Muhamed B. Sytari
Emrin e Imam Sejjid Ahmed Rifaiut e kam dëgjuar para shumë vitesh. Që në ditët e para të mësimeve fetare, emri i tij përmendej sidomos nga më të moshuarit, që kujtonin ilahitë e Sheh Ahmed Shkodrës, Vëllazërinë Rifaite të Sheh Ali Krujës, Tarikatin Rifai etj.
Me kalimin e viteve dhe studimet teologjike në Damask, njohuritë e mia mbi jetën dhe botën e Imam Rifaiut u qartësuan edhe më shumë, sidomos nga mësimet e lëndës së Tesavvufit (Sufizmit), derseve të ndryshme, leximeve dhe historive, ku përmendej emri i tij etj.
Para ca ditësh më ra në dorë një libër në gjuhën arabe, i vogël në vëllim, me titull: “Urtësitë e zotërisë së nderuar Ahmed Er-Rifai (radijall-llahu anhu)”, botim i vitit 1407 h., në Haleb të Sirisë (All-llahu iu bëftë ndihmë popullit sirian dhe e pastroftë tokën e bekuar të Shamit Sherifë nga fëlliqësia e shpirtshiturve).
Në parathënie sqarohet se libri në fjalë është një letër e gjatë që Imam Rifaiu ia dërgon dijetarit bashkëkohas të tij, Shejkh Abdusemi El-Hashimi.
Në hyrje bëhet edhe një biografi e shkurtër e Imamit, ku përmendet, se ai: “u lind në rrethinat e Bagdadit në vitin 512 h. Në moshën 7 vjeçare i vdes i ati… Ndërroi jetë në vitin 578.)…” Natyrshëm përmendet edhe prejardhja e tij, që mbërrin deri tek Hz. Aliu (r.a), nëpërmjet shehidit të Qerbelasë, të birit, Husejnit (r.a).
Për zotërinë e tij, Imam Dhehebiu shkruan: “Imami, shembulltyra, adhuruesi, asketi, Shejkhul-Arifine”
Ndërsa, përsa i përket urtësive dhe këshillave të tij, drejtuar Shejkh Hashimiut, shumë interesante është mënyra e komunikimit të tij plot thjeshtësi, teksa i thotë: “(Pas besmelesë, hamdit dhe salavateve) Nga robi, asgjëja, Uhajmid (zvogëlim i emrit Ahmed), për Hoxhën e nderuar, vëllaun tonë Abdusemi El-Hashimi, All-llahu iu bëftë ndihmë atij, ne dhe muslimanëve, Amin.”
Dhe në vijim, letra me rreth 200 porosi/urtësi, një pjesë të cilave dëshiroj t’i ndaj sot me ju, sa vijon:
“O vëllau im, të porosis t’i frigohesh All-llahut, të pasosh Synetin e të Dërguarit të Tij (a.s), sikurse dëshiroj ta ruash këtë këshillë që po të jap, sepse ajo është e dobishme për ty dhe shokët e tu, inshallah. Dhe ruaju, mos e vendos në duart e jofamiljarëve të saj, se i bën padrejtësi!
O Abdusemi,
1. I varfri, kur i del zot vetvetes do të lodhet e, nëse ia dorëzon çështjen e tij All-llahut, Ai do ta triumfojë, pa farefis e familje!
2. Mendja është thesari i dobive, kimia e lumturisë.
3. Dituria është nder në këtë botë, krenari në ahiret.
…
8. Fletorja e gjendjes së njeriut janë shokët e tij.
…
10. Çdo e vërtetë që kundërshton Sheriatin, është zendeka (shthurrje drejt femohimit).
…
20. Kush cënon krijesat, do të zvogëlohet tek Krijuesi dhe kush i shkel krijesat do të bjerë nga Syri i të Adhuruarit!
…
22. Ai që mbrohet me mburojën e durimit, ka shpëtuar nga shigjetat e përshpejtimit.
…
26. Krejt krijesat, as sjellin dobi, as bëjnë dëm. Ato janë perde që i ka vendosur para robëve të Tij. Kush i largon ato perde, ka mbërritur tek Ai!
27. Qetësimi me dikë tjetër pos Tij është frikë, frikësimi prej Tij, qetësim nga të tjerët!
…
29. Sufi është ai që është pastruar dhe që nuk i sheh vetvetes ndonjë veçori mbi të tjerët.
…
34. Kjo botë dhe ahireti gjenden në mes të dy fjalëve: mendje dhe fé!
…
37. Prijësi është ai që të obligon të pasosh Librin dhe Synetin dhe ai që të largon nga shpikjet dhe risitë!
…
40. Kur’ani është deti i krejt urtësive, po ku është veshi që kupton?!
41. Tringëllima e suksesit dëgjohet aty ku trokitet dera e kënaqësisë me All-llahun.
42. Pëlqeje atë që të vjen nga All-llahu, flej i kënaqur, do të fitosh sigurinë!
…
44. Tek All-llahu nuk është asgjë, ai që e sheh veten ndonjë gjë!
…
62. Nëse e sheh dikë që fluturon mbi ujë, mos u gënje derisa ta peshosh fjalën dhe veprën e tij me peshoren e Sheriatit!
…
70. Ai që krenohet me Poseduesin e krenarisë, do të lartësohet e, kush krenohet me dikë tjetër pos Tij, do të mbetet bashkë me të, pa krenari!
