Fushata barbare mbi Aleppo, Merkel kërcënon Rusinë

Angela Merkel ishte e palëkundur në kërkesën e saj për një linjë të ashpër ndaj Rusisë, nëse nuk ndalon fushatën e bombardimeve në Aleppon e kthyer në një qytet fantazëm. Mënyra çnjerëzore e të vepruarit të Moskës, sipas kancelares gjermane duhet të marrë fund.

“Ne kërkojmë fundin e sulmeve. Kemi thënë se sanksionet do të aplikohen jo vetëm mbi Sirinë, por edhe mbi të gjithë ata që thurin aleancë me të, e këtu i referohem Rusisë. Fushata barbare në Aleppo duhet të përfundojë”, tha Angela Merkel.

Të një linje me shefen e ekzekutivit gjerman ishin edhe kryeministrja britanike, Theresa May, presidenti i Francës, François Hollande, e disa udhëheqës të tjerë të bllokut.

Më herët, edhe presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz pati deklaruar se Vladimir Putinit i duhet dhënë një mesazh i qartë. “Ajo që po bën Moska – tha Schulz, – është e papranueshme”.

Kryetari i Këshillit të Europës, Donald Tusk e pranoi se strategjia ruse është të dobësojë bllokun europian, teksa u shpreh se BE-ja nuk kërkon të krijojë tensione me Rusinë, ama me vlerat dhe parimet e veta nuk do të bëjë kompromis.

Jo të gjitha vendet anëtare, megjithatë, u pajtuan me idenë e sanksioneve. Italia, Hungaria dhe Greqia i kundërshtuan si të pakuptimta ato, duke i mëshuar më tepër rëndësisë që ka një armëpushim i qëndrueshëm në Siri dhe një proces për tranzicion politik.

14
Artikulli paraprakAksident i tmerrshëm, 53 të vdekur e qindra të plagosur (Foto)
Artikulli vijuesMaqedonasja e konvertuar në fenë islame, Katerina lindi fëmijën e parë; e pagëzon me emër myslimani, Edin!