Ekzekutohet vrasësi i nënkomisarit të FNSH-së pas 12 orësh rrethim

Pas vrasjes së komandantit të grupit të FNSH-së në Shkodër, Simon Gjeta, në Oblikë një fshat pak kilometra nga Shkodra kanë mbërritur të gjitha forcat special të policisë.

Forcat RENEA kanë marrë përsipër rrethimin e parë në afërsi të banesës së agresorit, ndërsa më poshtë u vendosën forcat e policisë së Qarkut Shkodër dhe FNSH-ja.

Për më shumë se 10 orë që nga mbërritja në Shkodër, forcat RENEA kanë shkëmbyer zjarr me agresorin, i cili ka qëlluar më shumë se 200 herë gjatë natës, ndërsa forcat policore pesë herë më shumë se ai.

Ruzhdi Arishta u vra nga policia në orën 07:10 minuta të mëngjesit. Një autoblind goditi pjesën e pasme të banesës së tij, disa forca hapën zjarr pikërisht në dhomën ku ai ishte fshehur, ndërsa efektivë të tjerë hynë nga dera e banesës, duke e future në rrethim Arishtën.

Gjithsesi, ai ka qëlluar në drejtim të policëve që hynë në banesë, por mburoja e çeliktë ka ndalur plumbat e tij. Në shkëmbim zjarri, Arishta ngeli i vrarë, ndërsa ishte i mbuluar me një jorgan. Sipas policisë, jorgani e ka ndihmuar gjatë gjithë kohës t’i rezistonte bombave tymuese dhe paralizuese që janë hedhur pambarimisht drejt banesës së tij. Duke qenë se kryente qitje nga çdo dritare e banesës së tij nuk dallohej qartë se ku ishte i vendosur.

Gjithsesi vrasësi i oficerit Simon Gjeta ka çuditur sesi mundi t’i përballojë për orë me radhë sulmit policor dhe lëndëve paralizuese. Ai ka injoruar të gjitha thirrjet e policisë për dorëzim. Çdo negociatë me të ka dështuar dhe ndaj me të zbardhur dita, duke përdorur sulmin me dritën natyrale dhe duke përfituar nga lodhja e 52-vjeçarit, forcat RENEA kanë arritur të përmbyllin këtë aksion vetëm në 7 e 10 minuta të mëngjesit të së dielës. Banesa e tij është e gjitha e mbuluar nga vrimat e plumbave dhe të predhave. Në vendin e ngjarjes më pas ka mbërritur një grup hetimor për të kryer të dyja ekspertizat, atë të vrasjes së komandantit të FNSH-së.

Operacioni u drejtua nga krerë të policisë, drejtori i përgjithshëm Çako, nëndrejtori, Altin Qato dhe ministri i Brendshëm, Tahiri, të cilët kanë qenë në Shkodër deri në përfundimin e këtij aksioni.

Gjatë këqyrjes se vendit të ngjarjes janë gjetur me qindra gëzhoja. 200 prej të cilave mendohet të jenë të qitura nga arma e agresorit.

Ekspertët këqyrën vendin e ngjarjes edhe për vrasjen e komandant Gjetës, por edhe atë të vrasjes së Arishtës. Për disa orë me radhë hetuesit dhe grupi hetimor i ngritur për këtë qëllim ka qenë në banesë për të mbledhur çdo provë të mundshme, dhe për të ndërtuar edhe njëherë tjetër të gjithë dinamikën e kësaj ngjarjeje, e cila do të vlejë jo vetëm për procedurat e mëtejshme ligjore, por edhe për analizat e vetë policisë, pasi ky operacion është ndër më të vështirët e kohëve të fundit.

Ruzhdi Arishta ishte një person, i cili jetonte vetëm, por nuk ka pasur asnjëherë më parë precedentë penalë. Ai njihej në zonë për egërsinë e tij dhe për një sjellje jo miqësore me fqinjët.

Artikulli paraprakLibi, gjenden të vdekur 95 emigrantë
Artikulli vijuesNapoli turpëron Milanin në “San Siro”, fiton Fiorentina dhe Juve