Mbarë bota ka reaguar me dhimbje dhe zemërim pas publikimit të fotove të trupit të pajetë të një vogëlushi sirian, i mbytur në det teksa tentonte të kalonte drejt Europës.
Galip, 5 vjeç, dhe Aylan Kurdi, 3 vjeç, ishin në një skaf të tejmbushur duke iu arratisur luftës civile në Siri.
Të dy djemtë vdiqën, bashkë me nënën e tyre.
Babai Abdullah mbijetoi.
Por në kulmin e valës së refugjatëve sirianë, BBC ngre një pyetje në shkrimin më të lexuar të ditës: Pse nuk shkojnë ata në vendet e Gjirit, pasi janë edhe më afër, edhe të pasura?
Zyrtarisht sirianët mund të aplikojnë për një vizë turistike dhe për leje pune për të hyrë në këto vende.
Por procesi është i kushtueshëm dhe shumë vende të Gjirit kanë kufizime të pashkruara, që ua vështirësojnë jetën sirianëve.
Mijëra njerëz po kërkojnë në rrjetet sociale që vendet e Gjirit të mirëpresin refugjatët.
“Është detyra juaj”, thuhet në këto komente.
“Betohem tek Zoti, janë arabët ata që nuk besojnë tek Zoti”, zemërohet një komentues.
Edhe pse këto reagime kanë tërhequr vëmendjen e medias në Arabinë Saudite, ata sërish mbeten stoikë në qëndrimin e tyre.
Sa i përket punësimit, trendi në këto vende është për të thithur emigrantë nga Azia Juglindore dhe India.