BiH punon që të joshë më shumë investime turke

Biznesi turk nuk e ka kuptuar plotësisht mundësitë ekonomike të Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH) e mbetet shumë për të bërë për të sjellë marrëdhëniet ekonomike në nivelin e lidhjeve dypalëshe politike e diplomatike.

“Kur u referohemi marrëdhënieve politike e kulturore që kemi, marëdhëniet tona ekonomike e tregtare janë mjaft pas,” tha për SETimes Matda Beçiroviç, drejtore ekzekutive e Agjencisë së Nxitjes së Investimeve të Huaja (FIPA) e BiH-së.

Eksportet e Turqisë në BiH arritën në 205 milionë euro (269 milionë dollarë) më 2011, një rritje 20% nga 2010, sipas shifrave të botuar nga ministria turke e ekonomisë. Megjithatë, të dy vitet janë pas niveleve të eksporteve më 2008, që ishin 429 milionë euro (572 milionë dollarë).

Eksportet e BiH-së në Turqi janë rritur gjithashtu qëndrueshëm, duke arritur një nivel të lartë prej 68.8 milionë euro (90 milionë dollarë) më 2011, një rritje prej 25% krahasuar me eksportet e 2010-tës. Më 2001, eksportet e BiH-së në Turqi arritën në rreth 3.8 milionë euro (5 milionë dollarë).

Eksportet kryesore të Turqisë në BiH më 2011 përfshinin mallra të prodhuara, makineri e pajisje transporti — si dhe prodhime ushqimore, sipas FIPA-s. Ndërkohë, artikujt kryesorë të eksportuar nga BiH në Turqi vitin e kaluar ishin materiale bruto, mallra të prodhuara, si dhe kimikate, karburant mineral e lubrifikante.

Turqia ishte në vendin e 9-të në listën e partnerëve më të rëndësishëm tregtarë të BiH-së më 2011, sipas FIPA-s. Ndonse Turqia ishte investitori i tretë më i madh në BiH deri në fund të 2010-tës, vendi mban vendin e 9-të lidhur me investimet gjithsej në BiH mes majit 1994 e dhjetorit 2010, me një shumë gjithsej investimi prej 131 milionë euro.

Disa nga ndërmarrjet turke në BiH përfshijnë Kastamonu Entegre, Soda Danauii, Ziraat Bank, Turkish Airlines, Seha Industrial Investments e Yildirim Ozbek.

Investitorët turq kanë qenë gjithashtu aktivë në sektorin e arsimit në BiH — Universiteti Ndërkombëtar i Qendrës Linguistike Turke të Sarajevës, Qendra Arsimore Konya-Sarajevë e departamentet e turkologjisë në Universitetin e Tuzlës e Zenicës janë mes interesave më të fundit.

“Nëse shohim investimet turke në rajon [e krahasojmë] përqindjen e atyre investimeve në çdo vend, BiH nuk është niveli më i lartë i përparësisë,” tha Ministri Federal i Arsimit dhe Shkencës i BiH-së Damir Mashiç për SETimes.

Duke shënuar marrëdhëniet historikisht pozitive mes të dy vendeve, Mashiç tha se BiH meriton më shumë prani e vëmendje turke.

Një nga shqetësimet kryesore për investitorët e huaj, megjithatë, është paqëndrueshmëria politike e vendit, sipas Muzafer Kutlaj, një ekspert i Ballkanit në Organizatën Ndërkombëtare të Kërkimit Stretgjik (USAK) me qendër në Ankara.

“Si në të gjitha fushat, stabiliteti politik është një faktor kryesor për tregtarët gjithashtu,” tha ai përSETimes, duke shënuar se dështimi i BiH-së për të krijuar një qeveri pas zgjedhjeve të tetorit 2010 — një krizë që zgjati për 15 muaj — ndikoi gjithashtu investimet turke.

Çaner Sançaktar, një profesor i shoqëruar i politikës së Ballkanit në Universitetin Kocaeli, tha përSETimes se popullsia e vogël e BiH-së përbën gjithashtu një pengesë për investimin e huaj të drejtpërdrejtë.

“Investitorët përpiqen të shohin për tregje të mëdha [ku mund të shesin prodhimet e tyre] përpara sesa të marrin vendime investimi për një vend të caktuar,” tha Sançaktari për SETimes.

Megjithatë, Selman Ulusoj, kryetar i Këshillit të Biznesit Turqi-BiH në Bordin e Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike të Turqisë (DEIK), argumentoi se BiH duhet të shihet nga një këndvështrim më i gjerë. Vendi mund të shërbejë si një dritare për 32 milionë njerëz që jetojnë në ish-republikat jugosllave dhe është i vendosur ngjitur me BE.

“Të udhëtosh nga Sarajeva në Vienë do aq kohë sa të udhëtosh nga Stambolli në Ankara. Bizneset mund t’a përdornin BiH si një qendër [për investimet e tyre] e pastaj të eksportojnë në vendet fqinjë,” tha Ulusoj. Sapo të kuptohet ky pozicion qendror i BiH-së, mundësitë janë të qarta, shtoi ai.

Ulusoj tha se duhet studim për të përcaktuar se cilët sektorë tregojnë mundësi për prodhimet e BiH-së në Turqi, për të orientuar pastaj anëtarët e komunitetit boshnjak të biznesit. Kjo mund të arrihet nëpërmjet një niveli jo-zyrtar bashkëpunimi mes bizneseve të të dyja vendeve, vuri në dukje ai.

Një çështje tjetër është nëse bizneset turke përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për investim në BiH, si fondet e dhurimet e dhëna nga organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim. “Duhet të shohim tek ato më me kujdes e të vlerësojmë mundësitë,” tha Ulusoji./set

Artikulli paraprakShpenzimet e mbrojtjes kanë rradhën në bllokun e shkurtimeve në Greqi
Artikulli vijuesMjalti zbut kollën natën