Jezu Krishti (Isau a.s.) Hyjnor apo Njerëzor?

Jezu Krishti (Isau a.s.) Hyjnor apo Njerëzor?

(Sqarime, analiza, kundërpërgjigje)

Senad Maku

Të shkruash për një të dërguar të Zotit xh.sh. nuk mund të shpjegohet vetëm me një artikull të përgatitur, por duhet me dhjetra artikuj të shkruhen për jetën dhe misionin e tij si i dërguar i Zotit xh.sh. Ndërsa të shkruhet për Isaun a.s. (Jezusin), atëherë do të duhet ndoshta më tepër se çdo Pejgamber tjetër të flitet për të. E them kështu jo që ka ndonjë meritë më të madhe Isau a.s. se i dërguari i fundit Muhamedi s.a.v.s. por integriteti i Isait a.s., personaliteti i tij, misioni i tij është ndryshuar dhe fallsifikuar, shtrembëruar se cilido Pejgamber tjetër. Isaut a.s. (Jezu Krishtit) iu është mveshur shumë shpifje dhe trillime, duke e quajtur atë si Bir i Perëndisë, duke aluduar se ai është zoti i plotfuqishëm, duke shpifur për te se ai erdhë në tokë për të vdekur në kryq, dhe për falje mëkatesh, e shumë shpifje të tjera në adresë të tij.
Ne në këtë artikull do të paraqesim shkurtimisht pikëpamjet Biblike dhe ajeteve Kur’anore në lidhje me të vërtetën e Jezusit (Isaut a.s.), duke demaskuar dhe kundërpërgjigjur ndaj disa shpifjeve të tyre. Njëra ndër çështjet më kontadiktore është çështja e Isait a.s. (Jezusit). A ishte ai krejtësisht hyjnorë apo krejtësisht njeri? Çfar ishte misioni i tij, si e përshkruajnë Bibla dhe Kur’ani këtë person?
Kur’ani nuk na tregon jetën e Isaut në hollësi, ashtu siç na e tregon Bibla, por na tregon dhe na informon gjërat më kryesore të cilat duhet ti dimë, na tregon të vërtetën dhe që të largohemi nga gënjeshtrat e sajuara nga të krishterët ndaj Isaut a.s. Kur’ani na shtjellon historinë e Isaut a.s. në ato pika më kryesoret si: Lindja e tij, mrekullitë, misioni i tij, etj. Gjithashtu do të shtjellojmë edhe pikëpamjet Biblike në lidhje me Jezusin.
Emri i Isait a.s. përmendet në Kur’an 25 herë në 11 sure, kurse si Mesih përmendet 11 herë në 4 sure, e gjithsej bëhen 36 herë në 12 sure. (1)Në shumicën e rasteve emri i tij vjen i ngjitur me emrin e nënës, Isai biri i Merjemes, duke hedhur poshtë aludimin që Isai është bir i Zotit.

Në Kur’an nëse kërkojmë nuk mundemi të gjejmë brenda tij, emrin e babait ose nënës së Muhamedit s.a.v.s. Nuk do të gjemë emrat e grave ose vajzave të tij, e as emrat e shokëve të dashur të tij(2). Për t’u habitur! Megjithatë në Kur’an do të gjeni një kaptinë të tërë që i dedikohet Merjemes, nënës së Isait a.s., sureja Merjem, kaptina 19 e Kur’anit Fisnik. I emërtuar për nder të Merjemes, nënës së Isait a.s., nderim të cilin nuk e gjejmë ti jepet Merjemes në Biblën e Krishterë qoftë nga 66 librat protestantë (bibla protestante) dhe 73 librat Katolikë Romanë (bibla katolike), asnjëri prej tyre nuk është emëruar Maria ose në emrin e djalit të saj.
Isai a.s. është përmendur në këtë libër të Zotit jo më pak se njëzet e pesë herë, ndërsa emri i pejgamberit (Muhamedit s.a.v.s.) vetëm pesë herë. Arsyeja? A janë Isai dhe nëna e tij më të rëndësishëm se Muhamedi s.a.v.s. dhe nëna e tij? Jo! Aspak. Atëher pse kjo mbulesë e parregullt? Thjesht për shkak se integriteti i Isait a.s. dhe nënës së tij ishte në rrezik. Kishte akuza të ndryshme të pasakta, insinuata dhe iluzione ndaj nënës dhe birit të saj që duheshin qartësuar. Prandaj tregimi i lajmërimit, kuptimit të pastër dhe lindja e Isait a.s. duhej të shënoheshin. Kurr askush nuk ka dyshuar në prejardhjen e pejgamberit të Islamit në cilëndo kohë, prandaj asnjë fjalë nuk është harxhuar në tërë librin për lindjen e pejgamberit ose për prejardhjen e tij. Kur’ani nuk është jetëshkrim i Muhamedit s.a.v.s. Kjo është e vështirë të kuptohet nga jobesimtari.(3)

a) A është Jezusi bir i Zotit?

