Haradinaj, sot zotëron patundshmëri shumë të vlefshme. Në pronësi të tij është shtëpia-pallat në Dragodan, një banesë në lagjen luksoze Marigona dhe kullat në fshatin Gllogjan. Po ashtu është pronar i qindra hektarëve tokë të blerë nëpërmjet procesit të privatizimit. Miqtë, megjithatë, nuk bëjnë kaq shumë dhurata.
Administrata publike gjatë viteve 2004-2005 nuk ka qenë kaq e madhe sa është sot.
Por, ka qenë e mjaftueshme për të dërguar nga një euro nga secila thirrje në Fondin për mbrojtjen e Ramush Haradinajt.
Këto telefonata të kushtueshme për buxhetin e shtetit kanë vazhduar për muaj të tërë nga zyrat e Qeverisë që për 100 ditë ishte drejtuar nga Haradinaj, nga zyrat e komunave që drejtoheshin prej LDK-së që ishte në koalicion me AAK-në dhe nga zyrat e komunave që drejtoheshin prej PDK-së.
Mobilizimi për të vjel sa më shumë para me anë të telefonatave kishte dhënë rezultat.
Teksa Ramush Haradinaj, po përballej me akuzat për krime lufte në Hagë, njerëzit e tij po shpërlanin para nëpërmjet fondit të krijuar për mbrojtje. Krejt kjo po bëhej në emër të patriotizmit dhe solidarizimit me një hero të gjallë lufte.
Mes njerëzve që po shpërlanin para ishin edhe ata që Haradinaj, i quan miq.
Kjo ndihmë miqsh është cilësuar shpërlaje parash nga Gjykata në Prishtinë e cila ka dënuar me burgim drejtuesin e këtij fondi, Jahja Llukën.
Nuk mund të cilësohej ndryshe, pos pastrim parash sepse për një ditë të vetme, Jahja Lluka ka depozituar në llogarinë bankare të këtij fondi 350 mijë euro.
Saktësisht, më 24 nëntor 2005 kishte kryer 39 deponime në Kasa Bankë, secila në vlerë prej nëntë mijë eurosh. Duke deponuar para nën dhjetë mijë euro, bankat nuk kërkojnë prejardhjen e tyre.
Në këtë formë ishin deponuar mbi gjysmë milioni euro, siç thuhej të mikut të Haradinajt, Hysen Gecit – një ortak biznesi i Harry Bajraktarit. Ndonëse ishte cilësuar hua, 535 mijë eurot e Gecit ishin depozituar në vlera prej nëntë mijë eurosh.
Nëpërmjet këtij fondi për mbrojtjen e Haradinajt, janë pastruar para me prejardhje kriminale.
Pasurimi i Haradinajt dhe komandantëve të tjerë të zonave operative ka nisur menjëherë pas luftës. Atyre u janë dhënë nga një milion marka nga Qeveria e Përkohshme menjëherë pas luftës. Këto gjashtë milion marka të mbledhura nga bashkatdhetarët, janë dhënë me “qëllim të strehimit, menaxhimit dhe ndihmës së popullatës civile”.
Kurrkush nuk ka përfituar prej tyre pos pranuesit e këtyre milionave.
Haradinaj, është i vetmi prej komandantëve që foli për pasurimin e tij. Pasurimin e dyshimtë, ai e mbështolli me aktet patriotike të familjes së tij. Me këto akte, u përpoq ta mbulojë prejardhjen e dyshimtë të pasurisë milionëshe.
Haradinaj, sot zotëron patundshmëri shumë të vlefshme. Në pronësi të tij është shtëpia-pallat në Dragodan, një banesë në lagjen luksoze Marigona dhe kullat në fshatin Gllogjan. Po ashtu është pronar i qindra hektarëve tokë të blerë nëpërmjet procesit të privatizimit.
Miqtë, megjithatë, nuk bëjnë kaq shumë dhurata.