KE-ja do t’i parashtrojë Kosovës “kushte të arritshme“ për MSA

Kosova ka bërë një përparim në përmbushjen e disa kritereve për nisjen eventuale të Marrëveshjes së Stabilizim-Asiociimit me Bashkimin Evropian, por në këtë moment nuk mund të thuhet se i ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme për të qenë në gjendje që të marrë obligimet nga një marrëveshje e tillë. Në shumë fusha janë identifikuar mangësi, ndërsa as funksionimi i institucioneve të shtetit nuk është në nivelin që kërkohet sipas standardeve evropiane, ndonëse në pjesë të ndryshme të dokumentit të Studimit të Fizibilitetit thuhet se ekziston korniza e duhur ligjore e cila do të duhej të siguronte funksionimin bazik të strukturave demokratike.

Ky pritet të jetë toni i përgjithshëm i Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen SA për Kosovën, që do ta miratojë dhe do ta bëjë publik Komisioni Evropian, të mërkurën, ndërsa “Koha Ditore“ ka pasur mundësi ta shohë këtë dokumenti.

Në këtë studim, i cili nuk është “Raport progresi“ klasik sikur ai i viteve të mëparshme, Komisioni Evropian ka analizuar gatishmërinë e Kosovës që të marrë përgjegjësi nga Marrëveshja eventuale e Stabilizim-Asociimit në disa fusha, sikur edhe mundësitë ligjore të Bashkimit Evropian për të arritur një marrëveshje të tillë me Kosovën. Ato fusha përfshijnë nga sundimi i ligjit ekonominë, tregtinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat politike dhe qytetare, të drejtat e pakicave, raportet me bashkësinë ndërkombëtare dhe shumë fusha të tjera.

Ndonëse formulimi i rekomandimit për nisjen eventuale të negociatave për MSA do të miratohet në momentin e fundit, pra në takimin e Kolegjit të Komisionerëve të mërkurën, “Koha Ditore“ mëson se Komisioni Evropian ka për qëllim të propozojë “në parim“ disa prioritete që Kosova duhet t’i përmbushë si kushte për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit.

Diplomatë të shteteve anëtare kanë pohuar se nga burimet e Komisionit janë informuar se kërkesat shtesë për Kosovën do të jenë “afatshkurta dhe lehtë të arritshme“ nëse Kosova vërtet bëhet serioze në përmbushjen e tyre. Ato kanë të bëjnë në të shumtën e rasteve me miratimin e disa ligjeve dhe me krijimin e mekanizmave për zbatimin e tyre.

Në Studimin e Fizibilitetit Kosova do të gjejë edhe fushat ku nga ajo pritet të dëshmohet në mënyrë konkrete. Këto fusha nuk janë befasi për askënd në Kosovë dhe kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mbrojtjen e gazetarëve, adresimin e çështjes së veriut dhe të marrë masa për të siguruar që serbët e Kosovës “të ndihen pjesë e së ardhmes së Kosovës“.

Nga Kosova kërkohet që “Parlamenti të forcojë rolin e vet të mbikëqyrësit të ekzekutivit dhe të sektorit të sigurisë duke përmirësuar mbikëqyrjen dhe zbatimin e ligjeve dhe të politikave“.

Po ashtu, kërkohet nga Kosova të sigurojë punën e duhur të Avokatit të Popullit, duke i siguruar edhe mjete, edhe hapësirë të duhur pune. Kërkohet më shumë punë në depolitizimin e gjyqësorit dhe në sigurimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor.

Studimi i Fizibilitetit për Kosovën dallon shumë edhe nga përmbajtja, por në masë edhe nga metodologjia me studimet e mëparshme për shtetet tjera. Kjo edhe për shkak se Kosova është rast i veçantë. Kështu, një pjesë e studimit u kushtohet aspekteve ligjore për arritjen e Marrëveshjes me Kosovën. Edhe në këtë dokument Komisioni Evropian nënvizon se është e mundur që me Kosovën të arrihet një marrëveshje SAA pa marrë parasysh se Kosova nuk është e njohur si shtet nga ana e BE-së.kohaislame

Artikulli paraprakNATO diskuton për Kosovën
Artikulli vijuesSekuestrohen 159 kg marijuanë me destinacion Athinën, kapet shqiptari