Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, do të presë sot liderët e pesë vendeve nordike, ndërsa në krye të agjendës së bisedimeve do të jetë aktiviteti i rritur ushtarak i Rusisë.
Udhëheqësit e Suedisë, Danimarkës, Finlandës, Norvegjisë dhe Islandës do të priten në Shtëpinë e Bardhë.
Aneksimi i Krimesë nga Moska, në vitin 2014, ka alarmuar fqinjët nordikë dhe baltikë të Rusisë.
Derisa NATO po shqyrton mënyrat për të penguar agresionin e mëtejshëm rus, Shtëpia e Bardhë dëshiron po ashtu të shprehë mbështetje për aleatët e saj në Evropën veriore.
“Është mënyrë e dërgimit të sinjalit se SHBA është thellësisht e angazhuar kur bëhet fjalë për sigurinë në rajon”, ka thënë Charles Kupchan, këshilltar i Obamës për çështjet evropiane.
Në takimin e sotëm në Shtëpinë e Bardhë do të diskutohen edhe krizat në Siri dhe Irak.