Shtëpia Lajme Bote Gjuetia e tërroristëve, BE kërkon “skuadrën” e falsifikatorëve

Gjuetia e tërroristëve, BE kërkon “skuadrën” e falsifikatorëve

Pas sulmeve terroriste të Brukselit, autoritetet europiane të sigurisë kanë intensifikuar punën për gjetjen e personave të lidhur me atentatorët. Kërkohen së paku tetë të dyshuar si terroristë e falsifikues pasaportash, transmeton Top Channel.

Gazeta gjermane “Welt am Sonntag” raporton se ndihmësit islamistë të këtyre njerëzve ose qëndrojne të fshehur diku në Europë, ose janë në Siri.

Në vëmendje janë personat e kontaktit të kreut logjistik të atentateve të Parisit, Abdelhamid Abaaoud, si dhe të bashkëpunëtorit të tij të kapur në Belgjikë, Salah Abdeslam.

Ndalimi më i fundit ishte ai i 32-vjecarit francez të prangosur në Holandë e të akuzuar se po planifikonte sulme në Francë.

Duke iu referuar rezultateve të para të hetimit nga Franca dhe Belgjika, “Welt am Sonntag” shkruan se kreu i dyshuar i celulave terroriste të ISIS-it në kontinentin e vjetër ishte algjeriani Mohamed Belkaid, i vrarë së fundmi gjatë një aksioni të policisë belge.

Mësohet se bashkë me prodhuesin e bombave, Najim Laachraoui, veprimtarinë e celulave të terrorit në atentatet e Parisit, ai e ka koordinuar nga Belgjika përmes telefonit.

Në Itali ndërkohë policia arrestoi një algjerian të kërkuar në Belgjikë nën dyshimin e lidhjeve me atentatorët e Brukselit dhe Parisit. 40-vjeçari Djamal Eddine Quali, i ndaluar në Salerno, bën pjesë në një bandë falsifikuesish të pasaportave, që ka qenë në kontakt me terroristët.

Një fletarresti ndërkombëtar ishte lëshuar në emër të tij. Banda në fjalë mendohet të ketë përgatitur edhe pasaportat e falsifikuara të përdorura në sulmet e Francës dhe Belgjikës.

 

Artikulli paraprakTrump: Evropa nuk është vend i sigurt
Artikulli vijuesVeprat frymëzuese të gjashtë vjeçares me autizëm