…
82. Nuk ka shërim për budallëkun, asgjë s’e pengon të vërtetën, nuk ka shoqëri për të vetëkënaqurin, nuk ka besë për të pabesin, nuk ka nur për gafilin, nuk ka besim për atë që nuk ka besë!
…
111. Begatia e robit është në kohën, kur afrohet me All-llahun e Madhëruar! …” Etj.
Sot, kam dëshirë të vazhdoj të ndaj me ju pjesë nga leximet e mia në librin e urtësive të Sejjid Ahmed Rifaiut, dijetarit të urtë, adhuruesit të shquar, pasuesit të Traditave të Gjyshit të tij, Hz. Muhammedit (a.s).
Në letrën që i dërgon Shejkh Abdusemi Hashimiut, ndër të tjera e këshillon:
“113. Njohja e All-llahut është në disa shkallë, më e larta e tyre është madhërimi i urdhëresave të All-llahut të Madhëruar!
114. Në mes robit dhe All-llahut është vetëm perdja e hutimit, asgjë tjetër. Ai thotë: “Më kujtoni, t’ju kujtoj!”
…
128. Shoqërimi me të këqinjtë, budallenjtë, të padrejtët dhe ‘ehli-hasedin’ – (smirëzinjtë), është errësirë e zezë!
…
135. Kush nuk i peshon fjalët, veprat dhe gjendjen e tij me Kur’an e Synet, në çdo kohë, si dhe nuk kritikon paragjykimin e tij, nuk ka vend në Divanin e burrave tek ne!
…
137. Ai që drejton veten e tij, tjetërkush do të drejtohet me të! Por, si të drejtohet hija, kur dega është e shtrembër?!
…
140. Ruaju se mos e sheh gjendjen e thjeshtësisë dhe asketizmin tënd ndonjë gjë!? Uria pa njohuri dhe edukatë Muhammedane, është cilësi nga cilësitë e qenve!
…
147. Syno All-llahun në jetën tënde! Për të mbërritur drejt Tij kapu pas cepit të rrobës së Resulull-llahut (a.s), Sheriatin e pastër vër para sysh, duke vështruar nga rruga e unitetit!
…
154. Lavdëroje të mirën, refuzoje të keqen, mos u ul as mos u ngrit, pa përmendur All-llahun! Ndenja jote le të jetë butësi dhe dituri, përkushtim, turp dhe besë! Ulu me të varfrin, ha me të mjerët!
155. Mos u nervozo, mos u bëj arrogant, mos kritiko njeri! Mos fol, vetëm aty ku shpreson të shpërblehesh (të fitosh sevape). Jepi çdokujt që rri pranë teje hakun e tij dhe mos e kurse nga njerëzit mirësinë tënde!
…
157. Ruaji, gjuhën dhe veshin tënd, nga fjalët e ulëta! Mos e poshtëro shërbyesin, as mos e kthe mbrapsht atë që të kërkon një nevojë, pa e marrë atë, a të ngjashme nga fjalët e ëmbla!
158. Po pate mundësi të zgjedhësh në mes të dy alternativave, zgjidh më të lehtën, nëse nuk është e ndaluar!
159. Përgjigju atij që të kërkon, interesohu për shokët dhe vëllezërit! Fale atë që të ka bërë padrejtësi, mos e kthe të keqen me të keqe! Ngrihu natën dhe qaj në prag të derës, qetësohu vetëm me All-llahun, Ai të mjafton Mbrojtës!
160. Imami ynë, Shafiiu, ka thënë: Ai që dëshmon dobësinë në veten e tij, do të arrijë istikametin, (drejtimin në rrugën e udhëzimit)!” Etj.
All-llahu i Madhëruar qoftë razi me të parët tanë, imamët e udhëzimit, pishtarët e dashnisë së pastër, busullat e drejtimit nga rruga e drejtë dhe e pastër e besimit, pastrimit dhe lidhjes së pandarë me Madhninë e Tij, Zotin e Vetëm të gjithësisë!
All-llahu i Madhëruar e mëshiroftë Sejjid Ahmed Rifaiun, sa i urtë dhe i thellë që ishte…
Shkodër, 30 prill 2016