U hapet rruga zgjedhjes së dekanëve në fakultete

Në 16 njësi akademike të Universitetit të Prishtinës, të enjten, janë mbajtur zgjedhjet që e përcaktojnë menaxhmentin e këtij universiteti. Votimi, sipas sekretarit të UP-së, Vaxhid Sadriu, është bërë për zgjedhjen e këshillave të fakulteteve, për anëtarë të Senatit si edhe për administratën e Senatit. Me këtë votim, pos vendosjes së këshillave në fakultete dhe anëtarëve të senatit, u hapet rruga zgjedhjeve të dekanëve të fakulteteve, të cilët automatikisht do të bëhen pjesë e Senatit të UP-së. Po aq sa do të ketë dekanë në Senat, po aq do të ketë edhe senatorë që nëpërmjet këtyre zgjedhjeve do të zgjidhen nga stafi akademik i fakulteteve. Senati, pos dekanëve dhe senatorëve përbëhet edhe nga 7 studentë, rektori dhe 3 prorektorët, sekretari i UP-së (pa të drejtë vote) si edhe dy anëtarë të zgjedhur nga stafi joakademik. Duke llogaritur që UP-ja aktualisht i ka 16 njësi akademike, numri i përgjithshëm i anëtarëve të Senatit do të jetë 46 anëtarë. Sekretari i UP-së, Sadriu, ka thënë se deri këtë vit kanë qenë 17 fakultete, por për shkak të ndarjes së Pejës, kanë mbetur 16.

Derisa nga Fakulteti i Mjekësisë, ku ka qenë numri më i madh i votuesve 224 sish, disa nga votuesit kanë bërë vërejtje për parregullsi, siç është marrja e së drejtës për të qenë në listë të gjithë, kreu i UP-së që ka organizuar zgjedhjet ka thënë se deri në orët e vona të mbrëmjes, nuk është paraqitur asnjë ankesë për diçka të tillë. Ankesat kryesore në Fakultetin e Mjekësisë kishin të bënin me lobimin, që sipas profesorit të këtij fakulteti, Gani Bajraktari, është bërë nga dekanati aktual.

“Ajo çfarë kam dëgjuar ishte se një pjesë e personelit akademik do të jenë të detyruar që ta fotografojnë fletën e votimit, për të dëshmuar se e ka dhënë votën ‘vullnetshëm, dhe për të përfituar në të ardhmen benefitet e menaxhmentit të ri të legjitimuar me votë ‘të lirë’”, ka thënë Bajraktari, i cili ka theksuar se një gjë e tillë mund të dëshmohet edhe nga profesorë të tjerë. Megjithëkëtë, Bajraktari është shprehur se gjatë kohës sa ka votuar vetë nuk ka vërejtur ndonjë parregullsi.

“Procesin e votimit e kam mbaruar për 2 minuta, por gjatë kësaj kohe nuk kam parë ndonjë parregullsi”, ka thënë Bajraktari, gjithnjë duke e përmendur që problemi ka qenë lobimi për votim. Për parregullsi ka folur edhe një profesor tjetër i Fakultetit, porse ka dashur që të mos i përmendet emri.

“Është një grup i organizuar që është marrë me manipulime dhe lobime, prandaj nuk kisha dashur që të më përmendet emri”, ka thënë burimi, sipas të cilit marrja e një vote dikujt i kushton me pozitë brenda fakultetit.

Sido që të jetë, sipas sekretarit të UP-së, Sadriu, të drejtë votimi kanë pasur profesorët dhe asistentët në marrëdhënie të rregullt pune, kurse përgjigjja në votime është diku 95 për qind. Sadriu ka thënë se ata që marrin rrogë dytësore në UP nuk kanë pasur të drejtë vote.

“Këta votues njëherë kanë shfaqur pakënaqësi, por kur u është shpjeguar se rregullat janë të përcaktuara kësisoj, atëherë janë tërhequr dhe nuk kanë bërë telash”, është shprehur ai.

Sadriu, ndërkaq, ka theksuar se rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të bëhen publike, të premten (sot), pasi të numërohen të gjitha votat. Po ashtu, ai ka thënë se do të shqyrtohen edhe ankesat, nëse eventualisht paraqitet ndonjë. Kutitë e votimit për këto zgjedhje janë hapur në orën 8 të mëngjesit, ndërsa janë mbyllur në 14.koha/kohaislame

Artikulli paraprakSIRI: OBAMA DO TË DISKUTOJË ME PUTIN NË SAMITIN E ’’G 20’’-ËS
Artikulli vijuesMinistri dhe Komandanti i FSK së në Kroaci