FRIKA NDAJ ALL-LLAHUT TË MADHËRUAR

Ebu Hamid el-Gazali

Pejgamberi (a.s.) thotë: “All-llahu i Lartësuar ka krijuar një melek që një krah e ka në lindje kurse tjetrin në perëndim, koka e tij është nën Arsh, e këmbët e tij janë nën tokën e shtatë. Ai ka aq pupla sa ka krijesa të All-llahut të Madhëruar. Nëse një burrë apo një grua bie salavatë mbi mua, atëherë All-llahu i Lartësuar e urdhëron melekun që të zhytet në një det prej drites (nurit) që gjendet nën Arsh. Meleku zhytet në të, pastaj del dhe i shkund krahët e tij, e prej çdo puple që ka, rrjedhin pika. Kështuqë All-llahu i Lartësuar krijon prej çdo pike ujë nga një melek, të cilët kërkojnë falje për të deri në Ditën e Kijametit!”

Një i urtë kishte thënë: “Shpëtimi i trupit është në pakësimin e ushqimit, ndërsa shpëtimi i shpirtit është në pakësimin e gjynaheve, kurse shpëtimi i fesë është në dërgimin e salavateve ndaj më të mirit të të gjitha krijesave Muhammedit (a.s.)!”

All-llahu i Lartësuar në Kur’anin Famëmadh urdhëron e thotë: “O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj All-llahut, dhe le të shikojë njeriu se çka ka përgatitur për nesër…” d.m.th. çka ka punuar për Ditën e Gjykimit. Pra kuptimi i ajetit është: bëni sa më shumë punë të mira që ta gjeni shpërblimin në Ditën e Kijametit. Pastaj vazhdon ajeti: “…dhe keni frikë All-llahun, e s’ka dyshim se All-llahu është që e di në detaje atë që punoni”, qoftë mirë apo keq, saqë edhe melaiket, qielli, toka, nata dhe dita do të dëshmojnë Ditën e Gjykimit për atë çfarë ka vepruar njeriu, qoftë mirë ose keq, dëgjim apo mosdëgjim, madje edhe gjymtyrët e tij do të dëshmojnë kundër tij. Toka do të dëshmojë për besimtarin dhe të devotshmin e do të thotë: “Ai është falur, ka agjëruar mbi mua, ka bërë haxhin e ka luftuar në rrugën e All-llahut. Andaj besimtari dhe i devotshmi gëzohen tepër kur e dëgjojnë tokën duke dëshmuar në favor të tyre. Po ashtu, toka do të dëshmojë edhe kundër pabesimtarit dhe gjynahqarit e thotë: “ I ka bërë shok All-llahut mbi shpinën time, ka pirë alkool dhe ka ngrënë haram” – e mjerë për të ditën kur do të jap llogari para Krijuesit të tij – All-llahut (xh.sh.)

Besimtar i vërtetë është ai që i frikësohet All-llahut të Lartësuar me të gjitha gjymtyrët e tij, ashtu siç thotë juristi i njohur islam Ebul-Lejthi (r.a.) : “Frika ndaj All-llahut shfaqet në shtatë gjëra:

1) Gjuha. E ndalon (e ruan) atë nga gënjeshtra, përgojimi, thashethëmet, shpifja dhe nga fjalët e kota. Kurse e bën atë të preokupuar me përmendje të All-llahut (dhikrull-llah), lexim të Kur’anit dhe me mësimin e dituri.

2) Zemra. Besimtari e nxjerr nga zemra e vet armiqësinë, urrejtjen dhe zilinë që ka ndaj vëllezërve të tij, sepse zilia i zhduk veprat e mira ashtu siç thotë Pejgamberi (a.s.): “ Zilia i han punët e mira ashtu siç i hanë zjarri drutë”. Dhe dije se zilia është një prej sëmundjeve të mëdha të zemres, e sëmundjet e zemres nuk kurohen vetëm se me dituri dhe me punë.