Duke lexuar dhe shfletuar literaturën e krishterë do të vërejmë që në shkrimet e tyre, e cekin dhe besojnë në Jezusin si djalë të Zotit, duke ia atribuar Zotit, Bir. Konstatimi se Jezusi është “Bir” i Zotit, paraqet një nga shtrembërimet e mësimeve të Jezusit dhe me logjikë të thjeshtë kontradikton urdhërat biblike. Po të marrim burimin e tyre biblën do të vërejmë se Bibla i atribon shumë bijë Zotit, p.sh.: “Kështu thotë Zoti: Izraeli është biri im, i parëlinduri im”. (Exodi 4:22) “….Efraimi është i parëlinduri im”. (Jeremia 31:9)
“Unë kam thënë: “Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit”. (Psalmi 82:6) “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë”. (Romakëve 8:14) “Ju jeni bijtë e Zotit, Perëndisë tuaj…” (Ligji i Përtërirë 14:1) “Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë”. (Mateu 5:9)
“Unë do të jem për të një baba dhe ai një djalë për mua…” (2 Samueli 7:14) “Ju nuk jeni populli im”, do t`u thuhet atyre: “Jeni bijtë e Perëndisë së gjallë”. (Hosea 1:10) “…dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm”. (2 Korintasve 6:18)(4)

Për hebrenjët fjala “Bir i Zotit” është përdorur për të emërtuar besimtarët e sinqertë të Zotit, shërbyesit e Tij, robt e Zoti. Në bibël vetëm në dy vende e gjejmë ku Jezusi i referohet vehtes si “bir i Zotit” në kaptinat 5 dhe 11 të Ungjillit të Gjonit(5). Jezusi shumë herë e ka quajtur vehten “bir i njeriut” dhe atë mbi 80 herë, mbi 80 vende në bibël.
Nëse ne e marrim termin “Bir i Zotit” si Zot, atëher pra të gjithë jemi zotëra. Por fjala në bibël “bir i zotit” kuptohet si robtë e Zotit. Siç pamë më lartë nga citatet biblike, fjala “bij” dhe fëmijë të perëndisë janë quajtur mjaft profet, njerëz të thjeshtë etj. Kuptimi fjala “Bir i Perëndisë” nuk është i drejtpërdrejt, por metaforik. Ato fjalë mund të përdoren për të gjithë ato që i do Perëndia. Jezusi ju tha se, Perëndia nuk është vetëm Ati i tij, por gjithashtu edhe Ati juaj (Mateu 5:45,48).(6)

Një prift nga Roma, Riccardo Di Segni, kur ia parashtruan pyetjen “A ishte Krishti bir i Perëndisë” ai u përgjigjë natyrshëm: “Të gjithë jemi bij të Perëndisë, e në këtë aspekt Jezusi është si të gjithë. Nëse në atë kohë në aramaisht kalon fjala bir i Perëndisë, kjo kurr nuk ka pasur nuancat që më vonë i dhanë kongreset ikumenike, pasi në aramaisht “bir” e “rob”, ka të njëjtin kontekst”.
Fjalët Greke të testamentit të Ri të përdorura për “bir” janë “pias” dhe “paida”, të cilat kanë kuptimet “shërbëtor” apo “bir në kuptimin e shërbëtorit”. Shprehja “bir i Zotit” nuk mund të thuhet se ka ardhur nga vet Jezusi(7), por është një shtrembërim që i është bërë testamentit të ri.
Pas kërkimeve të shumta nëpër dokumentet e vjetra, Dr. Robert Alley nxorri në përfundim se: “Paragrafet e biblës ku Jezusi flet për birin e Zotit janë shtesa të bëra më vonë…. ato që kisha thotë për të”.(8)

Ndërsa Allahu xh.sh. në Kur’anin e Madhëruar dëshiron të na tregojë dhe t’i demantojë shpifjet që i bëhen Atij, duke i përshkruar fëmijë, ku thotë: “Ju (jobesimtarë) vërtet sollët një fjalë shumë të shëmtuar. Aq të shëmtuar sa gati u copëtuan qiejt, gati pëlciti toka dhe gati u shembën kodra nga ajo (fjalë). Për atë se të Gjithëmëshirshmit i përshkruan fëmijë. E të Gjithëmëshirshmit nuk i takon të ketë fëmijë. Nuk ka tjetër, vetëm se githë çka është në qiej e në tokë ka për t’iu paraqitur Zotit si rob”. (Merjem 89-93)

b) A është Jezusi Zot?

