Allahu i Madhëruar i ka krijuar njerëzit me një natyrë të atillë që ta kenë shumë të lehtë dallimin e moralit të mirë nga ai jo i mirë. Gjithashtu, natyra e tyre është e tillë që ta duan moralin e mirë dhe të urrejnë të pamoralshmen. Sipas moralit të njeriut, njerëzit afrohen ose largohen nga ai. Nëse shpirti i dikujt është i mirë, i kuptueshëm dhe me gjuhë të pastër, do t’i shikosh njerëzit se si do të garojnë për ta përshëndetur, pse jo, edhe duke i buzëqeshur. Nëse ai është shpirtlig, kjo do ta bëjë atë të urryer në zemra dhe të mallkuar në gjuhë dhe do të thuhet: të mërzitet jeta sikur ta takosh, pendohesh sikur ta njohësh dhe njerëzit do të rehatohen me vdekjen e tij.
Njerëzit gëzojnë natyra të ndryshme. Mes tyre gjen njerëz që kanë shpirt të ngushtë dhe që urrehen nga zemrat, por gjen edhe njerëz të lehtë në bashkëpunim, të cilët i duan zemrat. Mes tyre gjen problematikë, prej të cilëve largohen njerëzit, madje edhe kafshët, por ka edhe të tillë që edhe zogjtë mund të qëndrojnë mbi kokat e tyre. Ka mendjelehtë që fluturojnë, por gjen të tjerë që gëzojnë qetësi dhe dinjitet. Disa janë të vrenjtur dhe me zemra të ngurta, disa të tjerë kanë zemra të mëshirshme ndaj nevojtarëve. Disa janë mendjemëdhenj, por ka edhe të tjerë që janë përgëzuar me thjeshtësi.
Mes tyre ka lypsa, por ka edhe nga ata që kanë krenari. Ka njerëz të një natyre që tentojnë vetëm për të bërë keq, aq sa prej tyre nuk shpëtojnë as prindërit, të cilët i edukuan kur ishin të vegjël. Nga ana tjetër gjen fisnikë të mëshirshëm, të cilëve nuk bën zemra t’i bëjnë keq, qoftë edhe një milingone.
Besimtari i vërtetë duhet të jetë gjithmonë vigjilent në zgjimin e ndjenjave morale, i sinqertë në çuarjen e të drejtave në vendin e duhur, të qëndrojë larg lëndimeve të njerëzve, madje duhet të pyesë disa herë veten, qoftë edhe për lëvoren e mollës që hedh në rrugën ku kalojnë njerëzit. Muslimani duhet të kritikojë veten, qoftë edhe për vështrimin e tij, nëse e lëndon një jetim, një shërbëtor apo edhe gruan e tij. Të qortojë veten për erërat e këqija që bezdisin fqinjin e tij. Të ndiejë mbikëqyrjen e Allahut, atëherë kur punëson të afërmin e tij, në një kohë kur ka të tjerë që e meritojnë më shumë atë punë. Madje, të ketë kujdes dhe për borinë e automjetit të tij, në mënyrë që të mos i trembë njerëzit në gjumë, apo ndonjë tjetër që nuk e ka mendjen.
Njeriu si natyrë është i shoqërueshëm, largësia nga njerëzit e bën atë të egër, ndërsa afërsia me të tjerët e bën të butë, pra në përgjithësi është një krijesë e shoqërueshme. Që ta plotësojë këtë shoqëri, njeriu duhet të posedojë moral të mirë, për arsye se ai do hasë në sjellje të ndryshme njerëzish, ku më e mira për të do të jetë kur t’i ofrojnë një shërbim, e në këtë rast ai duhet t’ua kthejë me moralin e falënderimit. Nga Ebu Hurejra transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk e ka falënderuar Allahun ai që nuk i falënderon njerëzit”.[1] Gjëja më e keqe që mund të presë prej tyre është lëndimi, e në këtë rast duhet që ky njeri të zbukurohet me moralin e durimit. Nga Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se Profeti ka thënë: “Besimtari që përzihet me njerëzit dhe duron lëndimet e tyre, ka më shumë shpërblime se besimtari që nuk përzihet me njerëzit dhe nuk duron lëndimet e tyre.” [2] Duke u nisur nga ky hadith, themi se prej bazave të miratuara në legjislacionin Islam është që njerëzit të bashkëjetojnë me moral dhe sjellje të mirë, kjo për sa i përket sjelljes së njerëzve me ty.
Ndërsa në lidhje me sjelljen tënde me ta, duhet të dish se muslimani nuk duhet t’i lërë pas dore veprat që u bëjnë dobi njerëzve, pra duhet t’i urdhërojë për të mira dhe t’i orientojë drejt vendeve ku gjendet shpëtimi i tyre, sa të ketë mundësi. Për këtë arsye, ajeti më përmbledhës për bashkëjetesën mes njerëzve, është fjala e Allahut të Madhëruar:
“Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!” [3]
Duke e komentuar këtë ajet, Ibn Tejmija në librin e tij “Fetva të mbledhura” (30/370-371) thotë: “Ky ajet ka përmbledhur shumicën e virtyteve fisnike. Në të vërtetë, njeriu ka dy lidhje me njerëzit: ose me sjellje të pëlqyeshme prej tij, ose me sjellje të papëlqyeshme prej tij. Allahu i Madhëruar e ka urdhëruar këtë njeri që të marrë prej tyre sjelljet që i pëlqejnë, gjithmonë nëse ata ia lejojnë një gjë të tillë, duke mos u kërkuar tej normave. Dhe në anën tjetër, nëse veprojnë me të gjëra që i urren, shumë lehtë mund t’i lërë dhe t’i urdhërojë në të njëjtën kohë për vepra të mira.”
Njeriu ose ndërvepron me të tjerët, ose ata ndërveprojnë me të.
Ndërvepruesi i mirë dhe i lavdëruar në rastin tonë është ai që bën vepra të mira, ndërsa tjetri është ai mbi të cilin bie ky veprim ose pret të mira ose të këqija. Pra kemi të bëjmë me tri raste, të cilat janë përmbledhur në këtë ajet dhe nuk ka rast të katërt. Në të gjitha këto raste njerëzit duhet të njohin nga ju vetëm të mira. Ibn el Mukri përcjell në librin e tij “El Muaxhem” me nr. 530, se Ejub Suhtejani ka thënë: “Nuk mund të bëhet i famshëm një njeri nëse nuk zotëron këto dy cilësi: të mos ketë nevojë për atë që posedojnë njerëzit dhe t’ua falë gjërat që mund t’i bëjnë. Njeriu më i hershëm që kam parë, të cilit i kushtohen këto fjalë në këtë ajet është Xhafer es Sadik, (Allahu e mëshiroftë!), siç thuhet në “Fet’hul Bari” (8/360).”
[1]E përcjell Ebu Daudi me nr. 4 811, Tirmidhiu me nr. 1 954, dhe e saktësoi Albani në librin “Vargu i Haditheve të sakta” me nr. 416.
[2]Transmeton Tirmidhiu me nr. 2 507, Ibn Maxhe me nr. 4 032. E saktësoi shejh Albani në librin “Vargu i haditheve të sakta” me nr. 939.
[3]Suretu Araf, 199.
Këshilla të arta për moralin e lartë
Autor Abdulmalik Ramadani