Franca tërhiqet, në korrik trupat largohen nga Afganistani

 PARIS- Presidenti francez Francois Hollande deklaroi dje se Franca do të tërheqë trupat nga Afganistani. Vendimi u mor pak orë pasi 4 ushtarët francezë mbetën të vrarë dhe 5 të tjerë u plagosën të shtunën në një atentat vetëvrasës i marrë përsipër nga talebanët në lindje të Afganistanit.

 Tërheqja e trupave nga Afganistani, që është edhe një premtim elektoral i Hollande, pritet të nisë në korrik dhe të përfundojë në fund të 2012, gati 1 vit nga data që kishte deklaruar më parë paraardhësi i tij Sarkozi. Franca, është një nga 5 shtetet që kontribuon me një numër të madh ushtarësh në trupat e ISAF, me 3300 ushtarë dhe vdekja e 4 ushtarëve ditën e djeshme e çon në 87 numrin e ushtarëve francezë të vdekur në Afganistan që në 2001.

 Trupat franceze pritet të lënë Afganistanin 2 vjet para tërheqjes së NATO-s, ndërkohë që dhuna është rritur shumë javët e fundit, teksa talebanët po vënë në shënjestër forcat afgane dhe 130 mijë trupat e huaja në vend. Edhe Shqipëria kontribuon me trupat e saj në misionin paqëruajtës që NATO ka ndërmarrë në Afganistan, ku në shkurt të 2012, humbi jetën kapiteni Feti Vogli.


Artikulli paraprakLG Optimus 4X HD rrugës për në Evropë
Artikulli vijuesShqetësimet e Ballkanit