Duke pasur parasysh limitin e këtij artikulli dhe argumentet e shumta që mund të gjinden në lidhje me citatet dhe argumentet se, pse Jezusi nuk mund të quhet Zot, atëher ne do ti cekim vetëm disa prej tyre të cilat e demantojnë këtë trillim të krishterëve në lidhje me Jezusin të dërguarin e Zotit xh.sh.

Në citatin tek 1 Korintasve 15:25-28 bibla tregon: “Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t`i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta. Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja. Sepse Perëndia i vuri të gjitha nën këmbët e tij. Por, kur thotë se çdo gjë i është nënshtruar, është e qartë se përjashtohet ai që ia ka nënshtruar çdo gjë. Dhe kur t`i ketë nënshtruar të gjitha, atëherë Biri vetë do t`i nënshtrohet Atij që i nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë”.

Është ky një fragment biblik rrall i cituar, por siç vëreni edhe vet, flet shumë. Sikur edhe mos të mos ekzistonte asnjë argument tjetër në bibël që do të kundërshtonte hyjnueshmërinë e Jezusit, kjo do të mjaftonte. Nga vargjet e cituara më lartë mund të nxirren disa përfundime:
• Jezusi nuk kishte kurrfar fuqie apo pushteti por Ati ia kishte dhënë këtë në një kohë të caktuar.
• Misioni i tij ishte i përkohshëm sepse do të vinte koha e përmbushjes së misionit të tij dhe atëher edhe vet Jezusi do t’i nënshtrohej Atij që e emëroi Zot (sundimtarë) të të gjithëve.
• Pas kësaj Jezusi do të kthehej në gjendjen e mëparshme kur nuk kishte kurrfar fuqie dhe Perëndia-Ati do të jetë i vetmi Zot; do të sundojë drejtpërdrejt mbi të gjitha. (9)

Një djalosh i ri e pyet Jezusin dhe në mes të tjerash i tha: “Mësues i mirë”, ndërsa Jezusi i tha: “Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë”. (Marku 10:18)
Nga citati kuptojmë se Jezusi refuzoj të quhet i mirë dhe tha se, vetëm Një i vetëm Perëndia është i mirë, as unë vet nuk jam i mirë. Po ta analizojmë këtë citat në përkthime të ndryshme do të vërejmë se mund të ndryshohet fjala, vetëm me një shkronjë. P.sh. tek Bibla në gjuhën Angleze të verzionit të mbretit Xhejms apo në përgjithësi në biblat në gjuhën angleze, fjala “Zot” quhet GOD, ndryshon nga fjala “I mirë” GOOD, vetëm me një “O”. Vetëm një “O” e shtuar bën që ne të marrim një përkthim apo kuptim tjetër të citatit biblik. “Pse më quan të mirë (GOOD), mos ndoshta Jezusi ka thënë “Pse më quan Zot (GOD)”. Këtë shembull e morra duke pasur parasysh manipulimin me tekstet biblike, të cilat janë ndryshuar me kalimin e kohës.

Citati tjetër biblik është ku tregonë agoninë e tij në kryq Jezusi vajtoi: “Eloi, Eloi; lama sabaktani?”, që e përkthyer do të thotë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?”. (Marku 15:34) A mund të mendojë dikush se fjalët e këtilla dalin nga goja e Zotit (nëse Jezusi është Zot). Këtu e kemi vajtimin e njeriut të paaftë në agoni, të drejtuar Krijuesit dhe Zotëriut të tij.(10) Kjo është një fatkeqësi e madhe, që Jezusi i tha ato fjalë në kryq (sipas supozimit të tyre). Kjo është një shpallje e zhurshme mosbesimi sipas gjithë autoriteteve teologjike. Kushdo që ia atribuon atë një profeti, është mosbesimtarë sipas feve të shpallura.(11)
Nëse Jezusi bërtiti, apo thirri ashtu: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur”. Kend po thirrte Jezusi, kujt po i drejtohej? Vetes apo Zotit? Sigurisht ajo thirrje nuk mund të bëhej nga dikush që e konsideron vehten Perëndi. Nëse Jezusi ishte Perëndi nga kush qe braktisur? Nga vetja? Kjo nuk do të kishte kuptim. Tek Luka 23:46, Jezusi tha: “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!”. Dhe, si tha këto, dha fryma. Nëse Jezusi ishte Zot, pse tja dorëzoj frymën Atit (Perëndisë)?
Shtrohet pyetja tjetër rreth Jezusit në kryq: A kryqëzohet Zoti, nëse Jezusi është Zot, a vdes Zoti? Apo nëse Jezusi është bir i Zotit, a kishte mundesi Ati ti falte njerëzit pa flijuar birin e Tij apo jo? Përgjigja besoj se është Po, ngase në të kundërtën Ati atëher nuk qenka i Gjithfuqishëm, e nëse nuk është i Gjithfuqishëm, atëher nuk mund të jetë Zot. Nëse Zoti mund ti falte njerëzit pa e sakrifikuar birin e tij, atëher pse të bëhet një sakrificë aq e madhe?(12)