3) Shikimi. Nuk shikon në gjëra të ndaluara si në ushqim, pije, veshje etj., e as nuk e shikon dynjanë me syrin e epshit, por shikimi tij duhet të jetë vetëm për të marrë mësim. Besimtari nuk shikon në atë çka nuk i lejohet, ngase i Dërguari i All-llahut (a.s.) ka thënë: “Kush i mbush sytë e tij me gjëra të ndaluara (haram), All-llahu i Lartësuar në Ditën e Gjykimit do t’ia mbush sytë e tij me zjarr (të Xhehennemit)!”

4) Barku. Nuk fut në barkun e tij diç që ka ndaluar All-llahu, meqë ajo është një mëkat (gjynah) i madh. Pejgamberi (a.s.) thotë: “Nëse në barkun e njeriut bie një kafshatë prej haramit, atëherë atë njeri e mallkon çdo melek në tokë dhe në qiell përderisa ajo qëndron në barkun e tij, dhe nëse vdes në këtë gjëndje, vendi i tij është Xhehennemi!”

5) Dora. Besimtari nuk e zgjat dorën e tij drejt gjërave të ndaluara (haram), por vetëm aty ku fitohet kënaqësia e All-llahut të Madhëruar.

Transmetohet nga Ka’b el – Ahbari të kishte thënë: “All-llahu i Madhëruar ka krijuar një vend prej gurëve të gjelbërt shumë të çmuar. Në të ka 70 mijë shtëpi, e në secilën shtëpi ka nga 70 mijë dhoma. Në këtë vend të bukur nuk do të hyj askush përveç atij të cilit iu është paraqitur harami e ai nga frika ndaj All-llahut të Madhëruar e ka lënë dhe e ka braktisur atë!”

6) Këmba. Nuk shkon në ato vende ku i bëhet mëkat All-llahut, por shkon në ato vende ku All-llahu është i kënaqur si shoqërimi me dijetarë dhe njerëz të mirë.

7) Bindja ndaj Zotit Fuqiplotë. Besimtari duhet t’i bindet Atij me një bindje të sinqertë dhe çdo vepër të mirë, ta bëj vetëm për hir të All-llahut duke iu ruajtur njëkohësisht syfaqësisë (rijasë) dhe hipokrizisë (nifakut). Pra, nëse një besimtar i vepron këto shtatë cilësi, atëherë ai pa dyshim është prej atyre që ka thënë All-llahu në Kur’an: …kurse bota e ardhshme te Zoti është për besimtarët e ruajtur!” (Ez – Zuhruf-35); në ajetin tjetër thotë: “E ata, të cilët iu ruajtën (mosbesimit dhe punëve të këqija) janë në xhennete e mes burimeve!” (El – Hixhr- 45).

Gjithashtu në një vend tjetër thotë : “Ata të devotshmit janë në kopshte e në begati!” (Et-Tur-17). “Vërtetë, ata që i patën frikë Zotit, janë në vende të qeta!” (Ed – Duhan-51).

Besimtari (mu’mini) duhet të jetojë në mes frikës e shpresës, gjithherë duke shpresuar në mëshirën e pakufishme të All-llahut Fuqiplotë e asesi të dëshpërohet e të bëhet pesimist. All-llahu i Madhëruar thotë: “…mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut… – por ta adhuron All-llahun, të shmanget nga veprat e liga dhe të pendohet për to tek All-llahu i Cili është Mëkatfalës dhe Mëshirues i Madh.

