Rrjeti tradhtar do të ekzekutonte të gjithë protokollin shtetëror në përvjetorin e themelimit (18 korrik) të Gardës Presidenciale të Republikës së Turqisë, nëse nuk do të krijohej mundësia për të vepruar më 15 korrik.
Mësohet se junta e organizatës terroriste guleniste (FETO) ka pasur edhe një “plan B”, që do të implementohej në rast pamundësie për zbatimin e planit të 15 korrikut për grusht shteti.
Është zbuluar se tradhtarët e kombit do t’i zbatonin planet e tyre më datë 18 korrik, në ceremoninë me rastin e themelimit të Gardës Presidenciale.
Puçistët do të kryenin atentat kundër parisë së shtetit, që do të mblidhej në këtë ceremoni.
Të ftuar nderi në ceremoninë, që planifikohej të realizohej ditën e hënë, më 18 korrik, ora 17.00 (18.00 sipas orës lokale në Turqi), ishin vetë Presidenti Recep Tayyip Erdogan, Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Ismail Kahraman, Kryeministri Binali Yildirim, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Fikri Isik, si dhe të gjithë këshilltarët e kreut të shtetit.
Sakaq, kodet dhe direktivat për zbatimin e këtij plani të përgjakshëm janë përcjellë gjatë shpërndarjes së ftesave për ceremoninë.
Puçistët paskan kërkuar që të ftuarit të japin informacion të prerë nëse do të marrin pjesë ose jo në ceremoni përmes një numri telefoni, që u ishte përcjellë atyre bashkë me ftesën.
Në të vërtetë, numri telefonik në fjalë përbënte një detaj të rëndësishëm për “atentatin”, që ishte planifikuar të kryhej gjatë ceremonisë.
Hetuesia ka ngritur dyshimin se rendi i ceremonisë, madje dhe vendi ku do të uleshin të ftuarit që do të konfirmonin pjesëmarrjen e tyre me telefon, do të merrte formë sipas planit të “atentatit”.
Siç bëjnë të ditur burimet hetuese, atentati i planifikuar për mbrëmjen e 18 korrikut synonte eliminimin e njëhershëm të parisë së shtetit dhe për këtë do të angazhoheshin ushtarakë të zgjedhur më parë.
Gjatë ceremonisë, një terrorist i FETO-s me uniformë ushtarake do të hapte zjarr me breshëri në drejtim të Presidentit Erdogan dhe të gjithë protokollit shtetëror, ndërkohë që disa të tjerë do të vrisnin ushtarin atentator dhe do të realizonin planin.
Pas ngjarjes, terroristët e infiltruar në sistemin gjyqësor dhe sidomos në hetuesi do të mbyllnin dosjen duke thënë se “një ushtar u çmend dhe më pas u vra nga ushtarët e tjerë”.
Në këtë mënyrë do të eliminohej edhe autori i atentatit, nga i cili mund të merreshin informacione për zbardhjen e çështjes.