Jezusi, vdiq! Atëher kush e ringjalli Jezusin nga vdekja? Nëse ishte vdekur ai nuk mund ta ringjallte vetvehten. Bibla tregon se Jezusin e ringjalli Perëndia nga të vdekurit, ku thotë: “Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë!”. (Veprat 2:32) “Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes”. (Veprat 2:24) Sepse Perëndia nuk vdes është i pavdekshëm, bibla thotë: “Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia”. (Psalmi 90:2) “Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund”. (Psalmi 102:27)

Fragmenti tjetër që e mohon Jezusin si Zot, është se, kur skribët e pyetën Jezusin, cili është i pari i urdhërimeve. Jezusi iu përgjigjë: Urdhërimi i parë i të gjithëve është: “Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot”, dhe: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!”. Ky është i pari urdhërim”. (Marku 12:29-30)
Citati tregon dhe kuptojmë se Jezusi iu përgjigjë se ka vetëm një zot të vetëm, Një Perëndi si për te ashtu edhe për të gjithë të tjerët. Këtu shihet se Jezusi nuk është Zot, sepse tha Zoti ynë. Këtu tregohet njëshmëria e Zotit, tregohet se Jezusi nuk tha Zoti juaj në trinitet (Ati, Biri dhe shpirti i shjenjtë), por tha, Zoti ynë, i imi por edhe i juaji.
Të njëjtat fjalë gjinden edhe tek Ligji i Përtërirë 6:4 në Dhjatën e Vjetër ku thotë: “Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë është një i vetëm”. Një përkthim katolik i Biblës (Neë Jerusalem Bible) është kështu: “Dëgjo o Izrael: Jahve është Perëndia ynë, Jahve është një i vetëm”.(13) Sipas gramatikës së këtij vargu, fjala “Një” nuk ka modifikime në shumës që të sugjerojmë se ajo nënkupton diçka më shumë se një individ.(14)

Para se ta arrestojn Jezusin, ai bëri një lutje, ku tregon një dallim në mes Jezusit dhe Perëndisë. Tek Lluka 22:42, tregohet: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti”. Kuj po i lutej? Vetvetës së tij, ndonjë pjese të vetes së tij? Jo, por ai iu lut Perëndisë që është i ndarë nga ai. I u lut Perëndisë sepse ishte i vetmi që mund tja largonte “atë kupë” dhe ta ndihmonte.

Tek Mateu 23:9-10, Jezusi tha: “Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej. As mos lejoni që t`ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti”.
Nga ky citat kuptojmë: a) Nuk ekziston Atë mbi fëtyrën e tokës, ose nuk ekziston Zot mbi tokë. D.m.th. Krishti ia tërhoqi vërejtjen popullit të vet për të mos trajtuar atë si Zot. b) Zoti është Një në qiell, e jo tre siç pretendon kisha. c) Krishti është udhëheqës (mësues, i dërguar) e nuk është Zot, e as bir i Zotit. Mesihu shumë bukur i qartësoi punët, Allahu është Një, ndërsa Mesihu është udhëheqësi, mirëpo kisha nuk dëshiron atë që thotë Mesihu. (15)
Në bibël, në 66 librat në versionin Protestant (bibla protestante), apo në 73 libra të versionit Roman-Katolik (bibla katolike), nuk mund të gjendet asnjë pohim që Jezusi të ketë thënë: “Mua të më adhuroni”. (16)

Një ndryshim midis njohurisë së Perëndisë dhe njohurisë së Jezusit, e kemi tek Zbulesa 1:1 ku tregon: “Zbulesa e Jezusit që Perëndia ja dha…”. Nëse vetë Jezusi ishte pjesë e një Hyjnie, a do të ishte e nevojshme t’i jepej ky zbulim nga një pjesë tjetër e Hyjnisë, pra Perëndia? Sigurisht, ai duhej të dinte gjithçka rreth këtij zbulimi, sepse Perëndia e dinte. Por Jezusi nuk i dinte të gjitha, sepse ai nuk ishte Perëndia.(17)
Buletini i Rylandit deklaron: “Duhet pranuar faktin se kërkimet në Beslidhjen e Re mbi këtë çështje, gjatë këtyre tridhjetë apo dyzet viteve të fundit, kanë çuar një numër gjithnjë e në rritje studiuesish të dëgjuar të kësaj Beslidhje në përfundimin se Jezusi…. sigurisht, nuk besoi kurrë se ishte Perëndi”.(18)

