Të paktën 247 persona kanë vdekur, ndërkaq 368 të tjerë janë lënduar nga tërmeti i fuqishëm që goditi të mërkurën Italinë qendrore.
“Kjo nuk është shifra përfundimtare e viktimave”, ka thënë kryeministri italian Matteo Renzi, duke paralajmëruar se ekipet e shpëtimit kanë punuar gjatë gjithë natës për të gjetur të mbijetuar të tjerë.
“Dhimbja për këtë ngjarje nuk ka kufi”, ka thënë tutje Renzi.
Shumë njerëz besohet se janë të varrosur nën rrënoja dhe shumica e personave të zhdukur janë shtetas të huaj dhe turistë, të cilët po vizitonin këtë zonë historike.
Renzi ka premtuar se “asnjë familje, asnjë qytet, asnjë fshat i vogël nuk do të lihet prapa”.
Tërmeti me magnitudë 6.2 ballësh në orët e para të mëngjesit të së mërkurës goditi në veri të Romës, duke shkaktuar dëme të mëdha në qytetet Accumoli, Amatrice, Posta dhe Arqueta del Trono.
“Të gjitha rrugët në qytet janë të shkatërruara. Gjysma e qytetit nuk ekziston më”, ka deklaruar kryetari i Amatrices, Sergio Pirozzi, transmeton Rel.
Në vitin 2009, në tërmet me magnitudë 5.9 ballësh la të vdekur 309 persona në L’Aquila të Italisë.