Edhe pse kanë përfunduar 17 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe tetë vjet që nga shpallja e pavarësia, Kosova vazhdon të ketë ekonomi të brishtë.
Pothuajse të gjitha produktet importohen nga vende të ndryshme, e sidomos nga Serbia, ndërkaq bilanci ndërmjet importit dhe eksportit vazhdon të jetë në disporporcion të madh edhe për ato pak produkte që eksporton Kosova jashtë vendit.
Kjo situatë nuk u rregullua edhe përkundër privatizimit të shumë ndërmarrjeve, deklaratave të qeveritarëve se sektori privat do të mbështetet në mënyrë që të rritet prodhimi, të bëhet hapja e vendeve të reja të punës dhe rrjedhimisht të ketë zhvillim të përgjithshëm ekonomik. Por në realitet gjendja nuk ka ndryshime të theksuara.
Gjithashtu edhe investimi i shumë milionave në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë nuk e ka dhënë efektin e pritur, pasi që importet e produkteve ku janë dhënë më së shumti subvencione dhe grante nuk kanë shënuar rënie. P.sh importi i miellit, grurit, qumështit dhe produkteve të qumështit, mishit të gjedheve etj, nuk ka pësuar trend të rënies në vitet e fundit, përkundrazi ka një trend të lehtë të rritjes së importit për këto produkte, përkundër investimeve të dhjetëra milionave që janë dhënë në subvencionimin e grurit dhe qumështit, granteve për stalla, ferma për lopë qumështore, serra etj.
Por pavarësisht investimeve të cekura më lartë, tregu i Kosovës vazhdon të dominohet nga prodhimet e huaja.
Sipas shifrave zyrtare, vlera e gjithsej importeve në Kosovë, në vitin 2015, ka arritur në 2.6 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 3.8 për qind. Kurse, vlera e eksportit të produkteve të Kosovës në vende të ndryshme të Evropës dhe botës ka arritur në vlerën 325.3 milionë euro, që përkon me një rritje të dobët vjetore prej 0.2 për qind.
Për zvogëlimin e importit dhe mundësinë e rritjes së eksportit të produkteve bujqësore, ditë më parë, ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se me fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit për herë të parë mbi 2500 produkte bujqësore nga Kosova nuk do të kenë barriera tarifore në tregun e Bashkimit Evropian.
Qeveria nuk hartuar politika të favorshme për bizneset e Kosovës
Por sipas njohësve të fushës së ekonomisë, trendi i importit në vitet e fundit, tregon për politikat e pafavorshme fiskale, më të cilat përballen prodhuesit e Kosovës. Ata thonë se për të dalë nga ky bilanc negativë duhet që të rritet prodhimi dhe të krijohet kushte adekuate për të tërhequr investitorët e huaj, në mënyrë që të zhvillohet sektori privat.
Ndërsa prodhuesit në Kosovë, vazhdimisht u kanë bërë thirrje institucioneve të vendit që të krijojnë politika të favorshme fiskale për të rritur eksportin.
Strategjia e orientuar drejt rritjes së eksportit, kishin theksuar ata, duhet të konsiderohet nga autoritetet kompetente si një faktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit.
Lulzim Beqiri, magjistër i ekonomisë, ka thënë për tesheshi.com se trendi i lartë i importit në vitet e fundit është shqetësues për ekonominë e Kosovës, ndërsa thotë se edhe më shqetësues është dyshimi për cilësinë e këtyre produkteve që importohen nga Kosova.
“Po Republika e Kosovës është importuese e shumicës se produkteve që konsumon, dhe kjo është tepër shqetësuese për mendimin tim, shpeshherë kemi hasur në media të shkruara dhe elektronike për problemet me produkte të importit sidomos nga Serbia që sipas shumë hulumtimeve janë edhe kancerogjene dhe kompanitë serbe kanë edhe linja të veçantë prodhimi për Kosovë pa kurrfarë standardi’, thotë Beqiri.
Ai thotë se dështimi për të rritur prodhimin vendor dhe për të zhvilluar sektori privat përmes investimeve të huaja është si pasojë e dështimit të Qeverisë së Kosovës për të krijuar një ambient të mirë për biznes dhe për të luftuar korrupsionin, që është një ndër pengesat kryesore të të bërit biznes në Kosovës, por njëkohësisht edhe pengesë për zhvillimin ekonomik në përgjithësi.
“Qeveria e vendit nuk ka hartuar politika të favorshme për biznese vendase, Kosova nuk ka klimë të mirë të të berit biznes sipas shume raporteve ndërkombëtare në republikën e Kosovës ka shumë barriera të të berit biznese, një e keqe e madhe është se në biznes janë futur shumë politikanë dhe ndikimi i tyre është marramendës dhe shume negative për bizneset ekzistuese vendase”, theksoi Beqiri.
Ai thotë se për të ndryshuar kjo situatë jo e favorshme dhe që Kosova të ketë më shumë prodhim dhe të ulet importi, duhet të merren një sërë masash nga institucionet relevante të Kosovës në mënyrë që të ketë progres ekonomik.
“Duhet hartuar politika të favorshme investuese, mbështetje me infrastrukturë ligjore dhe rrugore, uljen e kamatave enorme pezullim të përkohshëm tatimor, ofrim të asistencës profesionale etj”, u shpreh Beqiri. /tesheshi.