TREGIM. “Përderisa Davudi (a.s.) ishte ulur në faltoren e tij duke e lexuar Zeburin, papritmas e sheh një krimb të kuq duke ecur nëpër tokë. A thua çfarë ka dashur All-llahu me krijimin e këtij krimbi? – tha në vetvete. Në atë moment, All-llahu i jep leje krimbit që të flas dhe i thotë: O i dërguar i All-llahut, sa i përket ditës, mua më ka inspiruar Zoti im që të them për çdo ditë këto fjalë: SUBHANALL-LLAH, ELHAMDULIL-LAH, LAILAHE IL-LALL-LLAH dhe ALL-LLAHU EKBER nga 1000 herë, ndërsa gjatë natës më ka inspiruar Zoti im që të them për çdo natë: ALL-LLAHUMME SAL-LI ALA MUHAMMEDIN EN-NEBIJJIL UMMIJJ VE ALA ALIHI VE SAHBIHI VE SEL-LIM nga 1000 herë, por edhe çfarëdo që ti lexon (nga Zeburi) unë kam dobi. Kur dëgjoi Davudi (a.s.) fjalët e krimbit, kërkoi falje dhe mbështetje tek Zoti xh.sh. për përbuzjen që tregoi ndaj atij krimbi të vogël!”

Ibrahimi (a.s) kur kujtonte ndonjë mëkat, i binte të fikët dhe rrahja e zemrës së tij u dëgjonte shumë larg. Atëherë All-llahu i Madhëruar e dërgonte tek ai Xhibrilin (a.s.) dhe i thonte: O Ibrahim, i Plotëfuqishmi po të bën selam dhe po thotë: A e ke parë mikun që i frikësohet mikut të tij? Kurse Ibrahimi (a.s.) ia kthente: O Xhibril, kur më kujtohet mëkati (gjynahi) im dhe mendoja në ndëshkimin e Tij, e harroja miqësinë time.

Këto pra janë gjëndjet e Pejgamberëve, evlijave, njerëzve të mirë dhe asketëve (zahidëve), andaj mendo thellë!

Ebu el – Lejthi (r.a.) thotë: “All-llahu i Madhëruar ka disa melaike në qiellin e shtatë, që qëndrojnë me fytyrë në sexhde prej momentit kur Ai i ka krijuar e deri në Ditën e Kijametit. Gjymtyrët e tyre dridhen nga frika e Tij. Kur të vie Dita Kijametit, ngrejnë kokat e tyre duke thënë: I pastër nga të metat je o All-llah, nuk të kemi adhuruar ashtu siç e meriton Ti!” Në lidhje me këtë është fjala e All-llahut në Kur’an: “I frikësohen Zotit të tyre që është mbi ta dhe i përmbahen me përpikëri asaj me çka urdhërohen!” (En – Nahl-50), do të thotë nuk janë asesi të padëgjueshëm ndaj urdhërave të All-llahut.

Pejgamberi (a.s.) thotë: “Nëse trupi i robit rrënqethet nga frika e All-llahut të Madhëruar, bien (fshihen) mëkatet e tij siç bien gjethet prej pemës (së thatë)!”

Tregohet se një burri i kishte hyrë në zemër dashuria ndaj një gruaje. Një ditë gruaja kishte vendosur që të udhëtonte me një karavan tregëtarësh dhe kur dëgjoi burri se ajo po niset për rrugë, u bë gati dhe iu bashkangjit karavanit. Një natë gjatë udhëtimit, gruaja u nda nga karavani për të kryer një nevojë që kishte e ai e ndoqi pas. Kur u vetmuan në shkretëtirë dhe përderisa njerëzit ishin duke fjetur, burri shfrytëzoi rastin dhe ia tregoi qëllimin që kishte ( qëllimi i tij ishte që të bëj imoralitet me të).

