Shkupi nuk është Jerusalem, Belfast apo Bejrut, por është qytet ku duhet të ketë një bashkëjetesë mes maqedonasve dhe shqiptarëve dhe askush nuk mund të nxitë konflikte ndëretnike dhe ndërfetare.
Kështu ka thënë nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe kryetar i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, i cili sot protestoi para ndërtesës së Komunës së Butelit, duke paralajmëruar protestat masive në ora 17:00 para Qeverisë maqedonase kundër vendosjes së Kryqit gjigant në hyrje të Butelit.
“Nuk do të lejojmë që shteti ynë të përfshihet në urrejtje dhe dhunë fetare. Qëllimi ynë është paqja, bashkëpunimi, solidariteti dhe bashkëjetesa mes grupeve të ndryshme etnike e fetare. Ne nuk duam që Shkupi të shndërrohet në Belfast, Jerusalem apo Bejrut”, u shpreh para masës, Mexhiti.
Mexhiti i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë i ka shpalosur arsyet se pse nuk duhet të vendoset kryqi gjigant në hyrje të Komunës së Butelit ku 50% e nxënësve që mësojnë janë shqiptarë. Po ashtu edhe një pjesë e madhe e popullatës në këtë Komunë janë shqiptarë të cilët i takojnë religjionit islam, andaj vendosja e këtij kryqi është një provokim ndaj besimtarëve myslimanë, ku në Maqedoni dominojnë shqiptarët.
“Jemi mbledhur këtu për të shprehur kundërshtimin tonë si komunitet i dytë më i madh në vend, lidhur me vendimin përjashtues të Komunës së Butelit, vendim i cili ka vetëm një qëllim: përmes instrumentalizimit të fesë për qëllime politike të provokojë dhe të prodhojë tensione dhe përplasje etnike në Maqedoni”, ka deklaruar Mexhiti
Kryetari i Çairit Mexhiti gjatë qëndrimit të sotëm në Butel u shpreh se kryqet duhet të vendosen në Kisha ndërsa minaret në Xhamia, duke shtuar se në Maqedoni ka tolerancë ndërfetare dhe ndëretnike dhe askush nuk ka të drejtë që përmes simboleve fetare të nxitë konflikte të reja mes shqiptarëve dhe maqedonasve.