Shqiptari nga Kosova, me veshje kombëtare në garat e Kuranit në Turqi (Foto)

Më 6 korrik në Xhaminë e Sulltan Ahmetit (Blue Mosque) në Stamboll ka filluar “Gara Botërore për hifdh dhe bukur-lexim të Kur’anit”.
Në mesin e 53 shteteve, në këtë garë, pjesëmarrëse është edhe Kosova, e përfaqësuar nga Flamur Kasami, nga fshati Bresanë-Opojë, komuna e Dragashit.
 
Flamur Kasami përfaqëson Kosovën, si i deleguar nga Bashkësia Islame e Kosovës.
 
Siç mëson Telegrafi, këto 53 shtete do të përfaqësohen nga 98 garues, në dy kategori: Mësimi i Kur’anit përmendësh dhe bukur leximi i Kur’anit.
 
Kandidati nga Kosova, Flamur Kasami është konkurrent në kategorinë e bukur-leximit.
 
“Ka qenë tepër emocionuese, por momenti më emocionues ka qenë kur, pasi bëra leximin e Kuranit, një shqiptar nga Kaçaniku që jetonte në Norvegji dhe ishte me gruan e tij për vizitë në Turqi mu afrua dhe më tha: Kur të kam parë me veshje kombëtare, jam emocionuar shumë, sa që kam qarë – s’mund t’i mbaja lotët”, rrëfen Flamur Kasami.
 
Garat organizohen nga Dijaneti i Turqisë-Kryesia për Çështje Fetare dhe do të zgjasin deri të premten, ku pas përfundimit të garave pritet të ndahen edhe çmimet.
 
Përndryshe, Flamur Kasami është me qëndrim të përkohshëm në Turqi pasi që është duke ndjekur studimet për doktoraturë.
Artikulli paraprakIftari i fundit për 45 militantë të ISIS
Artikulli vijuesVullneti politik duhet konvertuar në investime