Bilanci i tragjedisë së re në brigjet e Egjeut ka shkuar në 4 të vdekur, ndërsa një tjetër person konsiderohet i zhdukur, transmeton Top Channel.
Gjashtë të tjerë janë shpëtuar nga Forcat e Marinës Ushtarake, që po zhvillon operacionin e kërkimit në zonën detare në Lindje të ishullit të Lesbosit. Midis viktimave janë një vajzë 4 vjeç, një djalë i vogël dhe dy të rritur.
Tragjedia ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur një barkë që transportonte 11 refugjatë nga brigjet turke drejt ishullit grek është mbytur për arsye që ende nuk dihen.
Edhe pse ka ditë që fluksi i refugjatëve nga Turqia është reduktuar në maksimum, në 24 orët e fundit janë drejtuar drejt brigjeve greke dy barka me të paktën 90 persona, të cilët janë shpëtuar nga Forcat e Marinës detare.
Duke pritur zbatimin e marrëveshjes Turqi-BE, në ishullin e Lesbosit ndodhen 2.842 refugjatë, në Hio 2.425 dhe në Samo 1.064. Shumica e tyre kanë bërë kërkesë për azil.