Ai është një hoxhë që nuk e ka një dorë. E ka lënë në luftë kur ishte në rradhët e UçK-së; e sot, me atë dorë bën që të bashkohen duart e pajtimit. Quhet Fatmir Latifaj.
Njihet në Mitrovcë e gjithkund, sidomos atje ku zemrat e ftohura ngrohen, atje ku inatet shuhen, atje ku armët ulen, atje ku përbetimet kanunore për gjakmarrjen prishen, për t`ia lënë vendin faljes, pajtimit, paqes, vëllazërimit, jetës në vend të vdekjes. Ja pra që Anton Çeta nuk paska vdekur, po e pasojnë të tjerë burra, nga ata që lum Kosova që i ka.
Për tesheshi.com, hoxhë Fatmiri rrëfen arsyet, motivin, udhën, mënyrën për të shkuar deri tek pajtimi…
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Cili ishte motivi për t’u marrë me pajtimin e familjeve në hasmëri?
Motivi për t’i pajtuar njerëzit është motiv fisnik dhe shumë i çmuar si në aspektin fetar, ashtu dhe atë kombëtar dhe ne e kemi obligim që të punojmë për t’i bashkuar njerëzit, sepse Zoti thotë në Ku`ran “Dhe ndihmoni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në devotshmëri, e mos i ndihmoni njëri-tjetrit në mëkate dhe armiqësi.” Prandaj motivet tona janë dy kryesore: E para është për t’i lidhur njerëzit me Zotin, që do të thotë njerëzit ta kuptojnë rëndësinë e Krijuesit, që Ai të adhurohet dhe në një farë forme reflekton pajtim në mes krijesës dhe Krijuesit e ky është objektivi ynë i parë. Objektivi ynë i dytë është që këta njerëz nuk munden të arrijnë dhe të synojnë kënaqësinë e Zotit po që se nuk janë të pajtuar mes veti.
Sa është e vështirë të gjendeni në mes të familjeve që janë në hasmëri?
Sigurisht se zemra të çahet e mendja të turbullohet kur njeriu i sheh familjet të hasmëruara. 99.9 përqind, mos të them 100 përqind të këtyre familjeve nuk kanë faj për atë që u ka ndodhë. Zakonisht dorasi e bart këtë faj, por fatkeqësisht sipas disa zakoneve tona të prapambetura qëndron e ngujuar e tërë familja. Ç’faj kanë anëtarët e familjes së ngujuar, ku fëmijët e tyre nuk e vijojnë mësimin, përjashtohen prej shoqërisë së tyre, familja mbetet e lëçitur për shkak se anëtari i tyre e ka bërë një krim? Me këtë çështje duhet të merren organet e rendit dhe le të merret gjyqësori me personin në fjalë e jo të mbahet peng e gjithë familja. Prandaj jemi duke punuar shumë në këtë drejtim që t’i largojmë njerëzit prej kësaj dukurie të shëmtuar dhe prapanike. Hakmarrja nuk është veti e burrave, por e njerëzve të ligj, ves i atyre të cilëve nuk ua thotë mendja që ta dëgjojnë fjalën e Zotit dhe që ta respektojnë burrërinë e atyre të cilët falin dhe këtë çështje t’ia lënë Zotit.
I nderuari h. Fatmir, është shtuar numri i familjeve në hasmëri si këtu në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri. A mund të na tregoni shkurtimisht për vlerën e pajtimit në mes të njerëzve dhe shuarjen e ngatërresave?
Fatkeqësisht është shtuar numri i hasmërive në vendin tonë në Kosovë, në shtetin amë në Shqipëri dhe gjithandej ku flitet shqipja. E tërë kjo si pasojë e përhapjes së mëkateve të mëdha, humbjes së durimit, varfërisë, etj. Ne jemi të obliguar që t’u dalim në krah këtyre familjeve duke ua bërë me dije se ajo të cilën e bëni për hir të Zotit është shumë më e çmuar, për arsye se Zoti di të paguajë gjakun e njeriut më mirë se çdo pasuri që ekziston në fytyrën e tokës. Zoti thotë në Kuran: “Nxitoni në faljen e Zotit tënd, i cili ka krijuar parajsat, gjerësia e të cilave është sa toka e qiejt, për të devotshmit.” Ata të cilët do t’i gëzohen këtij shpërblimi në botën tjetër janë ata të cilët falin, të cilët e bëjnë për ta liruar të vdekurin nga përgjegjësia i cili ka nevojë për falje të Zotit e në këtë formë të gjallët në tokë mund t’ia bëjnë këtë shërbim të vdekurit të tyre për hir të Zotit. Unë jam i bindur se kjo kategori zë vendin kryesor tek ata të cilët falin.