Ajo i tha: “Së pari, shko e vëzhgo se a janë të gjithë njerëzit duke fjetur!” Njeriu u gëzua pa masë duke menduar se ajo po i përgjigjet kërkesës së tij (për kontakt intim). Ai doli, u soll rreth e rreth karavanit dhe vërtetë të gjithë kishin ra në një gjumë të thellë. U kthye te ajo dhe i tregoi se askush nuk ishte i zgjuar në atë moment. Por ajo me një besim të fuqishëm i tha: “Mirë, por çfarë mendon për All-llahun e Lartësuar a thua është duke fjetur në këto çaste?” Njeriu i habitur tha: “All-llahu nuk flen, Atë nuk e kaplon kotja e as gjumi”. “Me të vëtretë Ai i Cili nuk ka fjetur kurrë dhe nuk flenë asnjëherë na sheh neve edhe nëse njerëzit nuk na shohin, për këtë shkak më e merituar është t’ia kemi frikën All-llahut e jo njerëzve – ia ktheu gruaja. Atëherë kur dëgjoi fjalët e kësaj gruaje të ndershme dhe besimtare, u tërhoq prej saj nga frika ndaj Krijuesit duke u penduar me një pendim të sinqertë për atë çfarë synonte dhe u kthye menjëherë në vendin e tij. Kur vdiq, e pa dikush në ëndërr dhe e pyeti. Çfarë bëri Zoti me ty? Më ka falur për shkak të frikës që pata ndaj Tij, e po ashtu për shkak të mënjanimit të atij mëkati – Iu përgjigj ai!”

TREGIM – Në kohën e Musait (a.s.) jetonte një çifut i devotshëm. Ai kishte shumë fëmijë dhe ishte mjaft i varfër. Një ditë prej ditësh e kaploi një varfëri e madhe saqë nuk i mbeti asgjë për t’i ushqyer fëmijët e tij. Pasiqë ai ishte sëmuar dhe nuk ishte në gjëndje të ngrihet nga krevati, e dërgoi gruan e tij në qytet për të kërkuar diç për familjen e tij. Gruaja shkoi me vrap në shtëpinë e një tregtari dhe kërkojë ushqim për fëmijët e saj. Tregtari iu përgjigj pozitivisht por me një kusht, që ajo të bëjë imoralitet me të! Kur dëgjoi gruaja fjalët e tij, heshti dhe u kthye në shtëpi pa gjetur gjë (me duar thatë). Fëmijët filluan të klithnin me të madhe: “Oj nëna jonë, ne gati po vdesim nga uria, andaj na jep diç për të ngrënë?” Nëna me zemër të pikëlluar shkoi përsëri tek tregtari dhe i tregojë për gjëndjen e vështirë të fëmijëve të saj në mënyrë që sado pak të ketë mëshirë për ta dhe ta ndihmojë. Por ai prap i tha se nëse dëshiron ta ndihmojë, së pari duhet t’i realizohet kërkesa e tij! Më në fund gruaja pranoi dhe kur u vetmuan, filloi të dridhet e tëra e ai e pyeti: “Çke, përse dridhesh?” “Unë i frikësohem All-llahut” – ia ktheu ajo. Atëherë njeriu u ndal, mendoi pak e i tha: “Kur ti në këtë gjëndjë që je e ke frikë All-llahun e Madhëruar, po unë që jam në bollëk duhet të kem edhe më shumë frikë tek Ai sesa ti, andaj shko dhe merri këto begati e dërgoju fëmijëve të tu se unë s’kam për të bërë asgjë”. Gruaja e ndershme u kthye e gëzuar tek fëmijët e saj me begati të shumta dhe kur e panë fëmijët me gjëra të shumta u gëzuan tej mase. Atëherë All-llahu (xh.sh.) i shpalli Musasë (a.s.) :“Thuaj filan filanit se ia kam falur gjynahet”. Musa (a.s.) shkoi tek ai ashtu siç e porositi Zoti i tij e i tha : “O njeri, ndoshta ke bërë diçka të mirë që është në mes teje e Zotit?!” Pastaj neriu ia tregoi tregimin në hollësi, me atë rast Musa (a.s.) i tha: Vërtetë All-llahu i Lartësuar t’i ka falur mëkatet (gjynahet)…kështu është treguar në librin “Mexhmeul-letaifi”.

