Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, për ish-kryebashkiakun e Dibrës Shukri Xhelili. Ish-zyrtari do të hetohet në këtë masë sigurie për akuzën e “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë”, pas dyshimeve se i ka kërkuar një 20- vjeçareje favore seksuale në këmbim të një vendi pune.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura për publikun, ish-kryebashkiaku ka pretenduar se videoja është e montuar. Përmes avokatit të tij mbrojtës, Ferdinand Doja, ish-kryebashkiaku ka kërkuar një masë më të butë sigurie. Sipas burimeve pranë Gjykatës, avokati ka pretenduar mungesën e provave ligjore për mbajtjen të izoluar të klientit të tij.
Avokati ka paraqitur rezerva në lidhje me video-regjistrimin e kryer nga denoncuesja 20- vjeçare, për shkak se materiali video i është vënë në dispozicion Prokurorisë përmes një USB-je. Sipas avokatit, një material në USB është lehtësisht i manipulueshëm.
Doja ka përmendur disa vendime të Gjykatës së Lartë, ku videoregjistrime të fshehta nuk janë konsideruar provë për shkak se nuk dihet burimi origjinal i saj. Pretendimet e mbrojtësit janë kundërshtuar nga përfaqësuesi i Prokurorisë në sallën e gjyqit.
Sipas prokurorit, bazuar në veprimeve hetimore të deritanishme ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari ka kërkuar favore seksuale nga kallëzuesja, në këmbim të punësimit të saj në një nga institucionet vartëse të Bashkisë Dibër.
Sipas prokurorit, masa e sigurisë “arrest në burg” e caktuar në mungesë duhej të lihej në fuqi, si masa më e përshtatshme e sigurisë ndaj tij. Në përfundim të seancës, gjyqtarja Miliana Muça ka lënë të pandryshuar masën e caktuar në mungesë ndaj Xhelilit.
Gjatë një prononcimi për mediat jashtë sallës së gjyqit, mbrojtësi Doja këmbënguli në pavlefshmërinë e video-regjistrimit.
“Gjykata e Lartë ka dhënë më shumë se një vendim lidhur me këto lloj regjistrimesh, që janë absolutisht të pavlefshme si prova. Asnjëherë nuk janë marrë si provë nga drejtësia shqiptare”, tha avokati.