Më shumë se 200 milionë euro ka arritur shuma e borxhit të institucioneve në fund të vitit që lamë pas. Bazuar në të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave shihet se pjesa më e madhe e borxhit i përket Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), në emër të shpronësimit të pronave për ndërtim të autostradave, apo edhe realizim të projekteve tjera në vend.
Ndërkaq, shuma tjetër është borxh që institucionet qendrore e lokale kanë ndaj bizneseve të cilat kanë realizuar projekte të ndryshme, por nuk i kanë marrë paratë ashtu siç është paraparë me kontratë.
Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave (MF) shihet se borxhi i MMPH-së deri më 31 dhjetor të vitit që lamë pas është 146 milionë euro, e derisa shuma e borxhit në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ishte 114 milionë euro.
“Shuma prej 145,571,431 e raportuar nga MMPH-ja përfshin vendimet e shpronësimit për pronat private në shumë prej 54,422,439.80 euro, pronat publike në shumë prej 15,503,859 euro, pronat shoqërore në shumë prej 45,454,998.20 euro, pronat komunale 13,584,264.00 euro, dhe objekti i Rilindjes 16,605,870.00 euro”, thuhet në raportin vjetor të Ministrisë së Financave për vitin 2015.
Pas kësaj, Ministria e Infrastrukturës prin sa i përket shumës së borxhi. Bazuar në të dhëna zyrtare shuma e borxhit të kësaj Ministrie ndaj operatorëve privatë deri në fund të vitit paraprak ka arritur në 22,3 milionë euro, e derisa në fund të vitit 2014 shuma e borxhit të Ministrisë ndaj operatorëve privatë ishte vetëm 1 milion euro.