Në lidhje me Jezusin a është Zot, Kur’ani Famëlartë iu përgjigjet atyre që e konsiderojnë Jezusin Zot dhe bir të Tij, duke iu thënë: “O ithtarët e librit, mos teproni në fenë tuaj dhe mos thuani tjetër gjë për All-llahun, përveç asaj që është e vërtetë. Mesihu Isa, bir i Merjemes, ishte vetëm i dërguar i All-llahut. Ishte fjalë e Tij (bëhu) që ia drejtoi Merjemes dhe ishte frymë (shpirt) nga Ai. Besojeni pra All-llahun dhe të dërguarin e Tij e mos thoni: “Tre” (trini). Pushoni (së thëni), se është më mirë për ju. All-llahu është vetëm një All-llah; larg qoftë asaj që Ai të ketë fëmijë. Ç’ka në qiej dhe çka në tokë është vetëm e Tij. Mjafton që All-llahu është planifikues i pavarur”. (Nisa 171)
“Dhe kur All-llahu tha: “O Isa, bir i Merjemes, a ti njerëzve u the: “Më besoni mua dhe nënës time dy zota pos All-llahut!?” (Isai) Tha: “Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua ta them atë që s’është e vërtetë. Ta kisha thënë unë atë, ti do ta dije. Ti e di ç’ka në mua, e unë nuk di ç’ka në Ty. Ti je më i dijshmi i të fshehtave!” Unë nuk u kam thënë tjetër atyre, pos asaj që Ti më urdhërove;ta adhuroni All-llahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, dhe sa isha ndër ta, kam qenë përcjellës i tyre, e pasi që më more mua, Ti ishe roje (dhe dëshmues) i tyre. Ti je dëshmitar për çdo send!”. (Maide 116-117)

Tefsirologu shqiptarë H. Hafiz Ibrahim Dalliu, kur i komenton këto ajete, thotë: “Pyetja që i madhi Zot, do ti bëjë Isait, “A ti u ke thënë njerëzve…” është për tu mbyllur gojën të krishterëve dhe për t’ua nxjerrë në shesh se besimi i tyre është i kotë; ndryshe përse duhej të pyeste Zoti, kur e dinte që Isai nuk kishte thënë atë fjalë? Kjo pyetje nuk do të bëhet për të sqaruar ndonjë gjë që nuk di Zoti, por do të bëhet për t’u treguar të krishterëve me gojën e Isait se ata, kanë një besim të kotë”. (19)

c) Njerëzorja e Jezusit

Bibla edhe pse me shtesa dhe ndryshime të shumta, e tregon qartë se Jezusi ishte një njeri i aprovuar nga Perëndia për një mision të caktuar tek populli i tij, tek kopeja e humbur e Izraelit(20).
Nga fillimi deri në fund ungjijtë e tregojnë qartë njerëzoren e Jezusit, e cila është krejt ndryshe nga natyra hyjnore e Zotit. Citatet biblike vërtetojnë që Jezusi nuk mund të jetë Zot, sepse këto cilësi apo veti që do t’i cekim janë të njeriut dhe jo të vet Zotit (I pastër qoftë nga ato që ia mveshin).

Prejardhja e Jezusit si, Pasardhës i mbretit David dhe Abrahamit (shiko: Romakëve 1:3; Mateu 11:19). Jezusi, Bir i Njeriut (shiko: Mateu 11:19; Mateu 17:22; Lluka 23:47). Lindja e Jezusit: “Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd” (Lluka 2:7), “ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd” (Lluka 2:12). Synetimi i Jezusit (Lluka 2:21). Gjinia e Jezusit: “Dhe ajo do të lindë një djalë…” (Mateu 1:21) Familja e Jezusit: “A nuk është ky i biri i marangozit(21)? Nuk quhet nëna e tij Mari, dhe vëllezërit e tij Jakob, Iose, Simon dhe Juda?” (Mateu 13:55) Babai i Jezusit: “Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit(22)!” (Gjoni 1:45), ”Bir, pse na e bëre këtë? Ja, yt atë dhe unë, në ankth, po të kërkonim!” (Lluka 2:48) Zhvillimi i Jezusit, rritej në shtat, forcohej si çdo njeri tjetër (shiko: Lluka 2:40/42/52). Pofesioni i Jezusit, si marangoz (Mateu 13:55)
Nga citatet kuptojmë se Jezusi ishte i lindur, kishte prejardhje, ishte bir i njeriut, kishte gjini, kishte familje, ishte bërë synnet, zhvillohej, ishte zdruktharë etj.etj. Vallë a mund ti ketë Zoti këto cilësi apo veti, siç pretendojnë se Jezusi është Zot. Si mund të jetë Jezusi Zot kur ishte i lindur. Vallë a lind Zoti?!! A ka logjikë kjo?! A mundet te lind Zoti? Çdo njeri që lind dhe vdes. A vdes Zoti? Në qoftëse lind dhe vdes, atëherë nuk meriton të llogaritet për Zot. A meriton Zoti të jetë foshnje e mbështjellur me pelena dhe i vendosur në grazhd?!! Jezusi mësonte, zhvillohej trupërisht siç zhvillohen fëmijët e tjerë, të gjitha këto janë veti njerëzore e jo të Zotit, sepse Zoti nuk rritet, nuk i nënshtrohet askujt, nuk i shtohet gjatësia trupore etj.!!!