Transmetohet nga Pejgamberi (a.s.) i cili thotë se All-llahu i Lartësuar ka thënë: “Nuk i bashkoj tek robi Im dy frika dhe dy siguri, nëse më ka frikë Mua në jetën e kësaj bote, do ta siguroj Ditën e Gjykimit, e nëse ndihet i sigurtë në këtë botë, Unë do ta frikësoj Ditën e Gjykimit”

All-llahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Mos iu frikësohuni njerëzve, por Mua të më keni dronë (frikën)” (S. Ali Imran-175), kurse në ajetin tjetër thotë: “Mos ua keni dronë atyre, por Mua të më keni dronë nëse jeni besmtarë” (S. Maide-44).

Hz. Omeri (r.a.) kur dëgjonte ndonjë ajet, prej frikës së madhe i binte të fikët. Një ditë, mori një fije kashtë e tha: “Mjerë për mua, kam qenë sikur kjo fije kashte, mjerë për mua, më mirë mos t’më kishte lindur nëna” dhe qante aq shumë saqë rrjedhnin lotët prej syve të tij. Në fytyrën e tij kishte dy vija të zeza që iu kishin bërë nga të qajturit me dënesë.

Pejgamberi (a.s.) thoshte : “Nuk hyn në zjarr ai që qan nga frika e All-llahut, aq sa mund të kthehet qumështi në gjinjtë e lopës”.

Në librin me titull “Rekaikul Ahbar” thuhet: “Ditën e Gjykimit vie njeriu, e veprat e tij të këqija peshojnë më shumë, pastaj urdhërohet që me to të hyj në zjarr. Mirëpo, në atë moment një qerpik prej qerpikëve të tij flet e thotë: O Zot, i Dërguari Yt Muhammedi (a.s.) ka thënë: “All-llahu nuk i djeg ata sy që lotojnë prej frikës së Tij”, e unë kam qajtur prej frikës Tënde! Atëherë All-llahu e falë robin e Vet dhe e nxjerrë nga zjarri për hirë të një qimeje të vetme që kishte qajtur në jeten e dunjasë nga frika e All-llahut të Madhërishëm. Pastaj Xhibrili (a.s.) thërret :”Shpëtoj filani i biri i filanit me një qime të vetme”!

Në librin “Bidajetul Hidajeh” thuhet edhe kjo : “Ditën e Kijametit kur njerëzit afrohen te zjarri i xhehennemit, lëshojnë afsh dhe që të gjithë gjunjëzohen prej frikës së madhe të kësaj dite ashtu siç ka thënë All-llahu i Madhëruar në Kur’anin Fisnik: “Dhe atë ditë e sheh secilin popull të gjunjëzuar, secili popull thirret te libri i vet (shënimet e veprave)” (El-Xhathijeh-28). E kur vinë (afrohen) te zjarri, dëgjojnë zërin e mizorëve duke u dënuar dhe zëri i tyre dëgjohet deri në 500 vite largësi. Secili njeri e edhe Pejgamberët thonë: Vetja ime, vetja ime, përveq më të mirit të Pejgamberëve Muhammedit (a.s.) i cili thotë: “Ummeti im, ummeti im.” Atëherë prej xhehennemit del një zjarr sikur malet, ku i tërë ummeti i Muhammedit (a.s.) përpiqet dhe mundohet ta pengojnë duke thënë: “O zjarr, për hatër të atyre që kanë kryer namazin, kanë dhënë sadaka, kanë agjëruar, si dhe për nder të njerëzve të devotshëm kthehu e mos na digj”, por zjarri nuk ndalet. Në atë çast të tmerrshëm, vjen Xhibrili (a.s.) me një enë të mbushur me ujë dhe thotë: “Zjarri ka mësyer ummetin (bashkësinë) e Muhammedit (a.s.)!” Dhe enën e mbushur me ujë ia dhuron të Dërguarit të All-llahut – Muhammedit (a.s.) duke i thënë: “O i Dërguar i All-llahut, merre këtë enë dhe me ujin e saj stërpike zjarrin, e zjarri (me lejen e Zotit) do të ndalet menjëherë!” Pejgamberi (a.s.) e pyet: “Çfarë uji është ky o Xhibril?” Ai i përgjigjet: “O Muhammed, ky ujë është loti i gjynahqarëve të ummetit tënd, të cilët kanë qajtur në dunja nga frika e All-llahut xh.sh., e tash u urdhërova që këtë enë ta dhuroi ty që me të ta stërpikësh zjarrin, e zjarri të ndalet me lejen e All-llahut!”

