Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka informuar sot anëtarët e Kabinetit qeveritar për lirimin nga detyra të ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani.
“Dëshiroj t’ju njoftoj se z. Agani, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka kërkuar të lirohet nga pozita e ministrit. Në harmoni me qëndrimet që ne i kemi pasur gjatë themelimit të koalicionit qeverisës dhe të përcaktimit tonë të zbatimit të ligjit, unë e vlerësoj gjestin e ministrit Agani dhe vlerësoj se ne duhet të zbatojmë të gjitha procedurat, të zbatojmë ligjin dhe të mundësojmë që në mënyrë të pavarur institucionet e drejtësisë ta kryejnë punën e tyre”, tha kryeministri Mustafa.
Sipas komunikatë për medie, Qeveria në mbledhjen e sotshme ka miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal. Ky projektligj ka për qëllim sigurimin e nivelit minimal të shërbimeve komunale në komunat e caktuara, që kanë popullsi më pak se njëzet e dy mijë banorë.
Po ashtu është aprovuar Koncept dokumenti për hartimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Rrugët, i cili rekomandon hartimin e ligjit dhe akteve nënligjore në bazë të të cilave krijohet mundësia e adoptimit të legjislacionit evropian për rregullimin e kësaj fushe në Republikën e Kosovës.
Edhe Koncept dokumenti për rregullimin e profesioneve të arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit, është aprovuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme.
Qeveria ka miratuar në parim edhe nismën për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2017 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
U mor vendim edhe për emërimin e zyrtarit përgjegjës për Programin Shtetëror të Sigurisë së Aviacionit Civil dhe është themeluar Komiteti për Programin Shtetëror të Sigurisë së Aviacionit Civil në Republikën e Kosovës.
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Manifestimin e Ditës së Komunitetit Goran në Republikën e Kosovës.
Aprovimin e kabinetit qeveritar e ka marr edhe vendimi për trajtimin e kafshëve të konfiskuara, të cilat dyshohet se janë të kontrabanduara. Me këtë vendim caktohet Strehimorja e përkohshme e kafshëve të konfiskuara në perimetrin e Burgut të Dubravës në Istog. Kafshët e konfiskuara trajtohen nga Doganat e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në Republikën e Kosovës.