Në pajtimin e familjeve kontributi i hoxhallarëve nuk mungon, e në veçanti ju jeni më aktiv në këtë mision fisnik. Deri tani keni pajtuar shumë gjaqe e ngatërresa, por cilin prej tyre do ta ndanit për lexuesit e tesheshi.com?
Po është e vërtetë se ka shumë raste si nga hoxhallarët para meje, por edhe nga këta me të cilët jemi bashkë në këtë mision. Ne e kemi obligim që të punojmë në këtë drejtim, sepse nuk na i pranon Zoti adhurimet tona nëse ne nuk jemi të pajtuar në mes veti. Ndoshta ky është një ndër motivet kryesore që na shtyn në këtë rrugëtim të vështirë, pasi që jo çdo herë kemi sukses. Aq sa kanë familjet dashamirë, aq kanë edhe dashakëqij. Janë këta persona që mundohen t’i prishin planet e njerëzve të vullnetit të mirë siç jemi ne në këtë rast.
Raste të pajtimeve ka shumë, por do të doja ta veçoja njërin, i cili ka bërë bujë të madhe, kur familja e Arsim Sylës e fali gjakun e birit të tyre fill pas tetë ditësh të kryerjes së aktit të krimit. Arsyeja e veçimit të këtij rasti është koha aq e shkurtër e pajtimit. Ka mjaftuar një fjalë që Zoti t’ia mbush mendjen z. Arsim Sylës që ta falë gjakun, e ajo është kur ai na pyet se çfarë do të përfitoj biri ynë nëse ne e falim gjakun për hir të Zotit. Ne iu përgjigjëm se ju falni, por nuk mund të mateni me Bujarinë e Zotit, ngase ajo e ka tejkaluar çdo përmasë të bujarive të njerëzve në tokë. Atyre që kanë mendim të mirë për Zotin ne i themi troç se ai i cili fal robin e Zotit në tokë, Ai do t’ia falë anëtarin e familjes i cili është në jetën e varrezave dhe se ai do të përfitojë prej të falurit dhe prej pajtimit që të gjallët e bëjnë për hir të Zotit. Prandaj ky është një rast që vërtet ka lënë mbresa në kujtesën time dhe është vlerësuar nga populli si një gjë e madhe.
Ç’vlerë ka te Zoti pajtimi i dy familjeve që janë në gjak me njëra-tjetrën? Si e vlerëson Islami këtë vepër?
Islami këtë vepër e konsideron si një prej veprave më fisnike në tërë fytyrën e tokës. Por përse është kështu? Zoti i Gjithëmëshirshëm e zbriti fjalën e Tij në tokë vetëm e vetëm që njerëzit ta lexojnë dhe t’i binden asaj. Zoti thotë: “Kapuni rreth fjalës, rreth litarit të Zotit që të gjithë e mos u përçani, mos gaboni që t’ja ktheni dorën njëri-tjetrit, por jini vëllezër të bashkuar”. Kështu, Zoti ka kërkuar nga njeriu që ta sheh afër vëllait të tij. Pastaj Muhamedi (paqja, mëshira e Zotit qoftë mbi të), kur erdhi në Medinë nuk ndërtoi xhami dhe nuk ndërmori asnjë hap pa i pajtuar muslimanët në mes vete. Së pari pajtoi fisin Hazrexh me atë Eus, që ishin në hasmëri mbi 600-vjeçare. Dhe jo që vetëm i pajtoi, por arriti t’i vëllazërojë dhe t’i sistemojë në një organizim të përbashkët. Se falja e mëshira ishin tipari i tij kryesor e vërejmë edhe në ditën kur çliroi Mekën, kur atyre që e kishin përzënë nga vendlindja e tij u tha: “Ecni, jeni të lirë, ju kam amnistuar sikur vëllai im, i dërguari Jusuf”.
Islami nuk ardhur për t’i terrorizuar njerëzit, por për t’i bashkuar ata. Islami ka ardhur për ta kthyer shenjtërinë në tokë, pasi që gjaku i njeriut edhe i muslimanit është më i shenjtë se gurët e Qabesë edhe pse ajo e ka vlerën e saj të veçantë. Mirëpo, gjaku i një njeriu në tokë është më i shenjtë se shenjtëria e vetë Qabesë.
Çka do të thotë të falësh, ta shtrish dorën e pajtimit?
Burrat falin. Këto janë situata kur vjen në shprehja burrëria dhe maturia e vërtetë e cila nuk ka mundësi të krahasohet me asnjë rrethanë tjetër. Muhamedi a.s. ka thënë: “Ai i cili përmban veten dhe fal, ai është trimi më i madh” për shkak se ai ka fituar mbi egon e tij, ai ka arritur ta kontrollojë epshin e tij, ka arritur të kontrollojë lajmet e dashamirëve, por në të njëjtën kohë edhe ato të dashakëqijve të tij. Vetëm ai i cili dëshiron që i vdekuri i tij të rehatohet në parajsën të cilën ne, i madh dhe i vogël, e kemi obligim ta synojmë, e shtrin dorën e pajtim. I tilli e di që e humbi familjarin në këtë botë, por nuk do që ta humbasë edhe në jetën e amshueshme.
