Shoqata e të Burgosurve Politikë reagon ndaj keqtrajtimeve e të të burgosurve shqiptarë në Maqedoni

Shoqata e të Burgosurve Politikë Shqiptarë, reagon ashpër për keqtrajtimin e të burgosurve shqiptarë nëpër kazamatet e vendit. Rasti i lëndimit të rëndë trupor të burgosurit shqiptar nga Narashti i Tetovës, të cilit i është thyer hunda dhe disa brinjë, dhe jo vetëm ai, duhet të jetë një alarm i fuqishëm për përfaqësuesit e partisë shqiptare në pushtet. Rrëshqitja dhe rrëzimi në shkallët e burgut, ardhja e postës pas mesit të natës, do të shkosh nesër në shtëpi, mirëpo rrobaqepësi duhet ta marrë masën, është refreni që ne të burgosurit e kishim dëgjuar dhjetra herë derisa i vuanim dënimet si të burgosur politik nëpër burgjet e Jugosllavisë dekada me radhë. Ku është logjika që të burgosurit e Kumanovës, të Tetovës dhe të Shkupit t’i vuajnë dënimet nëpër burgjet e Velesit, Manastirit dhe të Shtipit. Kjo bëhet me të vetmin qëllim që mentaliteti bizantino-komunist i  organeve të represionit, sikurse që janë gjyqet, shërbimet sekrete, policia dhe drejtoritë e burgjeve ti malltretojnë jo vetëm të burgosurit shqiptarë por edhe familjarët e tyre. Se ka torturë dhe keqtrajtim të paraburgosurve dhe të burgosurve, theksohet për çdo vit në Raportin e Avokatit të Popullit, të Stejt Departmentit dhe të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Mos u habisni në rast se lexoni nesër se ndonjë i burgosur është vetëvarur ose është mbytur në kovën që të burgosurit e kanë në qelitë e veta për të kryer navojat fiziologjike ( rasti i një të burgosuri në burgun e Ohrit)vite më parë.

Që të jetë katrahura edhe më e madhe, ministri i Drejtësisë, nën kompetencat e të cilit janë edhe burgjet, është shqiptar.

-Të burgosurit politikë shqiptarë, dhe jo vetëm ata, janë lënë në mëshirën e çobanëve, lopçarëve dhe kriminelëve të veshur me petkun e pushtetit. E vetmeja rrugë që të burgosurit politikë ta mbrojnë veten është që të formojnë një shoqatë të burgosurve politikë shqiptarë, e cila do të merret me sensibilizimin e opinionit për gjendjen e tyre aktuale nëpër burgjet e dërzhavës.

Avokati i Popullit  dhe Komiteti i Helsinkit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, disa here kanë reaguar për gjendjen e mjerueshme nëpër burgjet e Maqedonisë dhe çdo gjë mbaron me kaq, pasi ata nuk kanë mekanizma për përmirsimin e gjendjes dhe ndëshkimin e keqbërësve.

Nuk ndihet reagimi I institucioneve ndërkombëtar, të cilët kanë dhënë mbi njëqind milionë Euro për përmirsimin e kushteve nëpër burgjet e vendit. Nuk do të thotë përmirsim i kushteve vetëm ngjyrosja e fasadave të burgjeve që e praktikon pushteti aktual. Ai që i jep paratë duhet të kërkojë edhe llogarinë se si  shpenzohen ato para. Delegacionet e sotëm që i vizitojnë burgjet, le të mos veprojnë si delegacionet e huaj në kohën e komunizmit, kur dihej se cilin repart do ta vizitojnë dhe me cilin të burgosur do të bisedojnë. Kërkojmë që në një delegacion që do të udhëhiqej nga Këshilli e Europës për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut të ketë edhe përfaqësues nga Shoqata e të Burgosurve Politikë Shqiptarë, se vetëm ne ua dijmë hallin të burgosurve politikë shqiptarë dhe jo vetëm atyre.

Duhet të ruhet dinjiteti i një të burgosuri, pa marrë parasysh se përse ai është i burgosur, këte ia garantojnë të gjithë aktet Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut. Sipas fotografive që i shohim dhe sipas të dhënave që i dëgjojmë nga familjarët e të burgosurve vërtetohet se të burgosurit politikë (tani të quajtur terroristë, dikur të quajtur separatistë , nacionalistë dhe irredentistë) tani janë në gjendje më të keqe se në kohën e komunizmit, duke nisur nga paraburgimi dhe burgu i rregullt. Vetë fakti që deri në ditët e sotme nuk është dënuar asnjë bishë me uniformë, që i ka keqtrajtuar të burgosurit, flet në dobi të argumentit se në këtë atdhe të Musës në ikje dhe haresë, stimulohet keqtrajtimi i të burgosurve politikë shqiptarë, them të burgosur politikë, pasi shumica e atyre që janë të dënuar për terrorizëm, motivin e kanë pasur politik. Të gjithë këta të burgosur duhet të rigjykohen si të burgosur politikë, dhe të përfshihen në një amnesti të përgjithshme.

Është koha e fundit që pushtetarët e sotëm të bëjnë diçka në lidhje me përmirsimin e kushteve nëpër burgje, nuk i dihet, se në fund secila dele varet për këmbën e vetë, thekson Shpëtim Pollozhani.

Artikulli paraprakFreedom House: Korrupsioni në Shqipëri, treguesi më negativ
Artikulli vijuesParalajmërimi i veteranëve: Mos na i prekni pensionet