Makinat e printuara

Një makinë e prodhuar me printer tre-dimensional mund të jetë në qarkullim më shpejt sesa mendoni. Një kompani me bazë në Feniks të Arizonës ka në plan të shesë makinat e quajturi Strati, vitin e ardhshëm.

Local Motors, me seli në Feniks ka plane për të prodhuar një makinë elektrike që shpreson se do të ofrohet për shitje vitin e ardhshëm duke u prodhuar me porosi dhe që do të realizohet me printerat tre dimensionalë.

Ajo do t’u ofrojë blerësve mundësinë të modifikojnë makinat sipas nevojave personale.

Strati, makina e parë në botë e prodhuar me printerin 3D u paraqit vitin e kaluar nga kompania Local Motors dhe mbetet një prototip.

John B. Rogers, Jr. është themelues i kompanisë:

“Ideja filloi me printimin e një makine, vendosjen e pjesëve dhe nisjen e saj, kështu që për gjashtë shtatë muajt e fundit kemi qenë shumë të ngarkuar dhe tani jemi gati ta hedhim në prodhim.”

Fillimisht, Local Motors kishte shpresuar të kishte një version të makinës deri në fund të këtij viti, por kjo është shtyrë për vitin e ardhshëm.

Stili i makinës ishte rezultat i një konkursi që kompania zhvilloi online përmes një komuniteti inxhinierësh dhe të apasionuarish për automobilë.

Fituesi ishte Kevin Lo, një inxhinier nga Uashingtoni i cili punon për firmën Hewlett-Packard.

Local Motors printoi kornizën e makinës dhe panelet e saj me një material plastik me fibër karboni.

“Materialin plastik e përforcojmë me fibër karboni dhe e shkrijmë duke e bërë gati për të printuar. Materiali i nxehtë ngrin shumë shpejt duke u bërë solid”.

Duhen gati 44 orë për të printuar një makinë Strati. Më pas ajo pajiset me një bateri elektrike, motor dhe balestrat nga kompania franceze Renault.

Kompania shpreson se një ditë do të ketë 12 minifabrika në mbarë vendin që do të prodhojnë makina sipas kërkesave të konsumatorëve.

Një fabrikë do të hapet në qytetin Knoxville, të shtetit Tenesi, më pas këtë vit.

Një makinë e tillë mund të arrijë shpejtësinë deri në 40 kilometra në orë dhe kushton mes 18 dhe 30 mijë dollarë.

Ajo peshon 816 kilogramë dhe ka dy vende.

Kompania thotë se makina mund të rrojë për të paktën 5 vjet dhe më pas të riciklohet.

Artikulli paraprakSHBA, Miratohet viagra për femra
Artikulli vijuesBletarët amatorë