Jezusi i pamësuar, sepse ai mësonte (Gjoni 7:14). Jezusi qante (Gjoni 11:35). Jezusi i pafuqishëm (Gjoni 5:30). Jezusi i uritur, kishte nevojë për ushqim (Mateu 4:2/ 21:18/ 24:41). Jezusi i etshëm (Gjoni 19:28). Jezusi lodhej (Gjoni 4:6). Jezusi flente (Mateu 8:24). Jezusi i dobët: “Atëherë iu shfaq një engjëll nga qie-lli për t’i dhënë forcë” (Lluka 22:43). Jezusi trishtohej (Mateu 26:37-38). Jezusi frikësohej (Marku 14:33; Gjoni 11:53-54). Jezusi tronditej (Gjoni 11:38). Jezusi tundohej: “Atëherë Fryma e çoi Jezusin në shkretëtirë, që djalli ta tundonte” (Mateu 4:1), “qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satanai” (Marku 1:13). Jezusin e poshtërojnë: “Atëherë e pështynë në fytyrë, e goditën me shuplaka; dhe disa të tjerë i ranë me grushta” (Mateu 26:67). Jezusi lutej: “Por ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej”, “dhe ra në gjunj dhe lutej”, “shkoi në mal për t’u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë” (Lluka 3:21/ 5:16/ 9:18/ 22:41/ 6:12), “Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej” (Mateu 26:39).
Jezusi nuk i di stinët: “Dhe, duke parë nga larg një fik që kishte gjethe, shkoi për të parë në se mund të gjente diçka atje; por, kur iu afrua, s’gjeti asgjë përveç gjetheve, sepse nuk ishte koha e fiqve” (Marku 11:13). Jezusi pa dijeni për të ardhmen: ”Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati” (Marku 13:32)-(Mateu 24:36). Jezusi kërkon gomarë për ti hipur (kalëruar) (shiko: Mateu 21:2; Gjoni 12:14). Varfëria e Jezusit (Mateu 8:20). Jezusi pagëzohet nga Gjoni (Mateu 3:13). Jezusi vdiq(23) sipas Biblës: “Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën (vdiq)” (Marku 15:37), “kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur” (Gjoni 19:33)

Këto citate tregojnë qartazi që Jezusi ishte rob i Allahut xh.sh. dhe i dërguar i Tij. Po të merrën këto cilësi si të Zotit, a thua Zoti vihet në sprovë, frikësohet, lodhet, i pafuqishëm, i padijshëm për të ardhmen, për stinët etj. të gjitha këto janë veti të njeriut. Zoti kaleron mbi gomar, çfar absurditeti! Nevoja e Jezusit për gomar hedh posht hyjninë e tij. Jezusi lutej. Kujt i lutej? Zotit. Lutja e tij është argument për natyrën e tij njerëzore. A i lutet Zoti Zotit? D.m.th. Jezusi nuk është Zot, por është njeri dhe rob i cili i nënshtrohet Zotit. Pagëzimi i Jezusit, si mund të jetë misioni i tij “shpëtimtarë i mëkatëve” apo si mund të quhet ai “I pamëkate” kur edhe vetë u pastru nga mëkatet në lumin Jordan?

Nëse besoni se Zoti erdhi në tokë, në formë të Jezusit, atëherë i kujt ishte zëri që u dëgjua nga qielli(24)? Zëri i kujt ishte, i Zotit? Po Zoti kishte zbritur në tokë në formën njerëzore. Ai ishte në barkun e nënës për nëntë muaj, siç thotë bibla. Cili ka qenë në barkun e nënës, Zoti i inkarnuar? Zoti ka zbritur në tokë, dhe ka jetuar në barkun e nënës për nëntë muaj, atëherë si i përdorte ai fuqitë e tij, ta drejtojë gjithësinë prej barkut të nënës, i shëndrruar në krijesë të vogël e të pafuqishme?!!!, etj. etj. Nëse logjikojmë me arsye të shëndosh, a i ka hije Zotit të jetë me këto cilësi të mangëta, kur dihet se krijesat e Tij kajnë veti më të mira se këto. Jo kurrsesi, por kjo dëshmon se Jezusi ishte vetëm se njeri i thjeshtë, i dërguar nga Zoti.

