Beogradi dhe Prishtina ishin afër marrëveshjes për kodin telefonik

Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për të përdorur kodin ndërkombëtar të Shqipërisë të telefonisë fikse dhe mobile nuk ka krijuar shumë reagime në Bruksel, por është parë më shumë si shprehje e frustrimit të kosovarëve me faktin se tash e sa vjet nuk është gjetur një zgjidhje për këtë çështje. Diplomatët të cilët i ka kontaktuar gazeta nuk besojnë se ndonjëherë do të realizohet ideja që Kosova të përdorë kodin e Shqipërisë, në një masë edhe për shkak se vlerësojnë se Shqipëria nuk do të ketë guxim për një gjë të tillë duke u frikësuar nga prishja e raporteve me disa qarqe në BE. „Ky vendim i Kuvendit është i kuptueshëm ndonëse nuk mendoj se është i mirë. Kosova duhet të ketë kodin e vet ndërkombëtar e jo të shfrytëzojë ndonjë kod tjetër. Kjo ka qenë temë e dialogut dhe, sipas njerëzve të BE-së të përfshirë në lehtësimin e dialogut, pothuajse ishte arritur një marrëveshje e mirë për të dyja palët. Tash nëse vazhdohet dialogu, apo ngrihet në nivel të lartë politik, marrëveshja për telekomunikacionin është gati“, i ka thënë një diplomat i lartë i BE-së „Kohës Ditore“.

„Kosova do të mund të thoshte se ka fituar, sepse tash ka kodin e vet ndërkombëtar. Serbia do të mund të thoshte me të drejtë se kjo nuk nënkupton se Kosova është shtet i pavarur, sepse kode të veta telefonike kanë edhe Hong-Kongu dhe Taiwani, të cilat nuk janë shtete, njëri së paku nuk është i njohur ndërkombëtarisht. Për më tepër Beogradi do të mund të thoshte se ka mbrojtur edhe interesat e veta ekonomike, duke pasur një operator të Serbisë në Kosovë, dhe se i ka mbrojtur edhe interesat e serbëve që jetojnë në Kosovë“, ka thënë një bashkëbisedues i gazetës.

Disa burime tjera të BE-së kanë thënë se pos problemeve politike në tema të tilla shpesh edhe paratë paraqesin problem, sepse, siç janë shprehur ato, „disa interesa personale dhe të disa qarqeve përzihen në raste të tilla“.koha/kohaislame

Kundër përdorimit të kodit telefonik të Shqipërisë, duke thënë se „kjo nuk është një ide e mirë“ është shprehur edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek. „Kosova nuk duhet të përdorë kodin e dikujt tjetër, por si të gjitha shtetet e pavarura duhet të ketë kodin e vet“, ka thënë Lunacek. Ajo ka shprehur bindjen se edhe në sport dhe muzikë së shpejti personat e mirënjohur, si xhudistja Majlinda Kelmendi në Lojëra Olimpike apo këngëtarja Rona Nishliu në Eurovizion të mund të përfaqësojnë Kosovën dhe të mos kenë nevojë të marrin pjesë si përfaqësuese të Shqipërisë

Artikulli paraprakAnijet kineze rrethojnë ishujt kontestues
Artikulli vijuesÇ’thuhet në transkriptin e intervistimit të Pacollit në polici