Pasi Mirela Ndini, bashkëshortja e deputetit socialist Alfred Peza u shfaq si aksionere e Bankës Credins, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave njoftoi sot hapjen e hetimeve për origjinën e pasurisë 100 milionë lekë si dhe për konflikt të mundshëm interesi.
Inspektoriati njoftoi sot nisjen e hetimeve pas publikimit në media të një kontrate të nënshkruar në mars të vitit 2015 mes Aleksandër Pilo dhe Mirela Ndini, në të cilën Pilo i shiti Ndinit 1 për qind të aksioneve të Banka Credins SH.A përkundrejt një shume prej 113 milionë lekësh (rreth 820 mijë euro). Mirela Ndini është bashkëshortja e deputetit socialist Alfred Peza, i cili më parë ka punuar si gazetar. Peza deklaroi pas publikimit të lajmit se paratë për blerjen e aksioneve janë kursime të familjes së tij dhe se janë deklaruar prej tij në deklaratën e pasurisë në ditën kur ai u shpall deputet i kuvendit.
Sipas njoftimit për shtyp të ILDKPDI, “Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit”.
Peza këmbëngul se paratë e blerjes së aksioneve janë të ligjshme. Pas publikimit të lajmit të hapjes së hetimeve, ai shkroi në Facebook: “Mirëpres kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ që ILDKP ka nisur sot në lidhje me pasurinë e familjes time.”
Zbulimi i kontratës së vitit 2015 javën e kaluar shkaktoi reagime të shumta publike. Partia Demokratike në opozitë e konsideroi ngjarjen skandal dhe pasqyrë të nivelit të lartë të korrupsionit në qeverisjen e vendit. “Në të vërtetë, skandali i pasurisë 1 miliardë e 100 milionë lekë të deputetit Alfred Pezës, tregon pellgun e madh të korrupsionit të kësaj maxhorance. Miliardat e Pezës janë vetëm pjesa e dukshme e miliardave që kanë përfituar deputetë, ministra e njerëz të afërt me Edi Ramës qysh ditën e parë që erdhën në pushtet,” deklaroi një zëdhënëse e Partisë Demokratike të dielën.
Alfred Peza, është ish gazetar me karrierë të gjatë në median shqiptare ndërsa në vitin 2013 u zgjodh deputet nga listat e Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit.
Banka Credins është aktualisht një nga dy bankat e vetme me kapital kryesisht shqiptar në Shqipëri. Sipas të dhënave mbi aksionerët e kësaj banke të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Ndini bleu afro 523 mijë aksione ose 1 për qind të aksioneve të bankës me vlerë nominale prej 54 milionë lekësh nga Aleksandër Pilo, një nga aksionerët më të hershëm të bankës. Kontrata e transferimit, e publikuar në prill 2015 në QKB tregon se këto aksione u blenë nga Ndini për 113 milionë lekë. Që nga prilli i vitit 2015, Banka Credins ka ndërmarrë disa herë rritje të kapitalit aksioner përmes moshpërndarjes së fitimeve apo përmes emetimit të kuotave të reja të aksioneve. Aktualisht Ndini disponon 0.79 për qind të aksioneve të bankës.
Inspektoriati dhe drejtuesi i inspektoriatit Shkëlqim Ganaj kanë qenë nën akuza gjatë kohëve të fundit për inaktivitet në hetimin e rasteve të dyshuara për pasuri të pajustifikuara për konflikt interesi. Prokuroria e Përgjithshme ka hapur aktualisht hetime ndaj Ganajt për mungesë hetimesh.
Zyrtarët e lartë të zgjedhur apo të emëruar kanë detyrimit të deklarojnë pasuritë dhe interesat e tyre private që nga viti 2003.
Inspektoriati pritet ta hetojë Pezën jo vetëm për burimin e pasurisë, por edhe për mundësinë e konfliktit të interesave. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, deputetët nuk mund të kenë interesa në kompani që ka “veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”. Mbetet për t’u parë nëse aktiviteti i zakonshëm i Bankës Credins bie apo jo në këtë klauzolë të Kushtetutës.