Një poet thoshte:

Sytë e mi a mos të qajnë për mëkatin (gjynahin)

Jeta ime është jasht duarve të mia dhe unë nuk e di

Tregohet se Muhammed bin el-Munkedir kur qante e fshinte fytyrën dhe mjekrrën me lot dhe thoshte “kam dëgjuar se zjarri nuk i djeg ato pjesë në të cilat kalon loti”. Atëherë besimtari duhet të ketë frikë ndaj dënimit të All-llahut dhe të ndaloj veten nga epshet shtazarake si*ç

ka thënë All-llahu i Lartësuar : “Sa i përket atij që ka tepruar dhe i dha përparësi jetës së kësaj bote, xhehennemi do të jetë vendi i tij. E kush u frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve (pasioneve), xhenneti është vendi i tij”! (En-naziat 37-41).

Andaj kush dëshiron që të gjej shpëtim prej dënimit të All-llahut dhe të arrijë shpërblimin dhe mëshirën e Tij, duhet të ketë durim ndaj vështirësive të kësaj bote, t’i bindet All-llahut si dhe të largohet nga mëkatet (gjynahet).

Në librin “Zehru er-rijad” rrëfehet se Pejgamberi (a.s.) ka thënë : “Banorët e xhennetit kur të hyjnë në xhennet, melaiket i presin me çdo mirësi e begati duke i vendosur në vende të larta e luksoze. Pastaj u sjellin lloje të ndyshme ushqimesh dhe pemësh dhe kur i shohin gjithë këto të mira, mbesin të habitur e All-llahu u thotë: “O robët e mi, ç’është i gjithë ky dyshim-habi kur ky vend nuk është vend i dyshimit e i habisë?” Thonë: “Ne kemi patur një premtim e veç ka ardhur koha e tij.” All-llahu u jep urdhër melaikeve që t’u heqin perdet nga fytyrat e tyre. Melaiket pyesin të habitur: “O Zoti ynë, si është e mundur që të shohin Ty kur ata ishin gjynahqarë? All-llahu u drejtohet përsëri: “Heqjuni perdet, sepse ata vërtetë kanë qenë prej atyre që më kanë përkujtuar Mua, kanë bërë sexhde dhe kanë qajtur shumë në dunja duke lakmuar në takimin Tim (të më shohin Mua).” Atëherë u ngritën perdet dhe kur e shikojnë All-llahun e lartësuar (e nuk ka kënaqës më të madhe), menjëherë i bijnë në sexhde Atij. Por, All-llahu u thotë atyre: “Ngritni kokat tuaja, se ky nuk është vend i punës, po vend nderimi.” Në atë moment, All-llahu u shfaqet atyre (duke mos pyetur se si) dhe me një kënaqësi u drejtohet atyre: “Paqja dhe bekimi Im qoftë mbi ju o robët e Mi, Unë vërtetë jam i kënaqur me ju, po ju a jeni të kënaqur me Mua?” Të gjithë një zëri thonë: “Po si të mos jemi të kënaqur o Zoti ynë, kur Ti na dhurove të mira që syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar e as që e ka paramenduar dhe përjetuar njeriu.”

Lidhur me këtë ëshë fjala e All-llahut të Madhëruar : “All-llahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur ndaj Tij”(El-Maide-119) “Kanë selam, thënie e Zotit Mëshirues!”(Jasin-58)

Përktheu nga gjuha arabe

Enes ef. Koshi

Artikulli paraprakTinexherja perëndimore – Përse e barti mbulesën (hixhabin)?
Artikulli vijuesIslami ndërmjet Religjionit dhe Kombit