim dhe mos lejo të bësh gjynahe publike dhe vazhdimisht qaji gabimet tuaja, vazhdo me detyrat obligative dhe nafilet, ndjeke sheriatin edhe në aspekt të brendshëm edhe në aspekt të jashtëm.
12- Ecë rrugës së dijetarëve në çështjet e fesë dhe fetvave e mos hulumto qëndrime të rralla dhe të çuditshme për tu bërë i njohur në mesin e njerëzve dhe për të hapur debate rreth teje, sepse ai që sprovohet me një ves të tillë e humb dinjitetin, i prishet feja, e braktisin njerëzit dhe nuk mbështetet askush në mendimin e tij.
13- Mos merr përsipër të flasësh për çështje madhore, lërja ato dijetarëve të mëdhenj, sepse kështu e mbron veten dhe fenë tënde. Mos nxito të futesh në fitne (trazira dhe sprova), largoji me aq sa mundesh prej teje deri sa të forcohesh dhe piqesh në dituri e të bëhesh Imam në dituri dhe njerëzit të veprojnë sipas mendimit tënd ose të sprovon Allahu e të pyet dikush ty, atëherë kërko ndihmë te Allahu, gjurmoje qëndrimin e saktë dhe fol sipas konkludimit tënde dhe mos u frikëso.
14- Dije se urtësia dhe mendimi i saktë nuk qëndron në detalizimin e çështjeve e as në fjalimet e shumta, siç ndodh sot, por në nijetin e vërtetë, kërkimin e të vërtetës, suksesin që ta jep Zoti dhe analiza në argumentet fetare dhe mendimin e imamëve, edhe nëse janë pak fjalë, andaj mos u mashtro me shumë fjalë, por kujdesu për ajkën dhe kuptimin e shëndoshë dhe lute Allahun që të drejtojë dhe orientojë.
15- Iku polemikave sterile në debatet shkencore dhe mos u fut në botën e replikave sepse kjo të largon prej diturisë dhe ta shkapërderdhë zemrën. Dije se çdo herë që dikujt i hapet dera e polemikave i është hapur një derë e të keqes dhe i ka ikur një sasi e madhe e të mirave.
16- Ruaje gjuhën nga prekja e nderit të myslimanëve e mos u merr me akuza ndaj dijetarëve, sepse ai që nënçmon të mëdhenjtë poshtërohet vet dhe i ik feja.
17- Në çdo hap tëndin konsultohu me atë që ka urtësi dhe përvojë.
18- Në çdo vendim madhor që ka të bëjë me diturinë apo thirrjen ngadalësoju, prit, mos nxito dhe mos insisto në mendimin tënd, sepse ai që insiston vetëm në mendimin e vet dhe nuk konsultohet me njerëz me vlerë bie në fatkeqësi dhe gjëra të çuditshme.
19- Bëhu gati të përjetosh dëmtime dhe ofendime nga armiqtë dhe injorantët, e nëse të ndodh një gjë e tillë duro dhe mos u anko për këtë gjendje tek njerëzit, e as të bëhet shkak kjo që të bëhesh përtac dhe dembel e ta braktisësh diturinë dhe thirrjen, sepse ai që e flijon veten për njerëzit dhe lufton për hir të Allahut me diturinë dhe lapsin e tij, patjetër do të sprovohet dhe pastrohet.
20 – Dije se Allahu të ka zgjedhur, të ka dalluar dhe të ka bërë trashëgimtar i Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dije se ke marrë përsipër një amanet, të cilin shumë burra s’kanë mundur ta marrin, andaj ruaje atë dhe mos e humb, stolisu me moralin e dijetarëve, përhape diturinë dhe mos u bë koprrac, mos kërko që me diturinë që ke të fitosh të mirat e dynjasë dhe mos e humb veten duke u larguar nga dituria dhe duke u dhënë pas rehatisë dhe kënaqësive të dynjasë.
21- Kapu për Synetin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, kujdesu për ndjekjen e rrugës së Selefit në të gjitha çështjet dhe gjërat, të mëdha dhe të vogla, kujdesu për metodën të cilën na e mëson Kurani dhe Syneti, fol me ligjërimin e Shpalljes dhe mos u fut në mendime dhe ide të kota, mos u mahnit me qëndrimet e modernistëve dhe mos u sprovo me gjuhën e filozofëve, sepse ai që futet në këtë hapësirë, i përzihet dituria me dyshime, largohet nga ligjërimi fetar dhe e gabon rrugën.
Or studentë i fesë i dalluar jam shumë i gëzuar me ty dhe ta kam shumë lakmi, andaj mbështetu Allahut, mos u bë dembel dhe mos lejo që të ftohet ambicia, sepse rruga është e gjatë, pengesat janë të shumta, kurse fundi është xheneti.
E lus Allahun që të hap për ty dyert e diturive dhe sekreteve të sheriatit, të ruan nga çdo e keqe, të ruan nga e keqja e çdo armikut dhe ziliqarit, të forcojë në të vërtetë dhe në rrugën
e dijetarëve hyjnor, të bëftë të udhëzuar dhe udhëzues e të bereqetshëm kudo që je, ndihmëtar i synetit dhe shkatërrues i bidatit dhe mbrojtës i fesë Islame dhe myslimanëve. Amin!
e dijetarëve hyjnor, të bëftë të udhëzuar dhe udhëzues e të bereqetshëm kudo që je, ndihmëtar i synetit dhe shkatërrues i bidatit dhe mbrojtës i fesë Islame dhe myslimanëve. Amin!
Halid ibën Suud Blejhid
Përshtati: Bekir Halimi