Në vijim do të vërejmë pikëpamjet e Kur’anit në lidhje me lindjen e Jezusit (Isaut a.s.). Siç përmendëm më lartë, Kur’ani nuk na tregon jetën e Isaut në hollësi, por na tregon dhe na informon gjërat më kryesore të cilat duhet ti dimë, na tregon të vërtetën dhe që të largohemi nga gënjeshtrat e sajuara nga të krishterët ndaj Isaut a.s. Kur’ani na shtjellon historinë e Isaut a.s. në ato pika më kryesoret.
Na shpjegon Allahu xh. sh. në Kur’anin Famëlartë lindjen e Isaut a.s., mënyrën se si Zoti dërgoi tek Merjemja melekun Xhebrail, për ta përgëzuar me lajmin, për lindjen e një fëmije si mrekulli nga ana e Zotit Fuqiplotë. “Ajo, vuri një perde ndaj tyre, e Ne ia dërguam asaj Xhebrilin, e ai iu paraqit asaj njeri në tërësi. Ajo tha: “Unë i mbështetem të Gjithëmëshirëshmit prej teje, nëse je që frikësohesh Atij (pra më le të lirë)!” Ai (Xhibrili) tha: “Unë jam vetëm i dërguar (melek) i Zotit tënd për të dhuruar ty një djalë të pastër (pejgamber)”. (Merjem 17-19) “Përkujto kur engjujt i thanë: “Oj Mejreme, All-llahu të përgëzon me fjalën e vet (me lindjen e një fëmije si rezultat i fjalës së Zotit) emri i të cilit është Mesih, Isa, bir i Merjemes, i famshëm në dunja e ahiret dhe nga të afërmit (e Zotit)”. (Ali Imran 45) “Ajo tha: “Zoti im, si mund të kemë unë djalë e mua s’më ka prekur njeriu (nuk jam e martuar)? Ai (All-llahu) tha: “Ja, kështu, All-llahu krijon çka të dojë. Kur Ai vendos për një çështe, vetëm i thotë: Bëhu! Ajo menjëherë bëhet”. (Ali Imran 47)

Duke pasur parasysh që ne në këtë artikull elaburuam veç një pjesë të vogël në lidhje me të dërguarin e Zotit xh.sh. Isaun a.s./Jezusin, duke demantuar disa nga shpifjet që po i adresohen dita ditës këtij të dërguari të Zotit. Si përfundim mund te themi, kushdo që thotë diçka më tepër se çna ka mësuar Kur’ani dhe Pejgamberi s.a.v.s. për Isain ose për ndonjë të dërguar tjetër të Allahut, ka gabuar dhe është larguar nga rruga e vërtetë. Të gjitha teoritë si “Triniteti”, barazia e Isaut me Zotin, barazia mes Krijuesit dhe krijesave të Tij, të gjitha të çojnë në mosbesim në Allahun xh.sh., dhe njëherit po i bën shok, rival Zotit të Plotfuqishëm dhe që është një ndër mëkatet më të mëdhaja që vet Zoti në Kur’anin Famëlartë ka thënë: “Është e vërtetë se All-llahu nuk falë (mëkatin) t’i bëhet Atij shok, pos këtij (mëkati), të tjerat i falë atij që dëshiron. Ai që i përshkruan shok All-llahut, ai ka humbur dhe bërë një largim të madh (prej të vërtetës)”. (Nisa 116)
Edhe Bibla thotë: “Ata e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë”. (Romakët 1:25) por: “Do ta njohin të vërtetën dhe e vërteta do t’i bëjë njerëz të lirë”. (Gjoni 8:32)

