Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndaluar ndihmën financiare për Pakistanin, pas refuzimit të anëtarëve të Kongresit amerikan.
Kjo ndihmë synohej për blerjen e aeroplanëve luftarakë amerikanë F-16 nga Pakistani.
Kundërshtimi i Kongresit nënkupton se fondi i alokuar i qeverisë amerikane nuk do të mund të përdoret ashtu siç planifikohej për blerjen e këtyre pajisjeve luftarake, ka njoftuar zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby.
Administrata e Obamës kishte aprovuar shitjen e tetë aeroplanëve ushtarakë F-16 në muajin shkurt, dhe po planifikonte dhënien e kredive për këtë marrëveshje, që vlerësohet se arrin shumën e rreth 700 milionë dollarëve.
Sidoqoftë, senatori republikan, Bob Corker, tha se ai do ta përdorë fuqinë e tij si kryesues i Komitetit të Senatit për Punë të Jashtme, që ta ndalojë çfarëdo subvencioni amerikan, duke i drejtuar Pakistanit një mesazh se ky vend duhet të bëjë më shumë në luftën kundër terrorizmit.