HATAY (AA) – Fondacioni humanitar i Turqisë IHH ka dërguar 29 autoambulanca në Sirinë e përfshirë nga lufta, raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesi i IHH-së, Hasan Iri, tha për AA se Siria ka nevojë për autoambulancat për trajtimin e të plagosurve mes një vale të sulmeve shkatërruese dhe vdekjeprurëse.
Iri tha se autoambulancat, të dhuruara nga vendet evropiane në IHH, do të dërgohen në qytetet siriane Halep, Idlib, Hama dhe Homs.
“Më shumë se 400.000 civilë kanë humbur jetën gjatë sulmeve në Siri, dhe qindra mijëra të tjerë janë plagosur. Pajisjet mjekësore në Siri janë gjithnjë e më të nevojshme sepse objektiv i sulmeve janë spitalet dhe personeli mjekësor”, tha Iri.
Ai ka theksuar se IHH me dërgimin e automjeteve për kujdesin e të plagosurve dëshiron të ndihmojë kategorinë më të prekur të civilëve në luftën siriane.
Siria është përfshirë nga lufta civile e cila filloi në mars të vitit 2011 kur forcat besnike të regjimit të presidentit Bashar al-Asad me dhunë tentuan të shtypin protestat masive antiqeveritare në këtë vend.