Vendimi për arrestimin e Sheshelit në rast se hyn në Kosovë [dokument]

Kryetari i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë për të marrë pjesë në një tubim të degës së partisë së tij në Mitrovicë të veriut.

Por, ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka deklaruar se tentimi që Shesheli për të hyrë në Kosovë do të rezultojë me arrestimin e tij, raporton Koha.net.

E për të penguar hyrjen e tij në territorin e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme ka marr një vendim i cili u është përcjellë të gjithë komandantëve dhe shefave të operativës në stacionet policore në veri të Mitrovicës.

Në atë vendim, të cilin e ka publikuar mediumi serb “Pravda”, Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, ka kërkuar nga komandantët dhe shefat e operativës në veri që të zbatojnë në mënyrë strikte urdhrin e MPB-së për t’ia ndaluar hyrjen Sheshelit në Kosovë.

Ky është emaili i plotë i Hotit drejtuar komandantëve dhe shefave të operativës në veri të Mitrovicës:

“Të nderuar komandantë dhe shefa të operativës,

Në vijim mund të gjeni vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.

I drejtohet të gjithë pjesëtarëve të stacioneve policore në veri të Mitrovicës, që:

Në mënyrë strikte të zbatojnë urdhrin për t’ia ndaluar hyrjen në Kosovë, Vojisllav Sheshelit.

Zyrtarët e inteligjencës nga të gjitha stacionet të punojnë në mbledhjen e informacioneve në lidhje me informacionin e mësipërm, dhe të njëjtat menjëherë t’i paraqesin pranë zinxhirit komandues.

Patrullat dhe njësitet e komunikacionit të shtojnë kontrollet ndaj rrugëve magjistrale dhe atyre dytësore për të zbatuar qëllimet operacionale.

Urdhri hyn në fuqi menjëherë.

Ju lus që të përgjigjeni me shkrim në këtë email për të konfirmuar se e keni pranuar urdhrin”.20160412085238207

Siç raporton mediumi serb, “Pravda”, ky njoftim u është dorëzuar mbrëmë përfaqësuesve të Partisë Radikale Serbe në Mitrovicë.

Ndërkaq, Policia e Kosovës thotë të mos ketë marrë asnjë kërkesë nga udhëheqësi i Partisë Radikale, Vojisllav Sheshel që ai të vijë sot në Kosovë.

Zv.komandanti i PK-se në Mitrovicën veriore, Besim Hoti, ka thënë për KTV-në se zyrtarisht s’ka asnjë informatë por ata janë të përgatitur për gjithçka.

“Neve na e ka përcjell Prishtina atë ndalesë për të dhe ne duhet të bëjmë çmos që ai të mos futet në Kosovë. Për neve ajo është urdhëresë që ndalohet hyrja e tij në Kosovë dhe ne duhet ta zbatojmë atë”, i ka thënë KTV-së Hoti.

Ai ka shtuar se Partia Radikale e ka lajmëruar tubimin zgjedhor në veri por aty nuk është thënë se do të marrë pjesë Shesheli.

MPJ ditë më parë e ka shpallur person non grata Sheshelin duke ndaluar edhe hyrjen e tij në Kosovë. Kur ai u shpall i pafajshëm nga Haga, ministri i Jashtëm në detyrë, Petrit Selimi në Twitter pat shkruar se nëse ai vjen në Kosovë do të arrestohet.

Artikulli paraprakFH: Stagnimi në Shqipëri, pasojë e korrupsionit që ka depërtuar thellë
Artikulli vijuesShtypet nga treni teksa bënte ‘selfie’