“Shqiptarët Ortodoksë në Republikën e Maqedonisë” është titulli i veprës së autorit Branisllav Sinadinovski, e cila sot u promovua në Universitetin i Tetovës, e përkthyer në gjuhën shqipe nga dekani i Fakultetit të Filologjisë të UT-së, Fatmir Sulejmani. Në promovimin e këtij libri të pranishëm ishin rektori i UT-së, Vullnet Ameti, Nënkryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Rafiz Haliti, prorektorët,. Reshat Qahili dhe Prof. dr. Alifeta Selimi, Sekretari i përgjithshëm, Adem Beadini, profesorë dhe studentë.
Përkthyesi i kësaj vepre në gjuhën shqipe, Fatmir Sulejmani tha se e veçanta e asimilimit të shqiptarëve ortodoksë të Rekës është heshtja mortore që e ka shoqëruar procesin e konvertimit të pashembullt etnik të dhjetëra mijëra njerëzve – indiferenca e shqiptarëve të besimit ortodoks, që u asimiluan pabëzajtur dhe indiferenca e shqiptarëve të besimit islam, që nuk e panë gjëmën e vëllezërve të gjuhës e të gjakut. “Ndaj, aq sa flet kjo vaki për perfiditetin dhe metodat e sofistikuara të asimilimit në fjalë, po aq ndriçon ndërgjegjen tonë kolektive dhe gatishmërinë për t’u shkrirë në asgjë me lehtësi të papërballueshme, pa një zë të fuqishëm protestues, pa një alarm serioz në mediat brenda a jashtë kësaj shkretishteje, pa një rebelim promoteu, të gatshëm t’ia dhurojë popullit zjarrin, ta vetëdijësojë atë se është duke jetuar stinën e ligë që e shfytyroi gati për sejeta”, theksoi Fatmir Sulejmani.
Autori i librit, Branisllav Sinadinovski, duke iu referuar punës së tij tha se këtë qëllim timin nuk mundën ta pengojnë as konservatizmi e as forcat retrograde, duke shtuar se unë jo vetëm që e shkrova librin për shqiptarët ortodoksë të Republikës së Maqedonisë, por ia dola të dëshmoj se edhe ata njësoj si bashkatdhetarët e tyre në Shqipëri dhe gjithkund në botë, janë pjesë e pashkëputshme e tërësisë së popullit shqiptar. “Për gjithë këtë, si autor i këtij libri flas me emocione, por në mënyrë njerëzore dhe shkencore, të mbështetur në fakte dhe argument, duke dëshmuar se shqiptarët ortodoksë në Republikën e Maqedonisë dhe në vendet tjera të Shqipërisë nuk janë dhe as që mund të jenë sllavë, as maqedonas që flasin në gjuhën shqipe, sepse ata ishin dhe do të mbeten gjithmonë pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve të mirënjohur, shqiptarë ortodoksë, dhe si të tillë pjesë e pashkëputshme e tërësisë së popullit shqiptar”, shtoi mes tjerash autori i libri Branisllav Sinadinovski.