Çfarë e shtyn familjen e të vrarit që ta falë gjakun e familjarit?
Prej motiveve që mund të përmendim është se ai njeri i cili fal, ai e do familjen e tij dhe të ardhmen e anëtarëve të saj. Nuk është e thënë që ai i cili do që të hakmerret ta ketë këtë mundësi, se ndoshta hasmi i tij nuk e ka vdekjen kur ai dëshiron. Të shumtë janë ata që kanë tentuar të vrasin, por janë vrarë vetë. Prandaj ai cili fal ai pikë së pari mendon për të ardhmen e tij, të familjes së tij e kështu me radhë dhe ia lë këtë çështje Zotit. Ai përmes faljes në një farë forme ia siguron të ardhmen e fëmijëve të tij. Atij që ka vendosur ta shtrijë dorën e pajtimit i ka ardhur mundësia që me dorën e tij ta shënojë emrin e paraardhësve e pasardhësve të tij në faqen e bardhë të historisë së njerëzimit e të kombit të tij. Kjo mundësi nuk mund t’i vije kujtdo dhe çdoherë. Historia e njerëzimit i ka dy fletë: të bardhën dhe të zezën. Në faqen e bardhë shkruhen ata që kanë falur robërit e Zotit dhe çështjet e tyre ua kanë dorëzuar Atij. Ai ka mundësi, Ai është i Gjithmundshëm, Ai i zgjidh këto probleme në mënyrën më të mirë, të cilat krerët më të mëdhenj të botës nuk kanë as aftësi e as mundësi që ta kënaqin shpirtin e viktimës dhe ta qetësojnë shpirtin e familjarit të vrarë.
A mbani shënime për të gjitha këto raste të pajtimit?
Po, është e vërtetë që mbaj shënime. Për secilin rast mbaj procesverbal në të cilin shkruaj emrat e familjeve të hasmëruara, personat që ndihmojnë në pajtimin e tyre, shkaqet që kanë shpier te vrasja/plagosja dhe të dhëna të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me pajtimin. Zakonisht unë tentoj dhe angazhohem që familjet t’i pajtoj në xhami në prani të xhematit dhe njerëzve të vullnetit të mirë. Kemi edhe raste të cilët nuk pranojnë të takohen me hasmin, por na autorizojnë që t’ua përcjellim selamin e faljes dhe të pajtimit ose e autorizojnë dikë që mban një pozitë shtetërore për ta bërë këtë. Por insistimet tona janë që gjithçka të shkruhet në procesverbal dhe ato shkruhen që të shërbejnë si mësim për brezat që vijnë, për të dëshmuar se kështu kemi punuar dhe se hoxhallarët nuk kanë qëndruar indiferent ndaj veprimeve të cilat vërtet janë shumë të liga dhe nuk i takojnë një populli që beson në Zotin dhe në takimin me Të në botën tjetër.
A keni frikë se mund të prishet pajtimi?
Në asnjë rrethanë. Qe 1400 vjet nuk shënohet që njerëzit që kanë falur për hir të Zotit si dhe ata të cilët kanë ndërmjetësuar në arritjen e pajtimit të devijojnë apo të lëkunden nga këto qëndrime. Pajtimet bëhen në prani të qindra njerëzve dhe në shtëpi të Zotit. Mbi të gjitha bëhen mbi fytyrën e tokës e cila është krijesë e Zotit dhe është pikërisht Ai që na sheh dhe që i di qëllimet tona. Prandaj këtu shfrytëzoj rastin që t’i ftoj të gjithë ata që merren me këtë punë fisnike që të mos frikësohen dhe të mos bien pre e zërave keqdashës gjoja se dikush mund të mos jetë serioz gjatë aktit të faljes së gjakut apo dyshimeve të tilla si kjo. Me plot përgjegjësi them se ajo që është falur për hir të Zotit asnjëherë nuk ka ndodhur dhe as që do të ndodhë që të kërkohet anulimi i saj. Prandaj, i lus të gjithë kolegët e mi që iu kanë përveshur kësaj detyre madhore që në asnjë rrethanë të mos dekurajohen nga pajtimi i njerëzve, por të shpresojnë në ndihmën e Zotit dhe të synojnë vetëm kënaqësinë dhe suksesin te Tij. Jam i bindur se nëse veprohet kështu gjithçka do të shkojë më lehtë./tesheshi.com/