—————————————-

1 “Isai Biri i Merjemes a.s.”, Omer Myrta, Argumenti, revistë mujore e botuar nga shtëpia botuese “Mirësia”, Prishtinë, Shkurt 2006, fq. 16; shih edhe tek Hassan Hathout, “Leximi i mendjes së Muslimanit”, fq. 23
2Në anën tjetër ky është edhe një argument për ato që mendojnë se Kurani është vepër e Muhamedit s.a.v.s..Në qoftë se Muhammedi s.a.v.s. do të ishte autori i Kur’anit të Shenjtë, ai nuk do të humbiste rastin për të përfshirë në të me Merjemen, nënën e Isait a.s. edhe nënën e vet – Eminen, gruan e tij të dashur – Hatixhen ose vajzën e vet – Fatimen. Por jo! Kjo s’mund të ndodhte asnjëherë. Kur’ani nuk është krijim i mendjes së tij! Ai nuk mund të zgjidhte – ai nuk kishte të drejtë të fliste sipas mendimeve të tij. Por Zoti i Plotfuqishëm tha: “Ai (Muhamedi) nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet” (Kur’an: Nexhm 3-4)
3 Ahmed Deedat, “Kur’ani-Mrekullia e mrekullive”, Podujevë (pa vit botimi), fq. 52
4 Shiko edhe këto citate në lidhje me bijt e Zotit, sipas biblës: Zanafilla 6:2; Psalmi 2:7; Psalmi 89: 26-27; Isaia 1:2; Gjoni 1:12; Jobi 2:1/ 1:6; etj.
5 Dr. Maneh Hammad Al Johani, “E vërteta rreth Jezusit”, Tiranë 1993, fq. 14
6 Hasan Baxhil, “Dialog ndërmjet të krishterit dhe myslimanit”, Prishtinë 2001, fq. 42
7 Dr. Maneh Hammad Al Johani, vep. e cit., fq. 14
8 Gazeta “The Ëashington Post”, 5 Janar 1978, sipas: Dr. Maneh Hammad Al Johani, vep. e cit., fq. 17
9 Halil Ibrahimi, “Islami dhe Krishterimi”, Prishtinë 2005, fq. 12
10 Ulfe Azizus Samed, “Islami dhe Krishterimi”, Prizren 1992, fq. 38
11 Grup përkthyesish, “Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të lartë në gjuhën shqipe”, Riad 2000, fq. 921
12 Për më tepër rreth kësaj çështje referohuni tek: Tahir Kukaj, “Besueshmëria e citateve Kur’anore dhe atyre Biblike”, Prishtinë 2005, fq. 253, dhe, Mohamed Ghounem, “200+ ëays the Quran corrects the Bible”, Brooklyn NY 2003, fq. 173
13Ky citat gjindet edhe tek “Shkrimet e Shenjta” Përkthim Bota e Re, Roma 2006
14Grup Autorësh, “A duhet të besosh në trinitet”, Shtypur në Itali, nga Dëshmitarët e Jehovait, botues Watchtower Bible and Track Society of New York, Roma 1996, fq. 13
15 Dr. Muhamed Ali El-Havli, “Komperacioni mes katër ungjijve”, Shkup 2002, fq. 69-70
16Ahmed Deedat, “Christ in Islam”, Al Ain- U.A.E. (pa vit botimi), fq. 35; “Krishti në Islam”, Mitrovicë 1995, fq. 45
17 “A duhet të besosh në trinitet”, fq. 19
18 Po aty, fq. 20
19 H. Hafiz Ibrahim Dalliu, “Ajka e Kuptimeve të Kur’anit Kerijmit”, Tiranë 2005, fq. 651
20Kështu e quan bibla Jezusin, sepse ai erdhë veç te populli Izrael, ku në Mateu 15:24 thuhet:”Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit”.
21Sipas Biblës, Jezusin e quan biri i Marangozit (Zdrukthtarit), biri i Jozefit. Është një argument në të cilin hedh poshtë pretendimin e Jezusit si bir i Perëndisë. Këtu vërejmë një llojë kontradikte bir i Jozefit apo bir i Zotit?! Por në të njëjtën kohë bibla tregon se Jezusi paska pas një familje shumë antarshe, a mund të ketë Zoti familje, nënë, baba, vëllezër?
22 Sipas Kur’anit Jezusi ska pasur Baba, por ishte një mrekulli e Zotit që ta krijoi ashtu. Por ne po i referohemi biblës në mënyrë për tju treguar të krishterëve se si mundet që në të njëjtën kohë Jezusi të ketë baba Jozefin, të ketë baba Zotin, por gjithashtu në të njëjtën kohë të jetë edhe Zot!?
23 Këtu po e përmendim në aspektin se si e përshkruan bibla vdekjen e Jezusit. Ndërsa sipas Kur’anit as nuk e kanë mbytur as nuk e kanë kryqëzuar, shih suren Nisa, ajeti 157-158. Por nëse studiohet mirë dhe analizohet disa nga citatet biblike tregojnë qartazi se Jezusi as nuk e kanë mbytur por as nuk e kanë kryqëzuar, por dikush tjetër është kryqëzuar në vend të ti.
24 Shih tek Mateu 3:16-17; Lluka 3:21-22. Nëse i lexojmë këto citate, vërejmë se Zoti foli prej qielli duke thënë: “Ky është Biri im…” Shtrohet pyetja si mundet që Jezusi në të njëjtën kohë të jetë Zot, por edhe birë i Zotit? Gjithashtu në citatë vërejmë edhe një dobësi tjetër të Perëndisë sipas Biblës, duke pasur parasysh që edhe fryma e shenjtë është Perëndi (sipas doktrinës së krishterë), në rastin e pagëzimit të Jezusit tregohet se “Fryma e Perëndisë zbriti si një pëllumb” mbi Jezusin. Përsëri shtrohet pyetja, a i përket cilësisë së Zotit, që Zoti të shëndrrohet në shpend, apo në ndonjë krijesë tjetër?

Artikulli paraprakJEZU KRISHTI (ISAI A.S.) PROFET DHE I DËRGUAR VETËM TE BENI ISRAILËT SIPAS KURANIT DHE BIBLES
Artikulli vijuesKONCEPTI I ZOTIT NË BIBËL DHE NË KURAN